Me polemika të ashpra, shkon drejt fundit rigjykimi në rastin “Ferronikeli” ndaj Shukri Bujës dhe të tjerëve

me-polemika-te-ashpra,-shkon-drejt-fundit-rigjykimi-ne-rastin-“ferronikeli”-ndaj-shukri-bujes-dhe-te-tjereve

Me polemika të shumta mes kryetarit të trupit gjykues, Beqir Kalludra dhe mbrojtësit të Shukri Bujës, avokatit Arianit Koci, është përcjellë seanca gjyqësore e së martës në rastin “Ferronikeli”.

Në këtë rast, përveç ish-kryetarit të Lipjanit, Shukri Buja, akuzohen edhe shtatë zyrtarë tjerë komunal të Komunës së Lipjanit si dhe biznesmeni Fahri Retkoceri. Po ashtu, i akuzuar në këtë rast është edhe Nebih Zeqiri, mirëpo, për shkaqe shëndetësore, gjykata ka veçuar procedurën ndaj tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Qysh në fillim të seancës, mbrojtësi i Bujës, avokati Arianit Koci kërkoi të dijë nga gjyqtari Kalludra se nëse gjykata ka ndonjë informacion për rezultatet e testit për Covid-19 të bërë nga Buja, pasi siç tha, i mbrojturi i tij është detyruar të vijë në seancë edhe pse ka qenë në vetëizolim.

E pasi nga gjyqtari Kalludra u njoftua se gjykata ka mësuar zyrtarisht, se Buja ka rezultuar negativ, avokati Koci kërkoi të dijë se çfarë ka ndodhur me të akuzuarin tjetër në këtë rast, Nebih Zeqiri, i cili nuk ishte i pranishëm në seancë.

Lidhur me këtë, gjyqtari Kalludra njoftoi se, gjykata jashtë seancës, ka vendosur që të veçojë procedurën ndaj Beqirit për shkak të gjendjes shëndetësore të këtij të fundit, çka e shtyri sërish avokatin Koci të reagojë duke thënë se ata si palë në procedurë ka qenë dashur të njoftohen lidhur me këtë.

Duke qenë se trupi gjykues nga seanca e kaluar kishte ndryshuar, edhe veprimet procedurale u desht që të përsëriten sërish nga fillimi. Kësisoj, edhe pse aktakuza në këtë rast ka katër vite që është ngritur dhe ky rast është në rigjykim, avokati Koci kërkoi që e njëjta sërish të lexohet, përkundër se gjyqtari kërkoi mendimin e palëve që e njëjta të konsiderohet e lexuar për shkak të ekonomizimit të procedurës.

Kërkesës së Kocit për leximin e aktakuzës, iu bashkuan pastaj edhe mbrojtësit e tjerë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori special, Agron Bajrami, të gjithë të akuzuarit u deklaruan sërish të pafajshëm.

E gjatë dhënies së fjalës hyrëse të palëve, sërish pati një “përballje” deklaratash mes gjyqtarit Kalludra dhe avokatit Koci lidhur me bartjen e maskës nga ky i fundit.

Pasi gjyqtari e udhëzoi Kocin që të mbaj maskën, avokati tha se vet gjyqtari e udhëzoi të mbrojturin e tij të heq maskën kur është duke folur.

Lidhur me këtë, gjyqtari i kërkoi avokatit që të mos bëhet “aktor komik”, pasi siç tha, prej se ka filluar seanca nuk është duke e mbajtur maskën.

Ndryshe, edhe prokurori dhe të akuzuarit me mbrojtësit e tyre thanë se mbesin prapa fjalës hyrëse që kishin dhënë në gjykimin e parë si dhe në seancën e parë të rigjykimit që ishte mbajtur në muajin qershor të këtij viti.

E avokati Koci tha se do të propozojë edhe prova dhe dëshmitar të rinj në këtë proces. Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Bajram Rizani, avokati Selman Bogiqi, gjatë fjalës hyrëse të tij tha se ka menduar që prokurori do të tërhiqet nga aktakuza për sa i përket klientit të tij, pasi siç tha, vepra penale për të cilën akuzohet ai veçse është parashkruar.

Pasi që palët përfunduan fjalët hyrëse, avokati Koci kërkoi nga gjyqtari që të lejohet edhe i mbrojturi i tij, Shukri Buja t’i thotë disa fjalë, mirëpo, kjo kërkesë u refuzua nga gjyqtari Kalludra me arsyetimin se dispozita ligjore është shumë e qartë se fjalën mbrojtëse e paraqesin mbrojtësit kur janë prezent dhe në rast të mos angazhimit të mbrojtësit, i akuzuari ka të drejtë të paraqes fjalën hyrëse.

Meqenëse dëshmitarët në këtë çështje penale janë dëgjuar dy herë, edhe në gjykimin e parë edhe në seancën e parë të rigjykimit, gjyqtari Kalludra i ftoi palët palët të deklarohen lidhur me ta.

“Si për dëshmitarët ashtu dhe provat tjera, gjykatës i propozojmë që të gjitha t’i konsiderohen të lexuara meqenëse ato prova janë administruar në shqyrtim gjyqësor dhe po ashtu në rigjykim, të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre ato prova i kanë pasur në disponim që nga ngritja e aktakuzës si dhe njoftojmë gjykatën se nuk do të paraqesim prova të reja”, tha prokurori Bajrami.

Këtë deklarim të prokurorit e mbështetën edhe të akuzuarit tjerë me mbrojtësit e tyre, me përjashtim të avokatit Koci, i cili tha se i mbrojturi i tij po insiston që dëshmitarët të dëgjohen edhe njëherë.

Me gjithë këtë kërkesë të mbrojtjes së Bujës, trupi gjykues mori aktvendim me të cilin e aprovoi propozimin e prokurorit që të lexohen deklaratat e dëshmitarëve të dhëna në seancën e 30 qershorit 2020, kurse të refuzohet propozimi i avokatit Buja.

“Refuzohet propozimi i mbrojtësit së të akuzuarit Buja, Arianit Koci për faktin se ne dy herë i kemi pasur në shqyrtim gjyqësor të gjithë dëshmitarët, e edhe herën e fundit më 30.06.2020, pikërisht me kërkesën e avokatit Arianit Koci, i cili kishte kërkuar që këtë dëshmitarë të dëgjohen. Gjykata i kishte siguruar të gjithë dëshmitarët dhe pikërisht avokati Arianit Koci me të mbrojturin e tij nuk u kanë parashtruar pyetje dëshmitarëve me arsyetimin se mënyra e tillë e marrjes në pyetje e dëshmitarëve është e kundërligjshme”, e arsyetoi refuzimin e propozimit të Kocit, gjyqtari Kalludra.

E pas refuzimit të propozimit të tij nga ana e trupit gjykues, avokati Koci kërkoi që ta merr sërish fjalën, mirëpo një gjë e tillë u refuzua nga ana e gjyqtarit Kalludra.

“Përsëri mbrojtësi i Shukri Bujës, avokati Arianit Koci kërkon fjalën dhe KTGJ ia tërheq vërejtjen që mos ta pengojë punën e gjykatës dhe të kërkojë fjalën vetëm kur t’i vijë radha. KTGJ ja tërheq vërejtjen për herën e fundit”, tha gjyqtari Kalludra.

“Kërkoj që të incizohet gjykimi sepse nuk po i konstatoni të gjitha fjalët”, pasoi reagimi i avokatit Kocit.

Kurse, gjyqtari Kalludra u përgjigj duke i thënë se mund të incizojë dhe duke shtuar se kjo do të jetë hera e fundit që i tërheq vërejtjen avokatit para se t’i shqiptojë masa tjera disiplinore.

Pasi u konstatuan të lexuara deklaratat e dëshmitarëve, Ramush Asllani, Imer Bikliqi, Ismet Jashanica, Selatin Rektoceri, Lulzim Rrustemi dhe Hanushe Berisha, gjyqtari ftoi palët të deklarohen se a kanë vërejtje në leximin e provave.

“Mbetem në tërësi prapa kundërshtimeve dhe e shprehi shqetësimin me mënyrën se si po trajtohem unë dhe klienti im në këtë shqyrtim. Vazhdimisht po e kom një presion të afatit kohor nga gjykata dhe në arsyetimin e gjykatës në mënyrë të paarsyeshme u përmend emri im. Unë jom i gatshëm të tërhiqem veç mos me pësu klienti im”, deklaroi avokati Koci.

Lidhur me këtë, gjyqtari Kalludra tha se asnjëherë në punën e tij nuk do t’i jap vetes të drejtë që ta privoj nga e drejta dhe dëshira një të akuzuar që të përfaqësohet nga një avokat sipas dëshirës së tij dhe këtë të drejtë tha se ka respektuar dhe në të gjitha seancat gjyqësore tha se gjithmonë është përpjekur që të dakordohet me të gjithë mbrojtësit edhe atëherë kur është dashur të shtyhen seancat deri sa kemi gjetur mirëkuptim.

“Unë s’kom problem e as mosmarrëveshje me avokat, por jam i detyruar që të respektoj dispozitat ligjore dhe nuk do të lejoj cenimin e autoritetit të këtij institucioni dhe zvarritje të procedurës”, u përgjigj në reagimin e avokatit, gjyqtari Kalludra.

Po ashtu, Kalludra i kërkoi avokatit që t’i drejtohet atij personalisht si kryetar i trupit gjykues dhe jo t’i involvojë edhe anëtarët e tjerë të trupit gjykues, duke shtuar po ashtu, se avokati Koci është vazhdimisht duke shkaktuar ndërprerje të seancës.

“Unë jom edhe ma i shqetësum pas këtij debati, më mirë tërhiqem se sa me pësu klienti im, nëse ju keni diçka me mu”, tha avokati Koci.

Pas këtij debati, reagoi edhe i akuzuari Buja i cili tha se ose do të mbroj veten ose do të jetë i detyruar të ndërroj avokatin më vonë.

Po ashtu, Buja tha se ka vërejtje në dëshmitë e dëshmitarëve.

“Kam vërejtje sepse dëshmitë që kanë dhënë dëshmitaret kanë dallim, psh. Ramush Asllani ndryshon deklaratat, nga hetuesia në shqyrtim gjyqësor. Po ashtu, në dëshminë e Hanushe Berisha, e cila edhe pse ishte nën betim e fshehte informatat lidhur me lagjen e Akllapit e cila është legalizuar nga Kuvendi Komunal. Kam vërejtje edhe në palën e dëmtuar, në avokaten e Komunës, e cila po fsheh informacione derisa unë posedoj dokumentacionin se objekti për të cilin akuzohem se e kam dhënë me qira Ferronikelit për 1 euro,  që nga viti 1979 është pronë e Ferronikelit dhe e cila e ka bërë shitjen e këtij objekti në vitin e kaluar dhe është pranuar në kadastrën e Komunës si pronë e blerësit të ri nga Ferronikelit”, tha Buja.

Gjykimi vazhdoi pastaj me marrjen në pyetje të të akuzuarve. Ndaj ish-kryetarit të Lipjanit, Shukri Buja, nuk patën pyetje as prokurori, e as avokatët tjerë.

E në këtë moment, fjalën e mori sërish avokati Koci i cili tha se në fillim të këtij shqyrtimi gjyqësor e kishte paralajmëruar gjykatën se do të propozoj prova të reja dhe dëshmitarë.

“Meqenëse ju tani keni ftuar të akuzuarit të deklarohen, i mbrojturi im dhe unë si mbrojtje po privohem, pa e marr ju vendimin për aprovim apo refuzim po vazhdoni me marrjen në pyetje të akuzuarit dhe si përfundim unë si mbrojtës dhe klienti im po privohem në komentimin e provave që do t’i paraqiten gjykatës. Nëse klienti im sot e përfundon deklarimin e vet, si do të deklarohet për provat në të ardhmen dhe për dëshmitar”, tha Koci.

Lidhur me këtë, gjyqtari Kalludra tha se propozimi i avokatit Koci është konstatuar si e drejtë dhe paranjoftim për gjykatën se në fazën e mëvonshme do të propozojë prova të reja.

“Në momentin kur e ka paralajmëruar këtë propozim, njoftohet avokati se nuk është faza që merret vendim për plotësimin e procedurës me prova dhe ia rikujtoj edhe njëherë avokatit të nderuar, nenin 347 të KPPRK-së lidhur me këtë çështje. Gjithsesi duke e informuar të mbrojturin e tij, Shukri Buja, se për çdo provë të propozoj jo vetëm nga ju por nga cila do palë në procedurë, e që ky propozim do të aprovohet eventualisht nga gjykata, jo vetëm ju dhe i mbrojturi i juaj, por të gjitha palët, kanë të drejtë të parashtrojnë pyetjet, të bëjnë vërejtje, të japin interpretime sikurse ju kam udhëzuar në çdo shqyrtim gjyqësor”, tha Kalludra.

As për të akuzuarin tjetër, Halit Gashi, nuk patën pyetje as prokurori dhe avokatët tjerë, me përjashtim të akuzuarit Buja, i cili e pyeti Gashin lidhur me dallimet që siç tha, kanë deklaratat e Gashit nga hetuesia dhe ajo në shqyrtim gjyqësor.

Lidhur me këtë, Gashi tha se saktësisht nuk i kujtohet deklarata por tha se në hetuesi kishte qenë konfuz për arsye se nuk i ishin kujtuar detajet e çështjes, duke shtuar se, po t’i ishin kujtuar sikurse më vonë, nuk do të ishte fare pjesë e aktakuzës.

“A keni pas presion si Drejtor i Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër nga kryetari i komunës për me kry një procedurë jashtëligjshëm”, e pyeti Buja, Gashin, me këtë të fundit që u përgjigj se nuk kishte pasur.

Pasi që e akuzuara Magbule Sadiku tha se mbetet prapa deklarimeve të dhëna më parë dhe deklarimit të prokurorit se nuk ka pyetje, fjalën e mori avokati Koci i cili sërish iu rikthye propozimit që kishte dhënë në fillim të seancës.

“Unë kam propozuar prova të reja dhe dëshmitar të rinj, para përfundimit të procedurës së provave, në fillim të seancës. Në këtë rast, është dashur të aplikohet neni 345 i Kodit të Procedurës Penale”, tha Koci.

E kësaj iu përgjigj gjyqtari Kalludra duke thënë se kjo çfarë po bën avokati është pengesë në punën e gjykatës.

“Kjo është pengesë në punën e gjykatës, ju u ftuat për pyetje për të akuzuarën. Në qoftë se ju keni kërkuar m’u vendos për propozime të juaja, unë nuk e di çka me thënë për vetin time. Ju keni paralajmëruar se do të propozoni prova të reja”, tha Kalludra.

Ndryshe, e akuzuara Sadiku tha se nuk ka pasur ndonjë presion nga i akuzuari Halit Gashi gjatë përgatitjes së një aktvendimi për shpronësim, pasi për një gjë të tillë u pyet nga vet Gashi.

“Është përfill në tërësi procedura administrative dhe legjislacioni në fuqi. Të gjitha veprimet janë marr në bazë të aktvendimeve të plotfuqishme”, tha Sadiku.

Njëjtë sikurse edhe në gjykimin e parë, edhe në këtë seancë, i akuzuari Fahri Retkoceri tha se do të mbrohet në heshtje.

Kur radha i erdhi për të dhënë mbrojtjen të akuzuarit, Hasim Vishesella, sërish ishte avokati Koci i cili tha se në rastin konkret për të cilën është duke debatuar me gjyqtarin Kalludra, neni 345 i Kodit të Procedurës Penale është në rregull kurse neni 348 i po të njëjtit Kod paraqitet si mundësi.

I vetmi që i parashtroi pyetje të akuzuarit Vishesella, ishte Shukri Buja, i cili të akuzuarin e pyeti nëse janë legalizuar ndërtimet në lagjen e Akllapit si dhe nëse në atë kohë kishte qenë në fuqi i njëjti ligj sikurse në rastin e ndërtimit të objektit së të akuzuarit Rekoceri.

E për të dy këto pyetje, përgjigja e Vishesellës ishte pohuese.

Mbrojtja e të akuzuarit tjetër në këtë rast, Edmond Rexhepi, i dorëzoi gjykatës në seancën e së martës, katër skica si prova të reja materiale.

Në foton e parë, objekti për të cilën prokuroria pretendon se është ndërtuar në vitin 2009, ka qenë i ndërtuar nga viti 2004”, sqaroi njërën nga skicat e dorëzuar, i akuzuari Rexhepi.

Sërish, i vetmi që i parashtroi pyetje të akuzuarit ishte Shukri Buja. Ky i fundit, Rexhepin e pyeti nëse ka qenë i emëruar politik dhe se a ka pasur të drejtë kryetari i komunës për të kërkuar sqarime dhe informata shtesë nga vartësit e tij.

Rexhepi tha se ka qenë i emëruar politik dhe se kryetari i komunës ka pasur të drejtë për të kërkuar informacione shtesë nga ai, duke shtuar po ashtu se, ai kishte vepruar sipas vendimit të Kuvendit Komunal për sa i përket objektit që pretendohet se ka qenë pa leje, i të akuzuarit Retkoceri.

“A keni pas ndonjë kërcënim apo shantazh nga kryetari për ndonjë vendim të nxjerrë nga ju?”, e pyeti Buja, Rexhepin, me këtë të fundit që u përgjigj se nuk ka pasur.

Buja i parashtroi pyetje edhe të akuzuarit Driton Avdiun, të cilën e pyeti se kush e kishte udhëzuar të inspektonte objektin e Fahri Retkocerit.

“Unë me Burim Kodrën gjatë inspektimit kemi parë një objekt që ka qenë duke u ndërtuar dhe e kemi inspektuar. Nëse sëgaboj ka qenë dita e 18 e punës sime si inspektor. Më herët se unë e di që ka pasur edhe inspektor tjerë të ndërtimit” , tha Avdiu.

“Si është e mundur që ju pas 18 ditë pune, e gjetët objektin dhe e inspektuat atë objekt, u akuzuat kurse inspektorët shumë vjeçar paraprak, as nuk e kishin inspektu as nuk e kishin vërejt atë objekt”, ishte pyetja pasuese Bujës, për të cilën, Avdiu tha se nuk ka ndonjë përgjigje.

Edhe i akuzuari Burim Kodra tha se qëndron prapa deklarimeve të tij të dhënë më parë dhe se nuk dëshiron të përgjigjet në pyetje tjera.

Kurse, i akuzuari Bajram Rizani, tha se tek objekti i Fahri Retkocerit, me urdhrin e tij kishin shkuar dy ish-inspektorët Ismet Jashanica dhe Imer Bikliqi dhe shtoi se ka qenë obligim i tyre që të ndalojnë ndërtimin e atij objekti.

“Dy ish-inspektorët, i kanë ndryshuar deklaratat e tyre duke thënë se ata kanë qenë të suspenduar për këtë objekt a në realitet ata janë suspenduar dy muaj për shkak të tri objekteve tjera në Lipjan pasi që është kërkuar nga ta që të lëshojnë një raport për ato tri objekte për devijimin e vijës urbanistike dhe ata kanë lëshuar konstatimin se është duke u ndërtuar në rregull edhe pse nga drejtoritë tjera është konstatuar se vija urbanistike tek ato tri objekte është devijuar. Unë me përpikëri kam zbatuar ligjin dhe kam marr masat ndaj ish-inspektoreve Jashanica dhe Bikliqi” , tha Rizani.

Pas përfundimit të marrjes në pyetje së të akuzuarve, i akuzuari Shukri Buja tha se dëshiron që propozon prova dhe dëshmitarë të rinj për këtë proces.

“Si prova i propozojmë gjykatës të gjithë dokumentacionin e shpenzimeve të KF Ulpiana, dhe do të ftojmë drejtorin e klubit, Besim Rrustemi, i cili ka qenë edhe objekt i hetimeve nga prokuroria dhe i cili po ashtu ja ka dorëzuar prokurorisë të gjithë dokumentacionin. Do të sjellim provë, kontratën e shitblerjes të objektit për të cilën akuzohem se e kam dhënë me qira. Po ashtu, nëse do të na përgjigjet ekzekutivi komunal, do të sjellim si provë procesverbalin e mbledhjes së kuvendit komunal, ku është marr vendim për eksproprijimin e pronave të Ferronikelit. Do të sjellim një dokument tjetër të veprimit të kuvendit komunal, identik me këtë vendim për vitet paraprake, për eksproprijimin e pronave nga Kuvendi Komunal për Aeroportin e Prishtinës. Po ashtu do të kërkojmë edhe vendimin nga mbledhja e kuvendit komunal ku është formu komisioni për legalizimin e lagjes së Akllapit. Do të mundohem të sigurojë dokumentacion nga Ferronikeli i cili do të vërtetoje se prona/rruga e kategorisë së tretë, që është shpronësuar dhe e cila është zëvendësuar me asfaltimin e rrugës në pronësi të Ferronikelit, rrugë regjionale. Do të sjell dokumentacion se nuk është dëmtuar kuvendi komunal por ka përfituar nga Ferronikeli. projektin e Ferronikelit për investim në kanalizm ku kanë përfituar Magurja dhe tri fshatra tjera, donacione për KF Ulpiana etj.”, ishin propozimet e Bujës për gjykatën.

E këto propozime u kundërshtuan nga prokurori Bajrami i cili tha se të njëjtat nuk përmbajnë asnjë arsyetim të qartë ligjor se çka do të provojnë  dhe për më tepër, konsideron se marrja e provave të tilla është e panevojshme dhe e tepërt sepse çështja sipas tij është e njohur në vija të përgjithshme dhe se kërkesa, sipas prokurorit, po bëhet për qëllim të zvarritjes së procedurës.

“Meqenëse këto propozime unë i bërë në fillim të gjykimit të sotëm, kërkoj që këto prova të trajtohen sipas nenit 345 e jo 348” , e plotësoi klientin e tij, avokati Koci.

Lidhur me këto propozime, gjyqtari Kalludra e pyeti të akuzuarin Buja se pse nuk i ka propozuar më herët pasi siç tha, rezulton se këto rrethana kanë qenë të njohura që nga fillimi i kësaj procedure penale.

“Kam besuar se kjo do të sqarohet pa këto prova plotësuese dhe do të kuptohet drejtë se s’ka të bëj asgjë me korrupsionin sepse sëkam marr asnjë cent kurrë. Kam shpresu që avokatja e komunës do të deklarohet se nuk janë palë e dëmtuar”, u përgjigj Buja.

Pas që u tërhoqën për konsultim dhe votim, trupi gjykues mori aktvendim me të cilin i refuzuan të gjitha propozimet e Bujës për faktin se, siç tha gjyqtari Kalludra, për të gjitha këto prova i akuzuari ka qenë në dijeni për ekzistimin e tyre dhe se trupi gjykues vlerëson se këto propozime janë bërë me qëllim të zvarritjes së procedurës penale.

Seanca e radhës ku palët pritet të japin fjalët e tyre përfundimtare për këtë proces, u caktua të mbahet, më 16 shtator 2020 nga ora 13:00.

Ish-kryetari i Lipjanit, Shukri Buja, më 5 nëntor 2018, ishte dënuar me tre vjet burgim efektiv, pasi ishte shpallur fajtor për veprën penale, keqpërdorim i detyrës zyrtare në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje.

Për keqpërdorim të pozitës zyrtare, fajtorë ishin shpallur edhe të akuzuarit e tjerë në këtë rast, Nebih Zeqiri, i cili ishte dënuar me dy vjet e gjashtë muaj burgim, Halit Gashi me gjashtë muaj burgim, Edmond Rexhepi ishte dënuar me gjashtë muaj burgim, Bajram Rizani me gjashtë muaj burgim, kurse Hasim Viseshella ishte shpallur fajtorë për marrje ryshfeti dhe ishte dënuar me pesë muaj burgim.

Ndërsa, ishin liruar nga akuzat, Magbule Sadiku, Burim Kodra si dhe Driton Avdiu, kurse ndaj biznesmenit Fahri Retkoceri, aktgjykim lirues ishte marrë për veprën penale, punimet ndërtimore të kundërligjshme.

Gjykata e shkallës së parë, kishte nxjerrë aktgjykim refuzues për të akuzuarit Buja dhe Zeqiri, për katër pika të aktakuzës, sa i përket veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare për shkak se kishte vlerësuar se ka arritur afati i parashkrimit.

Për të njëjtën arsye, kalimin e afatit të parashkrimit, Themelorja kishte refuzuar edhe pikat II.3 dhe II.2 të aktakuzës, ku Buja akuzohej për veprat penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, marrjes së ryshfetit dhe ushtrimit të ndikimit, kurse Retkoceri akuzohej për veprën penale të dhënies ryshfetit.

Mirëpo, pas ankesave të ushtruara nga ana e Prokurorisë Speciale dhe mbrojtësve së të akuzuarve, Gjykata e Apelit më vendimin e marrë më 12 qershor 2019, e kishte anuluar këtë aktgjykim të Themelores dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Sipas Apelit, aktgjykimi është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ngase dispozitivi i tij është i pakjartë për shkak se pjesa dënuese është në kundërshtim me pjesën liruese dhe atë refuzuese.

Kjo, pasi siç kishte vlerësuar Apeli, nga një gjendje e njëjtë faktike për të akuzuarin Shukri Buja, gjykata e shkallës së parë, për disa vepra e ka shpallur fajtor dhe i ka shqiptuar dënim, ndërsa, për disa ka nxjerrë aktgjykim refuzues me arsyetim se ka arritur parashkrimi absolut e për disa tjera ka nxjerrë edhe aktgjykim lirues, edhe pse sipas Apelit, kemi të bëjmë me një gjendje të njëjtë faktike dhe periudhë të njëjtë kohore për të cilën akuzohet se i ka kryer veprat penale.

Siç thuhet në aktvendimin e Apelit, shkalla e parë nuk ka specifikuar as dëmin e shkaktuar nga të akuzuarit si dhe ka dështuar të vërtetojë edhe elementin e dashjes.

Në rigjykim, Apeli e ka udhëzuar Themeloren që të vërtetojë dëmin e shkaktuar nga të akuzuarit si dhe të merr parasysh pretendimet e ankimore lidhur me parashkrimin absolut të veprave penale.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ngarkon ish-kryetarin e Lipjanit, Shukri Buja, Nebih Zeqiri – zyrtar për çështje pronësore në zyrën e Kryetarit të Komunës së Lipjanit, Halit Gashi – në cilësinë e drejtorit të  Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan, Magbule Sadiku – zyrtare në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan, se në kundërshtim me dispozitat ligjore, kanë ndërmarrë veprime për shpronësimin, eksproprijimin dhe më pas kanë tjetërsuar pronat shoqërore dhe komunale, në dobi të “Neë Co Ferronikel Complex L.LC”.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri Shukri Buja, në kundërshtim me Ligjin për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme ka caktuar komisionin për vlerësimin e paluajtshmërive, edhe pse ky vlerësim është në kompetencë të nivelit qendror. Lidhur me punën e këtij komisioni, i pandehuri Buja sipas aktakuzës  iu ka drejtuar “Neë Co Ferronikel Complex L.LC”, nga i cili ka kërkuar pagesën për punën e komisionit në shumës prej 21.500 euro, dhe atë në llogarinë e cila ka rezultuar të jetë e të pandehurit, Nebih Zeqiri.

Tutje, Buja pretendohet se duke tejkaluar kompetencat zyrtare, në emër të Komunës së Lipjanit ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi më “Neë Co Ferronikel Complex L.LC”. Në bazë të këtij memorandumi siç thuhet në aktakuzë, Buja i ka dhënë me qira “Neë Co Ferronikel Complex L.LC” një objekt komunal në afat prej 10 vjet, me çmimin prej 1 euro, me të cilat veprime i ka shkaktuar dëm Komunës së Lipjanit.

Në një rast tjetër, Prokuroria pretendon se të pandehurit Shukri Buja dhe Nebih Zeqiri, duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar, në kundërshtim me ligjin kanë nënshkruar marrëveshje për kompensimin e paligjshmërisë së eksproprijuar me “Neë Co Ferronikel Complex L.LC”, për parcelën me 0.94,75 ari. Me kërkesë të të pandehurve, mjetet nga kjo marrëveshje, në shumën prej 39.795 euro, janë paguar në llogarinë rrjedhëse të klubit futbollistik “Ulpiana”. Sipas prokurorisë, e njëjta procedurë dhe e njëjta mënyrë e eksproprijimit dhe shpronësimit të ngastrave tjera, është përdorur edhe në raste tjera, e të cilat mjete janë transferuar në llogarinë bankare të klubit futbollistik “Ulpiana”.

Prokuroria i ngarkon të akuzuarit Shukri Buja, Nebih Zeqiri, Halit Gashi, në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan dhe Magbule Sadiku – zyrtare në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan, se në kundërshtim me dispozitat ligjore kanë nxjerrë urdhëresë për regjistrimin dhe bartjen e pronës në mënyrë të kundërligjshme, në emër të “Neë Co Ferronikel Complex L.LC”.

I pandehuri Fahri Retkoceri, akuzohet për veprat penale “punime ndërtimore të kundërligjshme” dhe “dhënie e ryshfetit”. I pandehuri Retkoceri akuzohet se ka filluar ndërtimin e një objekti kolektiv-banesor, pa u pajisur me leje ndërtimi.

I pandehuri Hasim Viseshella – në cilësinë e shefit të sektorit në Drejtorinë e Planifikimit dhe Urbanizmit dhe Mbrojtjen e Mjedisit në Komunën e Lipjanit dhe i pandehuri Edmond Rexhepi-Drejtor për Planifikim dhe Urbanizëm në komunën e Lipjanit, ngarkohen me veprat penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe “marrje e ryshfetit”, për faktin se kanë lëshuar leje ndërtimi për të pandehurin, Fahri Retkoceri.

Të akuzuarit, Driton Avdiu dhe Burim Kodra, akuzohen për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Prokuroria, pretendon se dy të akuzuarit në cilësi të inspektorëve komunalë, me rastin e inspektimit në ndërtimin e objektit banesor nga i pandehuri, Fahri Retkoceri, nuk i kanë ndërmarrë masat për pezullim të punimeve.

Ndërsa, i pandehuri Bajram Rizani – në cilësinë e drejtorit në Drejtorinë e Inspekcionit në Komunën e Lipjanit, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, duke qenë në dijeni se i pandehuri, Fahri Retkoceri, po ndërtonte objekt pa leje, nuk ka kërkuar nga vartësit e tij pezullimin e ndërtimit të objektit, me çka akuzohet për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.