Vrau vëllain e gruas para gjashtë vjetësh, caktohet super-ekspertizë psikiatrike për të dyshuarin

vrau-vellain-e-gruas-para-gjashte-vjetesh,-caktohet-super-ekspertize-psikiatrike-per-te-dyshuarin

Të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka vazhduar rigjykimi ndaj të akuzuarit për vrasjen e mikut, Ekrem Junuzi.

Ai po akuzohet se më 8 mars të vitit 2014, në Prishtinë, për shkak të një mosmarrëveshje që kishte pasur me bashkëshorten e tij, e ka privuar nga jeta vëllain e saj, Bastri Krasniqi.

Lexo Edhe:

Vaksina eksperimentale për Covid-19 stimulon sistemin imunitar thonë shkencëtarët

Lidhur me këtë akuzë, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 25 shtator 2017, Junuzin e kishte shpallur fajtor për vrasje të rëndë e armëmbajtje pa leje dhe të njëjtin e kishte gjykuar me 25 vjet burg efektiv, por për shkak të shkeljeve, Gjykata e Apelit rastin e kishte kthyer në rigjykim.

Gjatë gjykimit të parë janë nxjerrë tri ekspertiza psikiatrike, me të cilat është konstatuar gjendja mendore e të akuzuarit, por të njëjtat kanë qenë kundërthënëse me njëra tjetrën, pasi që kishin dhënë konstatime të ndryshme.

Në seancën e mbajtur të mërkurën, mbrojtësi i të akuzuarit Junuzi, avokati Aziz Rexha propozoi që të nxirret super-ekspertiza, e cila sipas tij do të hiqte të gjitha kundërthëniet e paraqitura në tri ekspertizat e deritanishme.

Ndërkaq prokurori Armend Hmaiti nuk e kundërshtoi një propozim të tillë, pasi që sipas tij ekspertiza e tretë do të duhej të ishte super-ekspertizë, bazuar në praktikën e deritanishme.

Pas këshillimit dhe votimit, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Vesel Ismaili, me anëtarë Isuf Makolli e Naser Foniqi, vendosi që të aprovoj propozimin e avokatit Rexha.

Për këtë seancë, gjykata kishte ftuar ekspertët të cilët kishin hartuar ekspertizën e fundit, por pas propozimit të avokatit Rexha, nuk u bë dëgjimi i tyre.

Kjo seancë filloi rishtazi për shkak të ndryshimit të përbërjes së trupit gjykues, pasi që sipas gjykatësit Ismaili, anëtarja e deritanishme e trupit gjykues, Naime Krasniqi–Jashanica, nuk është paraqitur fare për seancë dhe nuk ka dhënë ndonjë arsye për këtë.

Seanca e radhës pritet të mbahet pas nxjerrjes së super-ekspertizës psikiatrike.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 25 shtator 2017, Junuzin e kishte shpallur fajtor për veprat penale, vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje dhe të njëjtin e kishte gjykuar me 25 vjet burg efektiv.

Mirëpo, pas ankesës së mbrojtjes së Junuzit, në shkurt të vitit 2018, Gjykata e Apelit e kishte kthyer këtë çështje në rigjykim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Edhe pas rigjykimit, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 10 qershor 2019, Junuzin sërish e kishte shpallur fajtor. Për vrasje të rëndë, Junuzi ishte dënuar me 24 vjet burgim ndërsa për armëmbajtje pa leje me një vit e gjashtë muaj burgim, kurse, 25 vjet burg kishte qenë dënimi unik i shqiptuar ndaj tij nga gjykata.

E sërish e pakënaqur me vendimin e shkallës së parë kishte qenë mbrojtësi i të akuzuarit i cili kishte ushtruar sërish ankesë.

Lidhur me pretendimet ankimore, Gjykata e Apelit në tetor të vitit 2019 këtë rast e kishte kthyer në rigjykim, me qëllim që të vërtetohet motivi i vrasjes, se a janë raportet jo të mira me bashkëshorten e tij, me djalin apo me mikun.

Me qëllim të evitimit të shkeljeve Apeli kishte marr vendim që kjo çështje të kthehet në rigjykim.

Kundër aktgjykimit të Themelores, nuk kishin ushtruar ankesë as Prokuroria Themelore në Prishtinë e as palët e dëmtuar në këtë rast.

Ekrem Junuzi, akuzohet se më 8 mars të vitit 2014, në Prishtinë, për shkak të një mosmarrëveshje që kishte pasur me bashkëshorten e tij, e ka privuar nga jeta vëllain e saj, Bastri Krasniqi.

Sipas aktakuzës, Junuzi pasi që ka tentuar të gjej zgjidhje për këto mosmarrëveshje me Bastri Krasniqin, vëllain e bashkëshortes në një kafiteri të Prishtinës, ku prezent kanë qenë edhe djali dhe vëllai i të pandehurit dhe derisa të njëjtit ishin duke u kthyer nga kafiteria, më të arritur tek shtëpia e vëllait të Junuzit, i pandehuri ka dal nga vetura e tij dhe iu ka afruar veturës së djalit të tij ku gjendej Bastri Krasniqi, ka hapur derën e veturës dhe me dashje që ta privoi nga jeta e ka shtënë tre herë me armë zjarri, në drejtim të tashmë të ndjerit, në pjesë të ndryshme të trupit.

Si pasojë e këtyre të shtënave, Krasniqi kishte mbetur i vdekur, derisa një plumb e kishte goditur në këmbë edhe vëllain e tij, Fejzi Junuzin, të cilit i është shkaktuar lëndim i rëndë trupor.