VV edhe njëherë kundër marrëveshjeve në SHBA, Haxhiu: Nuk do t’i zbatojmë

vv-edhe-njehere-kunder-marreveshjeve-ne-shba,-haxhiu:-nuk-do-t’i-zbatojme

Ajo në emisionin Debat Plus në TV Dukagjini ka thënë se delegacioni i Kosovës hoqi dorë nga pavarësia në Uashington.

“Këta shkuan për të kërkuar njohjen nga Serbia e hoqën dorë vetë nga njohja pasi heqja dorë nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare nënkupton heqje dorë nga pavarësia e Kosovës. Nuk mund ta përfaqësoj një kryeministër legjitim Kosovën në asnjë marrëveshje. Secila marrëveshje që do të nënshkruhet prej Hotit nuk do të zbatohet nga Lëvizja Vetëvendosje”, u shpreh Haxhiu.

Ajo ka theksuar se pikat e zotuara në SHBA mund të bëhen tema në Bruksel, por se Lëvizja Vetëvendosje këto çështje nuk do t’i dërgojë në Kushtetuese pasi sipas saj, ato janë vetëm zotime dhe jo marrëveshje.

“Ne nuk e dimë se çfarë ka diskutuar Hoti në Bruksel. Nuk e dimë nëse ka biseduar për Zajednicën e cila në 23 nene kundërshtohet nga Gjykata Kushtetuese. Këta edhe kur shkojnë, nuk e dinë për çfarë shkojnë, por edhe kur flasin, nuk e dinë se për çfarë flasin”, ka thënë Haxhiu.

Ndërsa nënkryetari i Vetëvendosjes Besnik Bislimi tha se pas marrëveshjes së Uashingtonit, Kosova është një hap më larg nga njohja e Serbisë.

“Ju iu jemi dorëzuar Serbisë me faktin që keni nënshkruar një moratorium për mos anëtarësim në organizatat ndërkombëtare”, ka thënë ai.