Pacolli “shpërthen” ndaj kryeministrit Hoti, e quan “këlysh i Thaçit”

pacolli-“shperthen”-ndaj-kryeministrit-hoti,-e-quan-“kelysh-i-thacit”

Përmes një postimi në Facebook, Pacolli thotë se “heqja dorë edhe pa afat nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare dhe angazhimi për njohje të reja rrezikon të bëhet një fusnotë e dytë që do të përcjell Kosovën edhe për shumë vite tjera”.

Postimi i plotë i Pacollit pa ndërhyrje:

Drejt në fusnote të dytë…

Heqja dorë nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare dhe angazhimi për njohje të reja përbën një akt të paprecedent në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Heqja dorë edhe pa afat nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare dhe angazhimi për njohje të reja rrezikon të bëhet një fusnotë e dytë që do të përcjell Kosovën edhe për shumë vite tjera.

Në vitin 2012, Thaçi dhe e deleguara e tij në dialog, Edita Tahiri, reduktuan Republikën e Kosovë në Kosovo*. U tha se fusnota do të shkrihet si një fluskë bore e cila asjëherë nuk u shkri përkundër verave të nxehta dhe dimrave të butë.

9 vjet pas, qershor 2020, Thaçi dhe këlyshi tij Hoti bënë një hap tutje. Për interesat e Vuçiqit dhe shefit të tij Thaçit, Hoti hoqi dorë nga aplikimi për anëtarësim në organizata ndërkombëtare sic e tha “deri me datë 27 qershor 2020”. Sot jemi 20 korrik 2020 por nuk ka akoma asnjë deklarim nga asnjëri rreth këtij pezullimi.

Dje, shefi i diplomacisë së Serbisë, Ivica Daçiq, tha se “Prishtina … është zotuar të mos bëjë fushatë për njohje dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”. Ai konfirmoi se edhe Serbia ka pezulluar fushatën për çnjohjen e Kosovës ani pse ai po vazhdon të falenderoj shtetet që janë kundër pavarësisë së shtetit të Kosovës. Më 26 qershor, Daçiqi falenderoi Algjerinë. Por, në fund të fundit, pse do të vazhdonte Serbia me një fushatë të tillë kur Qeveria ilegale e Kosovës po bënë me zell punën e Serbisë “në shenjë të vullnetit të mirë”?!

Deklarimi i Ivica Daçiqit vuri në pah dy gjëra: 1) se heqja dorë nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare nuk paska afat; dhe 2) Kryeministri ilegal nuk qenka zotuar të heq dorë vetëm nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare por edhe nga angazhimi për njohje të reja të shtetit të Kosovës.

Pas gjithë kësaj z. Hoti e ka obligim të jap sqarim se deri kur vlenë pezullimi? A është hequr dorë vetëm nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare apo edhe nga njohjet e reja?. /Rahovecnews.net/