Maratona e parë e Prishtinës shndërrohet në garë virtuale

maratona-e-pare-e-prishtines-shnderrohet-ne-gare-virtuale

Në edicionin e 20-të të ngjarjes kryesore të atletikës në vend, Gjysmëmaratona e Prishtinës është planifikuar të rritet në Maratonë. Por edicioni jubilar i ra të mbahet në vitin me shumë probleme të shkaktuara nga COVID-19. Kështu në Maratonën e parë të Prishtinës nuk do të vrapohet rrugëve të kryeqytetit të vendit.

Organizatorët kanë vendosur këtë javë që Maratonën e Prishtinës ta kthejnë në garë virtuale. Ndonëse nuk është caktuar saktësisht mënyra se si do të mbahet Maratona virtuale, është e qartë se Maratona e rregullt nuk do të mbahet.

Maratona e parë e Prishtinës është dashur të mbahej fillimisht më 19 prill. Ishin javët e para pas paraqitjes së koronavirusit dhe ngjarja më e madhe ndërkombëtare në sportin kosovar u shty për në shtator. Termini i ri u caktua për 27 shtator, me shpresë se deri në shtator situata me COVID-19 do të përmirësohej.

Por kjo nuk ka ndodhur dhe tani organizatorët kanë vendosur për një maratonë virtuale më 27 shtator.

Maratona është vrapim në 42 kilometra e 195 metra. Në 19 edicionet e deritashme, në Prishtinë është vrapuar vetëm në gjysmëmaratonë (21 kilometra), si dhe në distanca më të shkurtra. Plani ishte që për edicionin e 20-të të startohej me maratonë të plotë.

Këtë vit është planifikuar të ketë garë edhe në ecje 2 kilometra për të rinj, garë për persona me aftësi të kufizuara, vrapim në 5 kilometra, 10 kilometra dhe gjysmëmaratonë.

The post Maratona e parë e Prishtinës shndërrohet në garë virtuale appeared first on RahovesNews.