PDK: Vjedhja e Thesarit të Shtetit, krim i organizuar ndërinstitucional

pdk:-vjedhja-e-thesarit-te-shtetit,-krim-i-organizuar-nderinstitucional

Lushtaku ka thënë se vjedhja e 2 milionë eurove është krim i organizuar i madh ndërinstitucional, shkruan Rahovecnews.net.

“PDK si parti opozitare është duke u angazhuar për një kohë të gjatë në denoncimin e keqqeverisjes për angazhimin e saj në Kuvendin e Kosovës me seanca dhe me Komisione Hetimore siç është rasti i privatizimit, hidrocentraleve dhe vjedhjeve gjatë pandemisë. PDK është e vendosur të mos ndalet së denoncuari krimin e organizuar dhe korrupsionin. Ditët e fundit qytetarët e Kosovës janë dëshmitarët në një nga dështimet më të mëdha të qeverisë Hoti në 20 vitet e ekzistimit të institucioneve të Kosovës. Vjedhja mbi 2 milionë nga Thesari i Shtetit për pak minuta është krim i madh i organizuar ndërinstitucional. Por qeveria në vend të dhënies së përgjegjësisë po hesht dhe po mundohet të gjejë përgjegjësinë diku tjetër. Kryeministri Hoti në këtë rast edhe ministrja Bajrami po mundohen t’i ikin përgjegjësisë politike e ligjore të improvizuar me konferenca për shtyp. Skandali i avullimit të 2 milionëshit është krim i organizuar brenda Ministrisë së Financave, në kuletën e shtetit.”, tha Lushtaku.

Lushtaku gjithashtu është shprehur se qeveria Hoti po tenton ta përfshijë edhe PDK-në në këtë skandal, por ai ka thënë se asnjë i përfshirë në këtë skandal nuk ka qenë dhe nuk është anëtar i PDK-së.

Ai gjithashtu ka reaguar ndaj raportimit se ortaku i tij ka qenë i përfshirë në këtë skandal dhe ka paralajmëruar padi ndaj mediave në fjalë.

“Nga informacionet e fundit në media dhe çdo ditë më tepër po bindemi që dorëheqja e ministres është akt i domosdoshëm. Ministrja duhet të marrë përgjegjësi politike për këtë dështim të madh, kështu do t’i hapte rrugë hetimeve pa ndërhyrje politike. Ne shohim tendencë nga qeveria Hoti që në këtë skandal ta përfshijë edhe Partinë Demokratike të Kosovës, asnjë i dyshuar deri më tani nuk është dhe nuk ka qenë anëtar i PDK-së. Sot nga portalet është përmendur edhe emri i ortakut tim, gjoja është i përfshirë në këtë skandal, por është një gënjeshtër. E kam potencuar dhe e kam lajmëruar Insajderin dhe i kam kërkuar të distancohen nga këto shpifje, por dua të iu informoj që edhe në diskutim me gazetaren para se të dal lajmi e kam qartësuar se ky nuk është ortaku im. Shikoni mirë, verifikoni, emrin mbiemrin numrin e letërnjoftimit, por kjo po shihet si tendencioze dhe ka qenë për ta përmendur emrin tim. Por meqë nuk kam marrë përgjigje nga Insajderi dhe gazetarët që kanë marrë përsipër artikullin, unë do të vazhdoj me padi.”, tha Lushtaku.

Lushtaku në fund ka thënë se PDK i fton organet e rendit që t’i hetojnë dhe arrestojnë e dënojnë individët që kanë gisht në vjedhjen e 2 milionë eurove nga Thesari i Kosovës.

“PDK fton organet e vendit që t’i hetojnë, arrestojnë dhe dënojnë çdo individ që ka gisht në vjedhjen e 2 milionë eurove nga Thesari i Kosovës dhe kërkojmë nga qeveria Hoti përgjegjësi dhe llogari. Kjo qeveri është treguar e paaftë, jo kompetente dhe e rrezikshme për pasurinë e Kosovës. PDK kërkon nga qeveria Hoti të mos ndërhyjë në hetime dhe të qëndrojë larg institucioneve të pavarura, ajo nuk mund të fshihet nga korrupsioni ku është futur duke i shuar departamentet anti-korrupsion nga Policia e Kosovës dhe duke i shkarkuar drejtorët e Policisë, ATK-së dhe Doganave.”, tha Lushtaku në fund. /Rahovecnews.net/ 

LIVE: Partia Demokratike e Kosovës në konferencë për media

LIVE: Partia Demokratike e Kosovës në konferencë për media

Gepostet von Rahovecnews.net am Freitag, 23. Oktober 2020