Trump dhe Biden: Politika të kundërta për Iranin

trump-dhe-biden:-politika-te-kunderta-per-iranin

Presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe sfiduesi i tij kryesor, Joe Biden, kanë mendime të ndryshme për marrëveshjen bërthamore me Iranin dhe për aspektet e tjera të politikës ndaj Republikës Islamike, andaj rezultati i zgjedhjeve të 3 nëntorit në SHBA mund të luajë rol të fuqishëm në Iran, në vitet që do të vijnë.

Trump, i cili kërkon rizgjedhje dhe vjen nga Partia Republikane, dëshiron të mbajë sanksione të fuqishme ekonomike kundër Iranit, në përpjekje për ta bindur atë që të ringeociojë marrëveshjen bërthamore ndërkombëtare, e cila, sipas tij, ka të meta dhe kërcënon sigurinë e SHBA-së.

Kandidati i Partisë Demokratike për president të SHBA-së, Joe Biden, i cili ka punuar në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 derisa ka qenë nënpresident në administratën e Barack Obamës, thotë se politika e Trumpit për “presion maksimal” ndaj Iranit “ka dështuar keq”, duke e provokuar udhëheqjen e Teheranit dhe duke e minuar stabilitetin.

Marrëveshja e negociuar gjatë midis fuqive të mëdha globale dhe Teheranit, e njohur me shkurtesën JCPOA, synon t’ia vështirësojë Iranit zhvillimin potencial të armës bërthamore. Në bazë të saj, Irani është pajtuar t’i kufizojë aktivitetet bërthamore – në këmbim, komuniteti ndërkombëtar ia ka lehtësuar sanksionet.

Trump e ka tërhequr SHBA-në nga marrëveshja në vitin 2018 dhe ka vendosur sanksione të rrepta ekonomike kundër Iranit. Që nga ajo kohë, ekonomia e Iranit është dobësuar, vlera e monedhës së tij është në rënie dhe Uashingtoni dhe Teherani i janë afruar konfliktit ushtarak në dy raste.

Irani ka hedhur raketa në një bazë të ushtrisë amerikane në Irakun fqinj, në janar të këtij viti, në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e gjeneralit Qasem Soleimani – komandant që drejtonte forcën elitë të Iranit Kuds – në një sulm të SHBA-së.

Disa muaj më herët, në qershor të vitit 2019, Trump ka thënë se ka anuluar në minutën e fundit një sulm ushtarak, që do të godiste tri lokacione në Iran, në shenjë hakmarrjeje për rrëzimin e një droni amerikan nga Teherani. Trump ka thënë se e ka anuluar sulmin nga shqetësimi se mund të vriteshin shumë njerëz.

Biden ka thënë se është i përgatitur për të ndjekur një drejtim më diplomatik me Iranin dhe, nëse Irani u kthehet obligimeve të tij, SHBA-ja do t’i ribashkohet marrëveshjes JCPOA, e cila nga mbështetësit është cilësuar ndoshta si arritja më e madhe e administratës Obama në politikën e jashtme.

“Ekziston një mënyrë e zgjuar për t’iu kundërvënë [Teheranit] dhe një mënyrë vetëshkatërruese. Qasja e Trumpit është kjo e fundit”, ka thënë Biden në janar të këtij viti, kur tensionet SHBA-Iran ishin të larta.

Aleatët evropianë të Uashingtonit janë duke bërë përpjekje për ta shpëtuar marrëveshjen bërthamore.

Mandati i dytë i Trumpit ka të ngjarë të shënojë shkatërrimin e saj, thonë analistët, por edhe fitorja e Bidenit mund të mos jetë e mjaftueshme për të zgjidhur problemet e shkaktuara.

Biden dhe Trump pritet të përplasen rreth politikës në Iran më 26 shtator, kur të përballen në debatin e parë të drejtpërdrejtë, nga tre të tilla që do të mbahen deri në zgjedhje.

“Marrëveshja më e keqe ndonjëherë”

Politikat e Trumpit ndaj Iranit duket se nuk kanë qenë të papritura për Teheranin.

Gjatë fushatës së tij në zgjedhjet e vitit 2016, Trump ka premtuar se do ta tërheqë SHBA-në nga marrëveshja JCPOA, emri zyrtar i së cilës është Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit.

Në kuadër të marrëveshjes, Irani ka rënë dakord që të ndalojë pasurimin e uraniumit dhe rezervat e tij për 15 vjet, si dhe t’iu lejojë vëzhguesve ndërkombëtarë të verifikojnë veprimet e tij në përputhje me marrëveshjen.

Në këmbim, Shtetet e Bashkuara janë pajtuar që t’i lehtësojnë sanksionet dhe të zhbllokojnë 150 miliardë dollarë fonde të Iranit, që mbahen në bankat në të gjithë botën.

Përveç Shteteve të Bashkuara, nënshkruesit e tjerë të marrëveshjes përfshinin anëtarët e tjerë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara: Rusinë, Kinën, Britaninë dhe Francën, si dhe Gjermaninë dhe Bashkimin Evropian.

Trump e ka cilësuar marrëveshjen si “më të keqën ndonjëherë”. Ai ka thënë se Irani do t’i përdorë paratë që vijnë si rezultat i lehtësimit të sanksioneve, për të financuar aktivitetet e tij terroriste në të gjithë Lindjen e Mesme.

Aktivitetet e Iranit jashtë vendit përfshijnë: vendosjen e këshilltarëve dhe luftëtarëve ushtarakë në Siri, për të mbështetur Qeverinë e presidentit sirian, Bashar al-Assad, në luftën atje; shitjen e armëve të përparuara te rebelët Huthi të Jemenit, që luftojnë kundër qeverisë së mbështetur nga Arabia Saudite; financimin e grupit militant të Hezbollahut në Liban, si dhe nxitjen e protestave kundër Shteteve të Bashkuara në Irak.

Trump po ashtu e ka kritikuar JCPOA-në për përfshirje të kufizimeve që skadojnë, duke thënë se ato i hapin rrugë Iranit që, në fund të fundit, të zhvillojë armë bërthamore. Sipas Trumpit, JCPOA nuk e adreson as programin me raketa balistike të Iranit.

Trump ka thënë se tërhiqet nga marrëveshja për ta detyruar Teheranin që të negociojë një marrëveshje të re, e cila do t’i adresonte shqetësimet e tij.

Por, Irani nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të bërë marrëveshje të re. Në vend të saj, ai ka njoftuar se do të intensifikojë punën në programin e tij bërthamor, në shkelje të JCPOA-së.

Dhe, nuk ka kaluar shumë kohë dhe tensionet janë përshkallëzuar. /REL

The post Trump dhe Biden: Politika të kundërta për Iranin appeared first on Rahovecnews.net.