Osmani: Kosova s’ka lumenj për të falur

osmani:-kosova-s’ka-lumenj-per-te-falur

Përmes një postimi në Facebook, ajo ka shkruar se Kosova ka rezerva të pamjaftueshme ujore dhe se nuk ka lumenj për të falur.

Postimi i plotë:

Në kuadër të Vizitave të Gjelbra, dje ishim në Deçanin e Lumbardhit, Bjeshkës së Belegut e të trashëgimisë tonë jashtëzakonisht të çmueshme natyrore! Nuk është hera e parë që jam në Deçan, por këtë herë si asnjëherë më parë e kuptova nga për së afërmi vuajtjen mjedisore të këtij vendi dhe pasojat pothuajse të parikuperueshme në natyrë që janë shkaktuar nga mos menaxhimi i duhur i përgjegjësve.

Në pikën e njohur si “Zalli i Rupës”, vendi ku ishte premtuar se do të ndërtohej rezervuari i liqenit akumulues, vendi që ishte i bekuar me freskinë e lumit e gjelbër të pashoq, tash dominon thatësira dhe për më tepër, nuk ka shenjë të angazhimit për të përmbushur premtimin e dhënë e për ta rivitalizuar këtë hapësirë. Dëshmi e mjaftueshme për kërkim të llogaridhënies nga akterët përgjegjës, si dhe dëshmi e mjaftueshme që institucionet tona të veprojnë konform përgjegjësisë institucionale, ligjore e kushtetuese!

Gjatë kësaj vizite u konfirmua që zëri i aktivistëve mjedisor nuk guxon kurrsesi të shuhet dhe ne e kemi për obligim ta mbrojmë atë, sepse në mungesë të një përgjegjësie institucionale tash e sa vite, ishte zëri i qytetarëve që arriti të kthej ujin në damarët e Lumbardhit në pjesë që për vite i kishte zaptuar thatësira.

Por ne s’guxojmë të mjaftohemi me kaq, sepse mbrojtja e Lumbardhit të Deçanit si dhe lumenjve të tjerë, është mbrojtje e florës dhe faunës, është mbrojtje e traditës dhe mënyrës së jetesës për komunitetin që jeton pranë lumit dhe gjithë Deçanasit, është përfundimisht mbrojtje e shëndetit të natyrës e rrjedhimisht edhe e shëndetit tonë.

Unë dua të shoh zhvillim ekonomik në vendim tim, por kurrsesi në dëm të natyrës! Kosova ka rezerva të pamjaftueshme ujore dhe ne përfundimisht nuk kemi lumenj për të falur, prandaj Kuvendi i Kosovës do të jetë gjithnjë me qytetarët në mbrojtje të tyre! /Rahovecnews.net/