Gjykata Speciale: Kemi mandat deri sa Këshilli i Bashkimit Evropian të thotë të kundërten

gjykata-speciale:-kemi-mandat-deri-sa-keshilli-i-bashkimit-evropian-te-thote-te-kunderten

Me këtë rast, Specialja ka publikuar një komunikatë për media ku e ka bashkangjitur edhe aktgjykimin e tyre referuar amandamenteve të propozuara nga neni 162 i Kushtetutës së Kosovës për Dhomat dhe Prokurorin e Specializuar, shkruan Rahovecnews.net.

Në këtë aktgjykim, Dhoma Kushtetuese pranë Gjykatës Speciale ka vlerësuar se mandati i Dhomave të Specializuara dhe i Zyrës së Prokurorit të Specializuar do të vazhdojë deri sa Këshilli i Bashkimit Evropian të njoftojë për përfundimin e mandatit të tyre.

Kjo është komunikata e plotë:

Më 26 Nëntor 2020, Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese (‘Dhoma Kushtetuese’) nxori aktgjykimin e saj mbi referimin e amendamenteve të propozuara të nenit 162 të Kushtetutës së Kosovës (‘Kushtetuta’), për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Dhoma Kushtetuese vendosi se amendamentet kushtetuese të propozuara pakësojnë të drejtat dhe liritë e garantuara prej Kapitullit II të Kushtetutës.

Amendamentet kushtetuese u propozuan më 24 gusht 2020 nga Presidenti i atëhershëm i Kosovës dhe në vijim Kryetarja e Kuvendit të Kosovës ia përcolli ato Dhomës për vlerësim paraprak, në përputhje me nenin 144(3) të Kushtetutës.

Në aktgjykimin e saj Dhoma Kushtetuese vlerësoi amendamentet kushtetuese të propozuara duke u kushtuar vëmendjen e duhur kontekstit dhe veçorive specifike të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Dhoma Kushtetuese gjithashtu konfirmoi se në pajtim me nenin 162(3) të Kushtetutës, kjo Dhomë ka juridiksion ekskluziv për kryerjen e këtij vlerësimi, duke qenë se amendamentet e propozuara kanë lidhje me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Po kështu, Dhoma Kushtetuese theksoi se në pajtim me nenin 162(13) dhe (14) të Kushtetutës, mandati i Dhomave të Specializuara dhe i Zyrës së Prokurorit të Specializuara ka vazhduar dhe do të vazhdojë deri sa Këshilli i Bashkimit Evropian të njoftojë për përfundimin e mandatit të tyre. /Rahovecnews.net/