Koronavirusi pamundëson protestën masive të veteranëve të luftës kundër Gjykatës Speciale

koronavirusi-pamundeson-protesten-masive-te-veteraneve-te-luftes-kunder-gjykates-speciale

Këtë për Rahovecnews.net e ka konfirmuar nënkryetari i OVL e UÇK-së, Nasim Haradinaj i cili tha se protesta ka ndryshuar formë për shkak të situatës me koronavirusin ku do të respektohen rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, shkruan Rahovecnews.net.

Haradinaj tha se për protestën e 9 korrikut kanë qenë të konfirmuar mbi 20 mijë qytetarë, ndërsa forma e re do të jetë me nga 99 persona në çdo qytet ku do të respektohet distanca.

“Protesta do të mbahet, por duke respektuar rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, plani ynë për të protestuar me mbi 20 mijë qytetarë që kanë qenë të konfirmuar është anuluar dhe ne do të organizojmë formë të re kështu që meqenëse është e lejuar që të tubohen mbi 100 persona, atëherë ne kemi zgjedhur numrin 99 persona, që simbolizon vitin 1999 për fundin e luftës dhe vitin kur UNMIK-u fillon hetimet e para ndaj çlirimtarëve”, tha Haradinaj.

Ai më tutje ka shpjeguar se në protestë do të mbahen dy fjalime, të cilat do të jenë të njëjtat në të gjitha qytetet dhe protesta do të zgjasë vetëm 1 orë.

“Primare është shëndeti i qytetarëve dhe kemi marrë këta hapa që në mënyrë të sinkronizuara për çdo komunë të organizohet me 99 persona nga ora 12 deri në 1, do të jenë nga 2 fjalime, një nga OVL e UÇK-së dhe një nga ish të burgosurit politik dhe fjalimet do të jenë të njëjta”, tha Haradinaj.

Ai shprehet se për distancë do të jenë përgjegjës organizatorët e protestës për çdo qytet ndaras.

“Për distancë do të jetë përgjegjës secili kryetar i degës dhe secili kryetar i ish-të burgosurve politik. Kështu që dy fjalime do të jenë, edhe në Prishtinë do të jenë 99 persona dhe do të ketë kontroll, jemi në koordinim edhe me polici. Nesër në ora 12 do të fillojë”, tha Haradinaj.

Në anën tjetër, kjo protestë vjen pas lëvizjeve të fundit të Gjykatës Speciale. Rrjedhimisht, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka publikuar një aktakuzë të pakonfirmuar ndaj dy ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi e Kadri Veseli.

Presidenti Thaçi është ftuar të hënën për intervistim nga Prokuroria Speciale në Hagë. /Rahovecnews.net/ 

Presidenti Thaçi të hënën intervistohet nga Gjykata Speciale