Çfarë nga dhe pas Samitit të Parisit?

cfare-nga-dhe-pas-samitit-te-parisit?

Ky samit, i thirrur nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron gjithashtu nën prezencën e kancelares gjermane Angela Merkel nuk dha diçka të prekshme në përfundim, shkruan Rahovecnews.net.

Kosova dhe Serbia në këtë samit paraqitën qëndrimet e tyre karshi dialogut dhe u pajtuan në mënyrë të brishtë që të fillojnë bisedimet më 12 korrik e takimin e parë ta realizojnë më 16 korrik.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në këtë takim paraqiti objektivat e Kosovës në dialog, përfshirë marrëveshjen me njohje reciproke, mos-prekjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, vendosjen e drejtësisë për luftën e fundit në Kosovë dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata të huaja.

Hoti në Samitin e Parisit: Pa njohje reciproke, nuk ka marrëveshje me Serbinë

Në anën tjetër, Vuçiq u shpreh i zhgënjyer nga qëndrimet e Kosovës në dialog dhe tha se Kosova ka pasur kërkesa të rënda.

“Pala shqiptare ka dalë me kërkesa që janë: ruajtja e integritetit territorial dhe kushtetues të Kosovës, njohja e qëndrueshme të ndërsjellë dhe jo modelin e dy Gjermanive, anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe që shtetet tjera ta pranojnë Kosovën, e pastaj do të merren me çështjet e të zhdukurve dhe dëmet e luftës. Unë kam thënë se e gjitha kjo është e pakuptimtë, se jam i gatshëm të flasim dhe të bëjmë hapa të vegjël”, ka thënë presidenti i Serbisë.

Vuçiq: Ky ishte ultimatumi i Kosovës në samitin e Parisit

Por çfarë dha ky samit dhe çfarë mund të pritet nga dialogu midis Kosovës dhe Serbisë në të ardhmen?

Njohësi i çështjeve politike, Shkodran Ramadani thotë për Rahovecnews.net, se ky takim e ka relaksuar situatën. Sipas tij, ishte moment i mirë për rinisjen e dialogut dhe BE mund ta kapitalizojë humbjen e momentumit të SHBA-ve në dialog.

“Kjo pak e shtensionon situatën që është krijuar pas deklaratës së Prokurorit Special me pretendimet për aktakuza ndaj Thaçit dhe Veselit dhe kur u mendua se gjithçka u rrënua, ishte ky moment i mirë që të bëjnë Hotin e Vuçiqin të ridinamizojnë situatat, kjo shkon në favor të BE-së, për shkak të viteve të fundit dialogu është monopolizuar nga SHBA-të, por tani me aktakuzën e pakonfirmuar të Thaçit dhe me zgjedhjet në SHBA që po afrohen, SHBA do të humbin momentumin ndërsa BE mund ta kapitalizojë këtë.”, tha Ramadani.

Më tutje, ai shprehet se nëse Bashkimi Evropian kthehet në formatin e vjetër të dialogut që parasheh normalizim të marrëdhënieve dhe jo njohje reciproke, atëherë dialogu mund të dështojë.

“Do të ketë probleme, sepse besoj që përsëri do të kthehemi në formatin e deritanishëm të Brukselit i cili ka qenë normalizim i marrëdhënieve, dhe jo njohje reciproke dhe kjo është kërkesa më e rëndësishme e Kosovës dhe nëse kjo nuk akomodohet në agjendën e BE-së, atëherë gjasat që të dështojë ky dialog të dështojë janë të mëdha dhe këtë e tha edhe Vuçiqi i cili kërkoi që Kosova të lëshojë pe dhe këto qëndrime diametralisht të kundërta besoj që do ta vështirësojnë mbarëvajtjen e dialogut. Shtoja kësaj faktin që në Kosovë ka turbulencë institucionale, me aktakuzën e pakonfirmuar ndaj Thaçit dhe mandatit që po i afrohet fundit dhe nëse partitë nuk gjejnë zgjedhje atëherë duhet të shkohet në zgjedhje dhe me një qeveri të varur me votat e Listës Serbe po i jep shumë fuqi Vuçiqit.”, tha ai.

Krejt në fund, Ramadani tha se: “Kosova nuk është në pozicion të favorshëm, dhe qeveria kështu si është nuk e ka legjitimitetin për të vazhduar këtë dialog që të çojë përpara ndonjë rezultat të prekshëm.”

E Visar Xhambazi nga Instituti Demokratik i Kosovës shprehet se Samiti i Parisit ka qenë tendencë për t’i dhënë shtytje dhe fuqi politike rifillimit të dialogut.

“Dialogu Kosovë – Serbi që nga fillimi i tij në vitin 2011 ka qenë vetëm një dialog zyrtar që ka qenë i ndërmjetësuar nga BE dhe me gjithë angazhimin amerikan në vitin e fundit, sa i përket dialogut zyrtar, ai ka qenë i monitoruar nga BE dhe pas 2 viteve pauzë të dialogut për shkak të tarifës 100 për qind ndaj produkteve me origjinë serbe, më në fund kemi një tendencë për të nisur dialogun dhe mendoj që Samiti i Parisit ka qenë një shtytje për t’i japë fuqi politike rifillimit të negociatave javën e ardhshme.”, tha Xhambazi.

Xhambazi shprehet se Hoti ka pasur paraqitje të mirë në këtë takim, duke shtuar se ka kaluar e shumë kujt në Kosovë.

“Mendoj se Hoti ka pasur paraqitje të mirë dhe ai ka paraqitur të gjitha principet dhe platformën e Kosovës në dialog, përmend njohjen reciproke si marrëveshje përfundimtare, një ndër pikat kyqe është edhe karakteri unitar dhe mos-prekja e territorit dhe me gjithë skepticizmit në Kosovë për Hotin, mendoj që ai i ka tejkaluar disa nga pritshmëritë”, tha ai.

Ai në fund thotë se fuqia politike me largimin e Britanisë së Madhe mbetet tek Franca dhe Gjermania dhe nëse këto dy shtete i japin shtytje dialogut atëherë mund të ndodh që të kemi rezultate të prekshme”. /Rahovecnews.net/