Vuçiq: Pres angazhim më të fuqishëm të SHBA-së në dialog

vuciq:-pres-angazhim-me-te-fuqishem-te-shba-se-ne-dialog

Duke folur për negociatat midis Kosovës dhe Serisë, të cilat do të vazhdojnë të enjten në Bruksel në nivel ekspertësh, Vuçiq tha për Radio-Televizionin e Serbisë se “hapësira e Serbisë për manovrim do të zvogëlohet”.

“Ne nuk iu kundërvihemi shqiptarëve atje. Është njësoj sikur të flisni me shqiptarët, ose me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara. Ata mendojnë njësoj dhe të gjithë e duan Kosovën e pavarur”, tha Vuçiq.

“Në një moment do të jemi nën presion, por ma lini mua, unë jam veteran politik, e di se cilat janë pasojat për mua, por do ta mbroj vendin, jo veten time”, tha ai.

Javën e kaluar, Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, janë takuar në Bruksel me ndërmejtësimin e përfaqësuesve të lartë të BE-së.

Ka qenë ky takimi i parë i drejtpërdrejtë midis përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë qysh në fund të vitit 2018.

Atëbotë, bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve janë ndërprerë për shkak të një takse që u ka vënë Kosova prodhimeve të importura nga Serbia.

Taksa, ndërkohë, është zëvendësuar me masa reciprociteti, por këto të fundit janë hequr me ardhjen e Hotit në pushtet, në fillim të qershorit, për t’i hapur rrugë, siç është thënë, vazhdimit të dialogut.

Një takim midis Kosovës dhe Serbisë, i paraparë të mbahej në Shtëpinë e Bardhë, në fund të qershorit, nën organizimin e të dërguarit të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, nuk është mbajtur, pasi paraprakisht Prokuroria Speciale në Hagë ka njoftuar se ka paraqitur aktakuzë për krime lufte kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili duhej të merrte pjesë në atë takim.

Grenell ka paralajmëruar organizimin e një takimi tjetër të ngjashëm, por nuk ka dhënë ndonjë datë konkrete.