Raka tregon si mund të shmanget gjendja e jashtëzakonshme

raka-tregon-si-mund-te-shmanget-gjendja-e-jashtezakonshme

Mikrobiologu Lul Raka ka thënë se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë, pas shtimit të rasteve me koronavirus, mund të shmanget nëse të gjithë bartin maska.

Duke komentuar paralajmërimin e kryeministrit Avdullah Hoti për mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, Raka ka thënë se çfarëdo vendimi që merret për këtë masë duhet të analizohet nga të gjitha këndvështrimet dhe institucionet relevante.

Ai ka porositur që vendimit politik duhet t’i paraprijë qasja shkencore.

Sipas Rakës, dy faktorët kryesorë të rritjes së numrave me koronavirus ditëve të fundit janë mosrespektimi masiv nga qytetarët dhe mungesa e mbikëqyrjes dhe kontrollit nga shteti.

“Kultura dhe mentaliteti janë pjesë të rëndësishme që duhet të merren në konsideratë në intervenim”, ka shkruar ai.

Ai ka renditur argumentet kundër një vendimi për gjendjen e jashtëzakonshme.

“Përqindja e imunitetit në vendet me prekje masive-Spanjë, Francë, etj. ka qenë vetëm 5%. Suedia, e cila ka pasur qasje më liberale, edhe pse ka pasur edhe ajo restrikcione ka imunitet vetëm 7%. Për të arritur të ashtuquajturin imunitet kolektiv duhet të preken 70% e popullatës, por kjo shkon me mijëra të vdekur. Kjo qasje nuk është as etike e as e arritshme. Këtë qasje asnjë shtet në botë nuk e zbaton. Me këtë numër të ulët të personave që kanë kaluar sëmundjen, pjesa dërmuese e popullatës mbeten të ndjeshëm dhe kurdo pas çdo karantinimi, nëse s’ka mbikëqyrje nga shteti, do të ketë rishfaqje masive të numrave. Rezultatet pozitive që mund të vijnë nga izolimi total janë afatshkurtra”, ka thënë Raka.

Sipas tij, pasoja do të ishin shkatërrimi i ekonomisë, shkatërrimi i shëndetit mental, mundësia e demonstratave dhe se gjendja e jashtëzakonshme do të linte në hije të gjithë sektorët tjerë të shëndetësisë. Ai ka shtuar se fatura e izolimit total është shumë më e lartë dhe është opsioni i fundit nga të gjithë skenarët e mundshëm.

Zgjidhje të mundshme ka ofruar qasjen “të gjithë me maska”.

“MASKAT duhet të jenë OBLIGATIVE! Të blihen maska shumëpërdorimëshe nga shteti dhe të shpërndahen në popull! Kjo qasje mund ta ulë lakoren. Mund të zbatohet për një kohë më të gjatë. Njëkohësisht parandalon edhe sëmundjen edhe ruan ekonominë dhe shëndetin mendor”, ka thënë ai.

Sipas Rakës, përparësitë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme do të ishin ulja e numrit të të prekurve dhe vdekshmërisë.

Mikrobiologu Raka ka thënë se duhet të ketë kornizë më të fortë të monitorimit, për zbulimin e shpejtë të rritjes së transmetimit, strategji të zgjeruar të testimit, kornizë për gjurmimin e kontakteve, identifikim të shpejtë të vatrave të epidemisë e zbatim të qëndrueshëm dhe afatgjatë të masave jofarmaceutike (distanca fizike, maska e higjiena e duarve).

Raka ka shtuar se duhet t’iu rikujtohet qytetarëve qartë se pandemia s’ka mbaruar.

Ditëve të fundit në Kosovë ka pasur shtim enorm të rasteve të reja me COVID-19, por edhe të rasteve të vdekjeve. Deri tash në vend janë regjistruar 4512 raste pozitive, me 2156 të shëruar e 97 të vdekur.

The post Raka tregon si mund të shmanget gjendja e jashtëzakonshme appeared first on Lajmet e Fundit – RahovecNews.