Osmani e Hoti përplasen përsëri në Kuvendin e Kosovës

osmani-e-hoti-perplasen-perseri-ne-kuvendin-e-kosoves

Kryetarja e Parlamentit dhe Kryeministri i Kosovës – përkundër se vijnë nga një parti politike – edhe në seancën e sotme janë përplasur, këtë herë për shkak të dialogut me Serbinë.

Vjosa Osmani, që marrëdhëniet me Avdullah Hotin i ka acaruar prejse Lidhja Demokratike e Kosovës një herë e prishi koalicionin me Vetëvendosjen e më pas e largoi Osmanin nga pozita e nënkryetares, meqë kjo ishte kundër rrëzimit të Qeverisë, përsëri e ka quajtur Hotin jo kompetent për dialogun dhe të papërgatitur.

“Nuk ka përgatitje themelore për dialogun”, ka deklaruar Osmani, pos tjerash.

“Kërkoj nga ju të merrni përgjegjësi, mos u fshihni prapa Skënder Hysenit. Përfaqësojeni Kosovën me dinjitet. Sepse tri parimet kryesore janë; përgatitja, përgatitja , përgatitja”, tha kryeparlamentarja.

Osmani e ka shpjeguar edhe pozitën e Hysenit, i cili është koordinator shtetëror i emëruar nga Hoti për dialog me Serbinë.

Ka thënë se t’i delegohen atij të drejta për dialogun nuk është në pajtim me Kushtetutën.

Asaj i është kundërpërgjigjur Hoti.

Kryeministri është shprehur se Osmani ia mbush mendjen kur flet për çështjet juridike, prandaj nuk po e kupton pse ajo po i interpreton gjërat gabim.

“Kur flet ajo për çështje juridike e dëgjoj me vëmendje, sepse besoj se flet me kompetencë. Por, ajo ose me qëllim, ose për shkak të lëshimeve, ose ndoshta edhe nuk e din, por e keqinterpretojë komplet aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Hoti.

“Koordinatori është person kontaktues dhe koordinues në emër të kryeministrit me të gjitha palët sa i përket dialogut. Asnjë kompetencë tjetër nuk e ka koordinatori për dialog”.

Në këtë debat mes Osmanit e Hotit është përzier edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.

Ajo i ka thënë Osmanit, përse dikur e lëvdoje Hotin e tash po thua se është i papërgatitur.

Osmani e ka falënderuar Musliun për këtë pyetje, ndërsa përgjigje ka thënë me anë të një “meseleje popullore”.

Siç thotë populli; duhet ta hash një thes krip për ta njohur dikë mirë”.