Çfarë punësh nuk ka të drejtë të bëjë Adem Grabovci pas vendimit të sotëm të Apelit

cfare-punesh-nuk-ka-te-drejte-te-beje-adem-grabovci-pas-vendimit-te-sotem-te-apelit

Gjykata e Apelit sot ka shpallur verdiktin për të akuzuarit e rastit “Pronto”. I përfshirë në këtë rast është edhe ish-deputeti i PDK’së, Adem Grabovci, ndaj të cilit Apeli ka shqiptuar dënim unik prej 1 vjet e dy muaj burgim, dënim i cili nuk ekzekutohet nëse nuk kryen vepër tjetër penale në kohëzgjatje prej 2 vjetëve.

Në një komunikatë për media nga Gjykata e Apelit, është bërë e ditur se Grabovcit i është hequr e drejta për t’u zgjedhur dhe i është ndaluar ushtrimi i funksioneve në administratën publike në kohëzgjatje prej 2 viteve.

“A.G. i është shqiptuar dënim unik prej 1 vjet e 2 muaj burgim, dënim i cili nuk do të ekzekutohet në rast se ai nuk kryen vepër tjetër penale, në kohëzgjatje pre 2 viteve. Atij i është hequr e drejta për t’u zgjedhur dhe i është ndaluar ushtrimi i funksioneve ne administratën publike apo shërbimin publik, në kohëzgjatje në kohëzgjatje prej 2 viteve, pas kalimit te periudhës se verifikimit te dënimit me kusht”, thuhet në komunikatë.

Në vitin 2011, për herë të parë ishin publikuar në media bisedat nga disa përgjime të EULEX-it, e ku Grabovci dëgjohej duke biseduar ndër të tjerash edhe me presidentin aktual Hashim Thaçin, kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe persona të tjerë të politikës, kryesisht të PDK-së.

Grabovci në atë kohë ishte duke u hetuar nga ana e EULEX-it për vepra korruptive në cilësinë e zëvendësministrit të Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit, mirëpo këto hetime ndaj tij ishin mbyllur në mungesë të provave.

Në këto përgjime që përfshijnë një periudhë prej dy muajve, nëntor – dhjetor 2011, Grabovci dhe bashkëbiseduesit e tij, mes të cilëve edhe ish-ministri Besim Beqaj, deputeti i PDK-së Zenun Pajaziti dhe disa persona tjerë, dëgjohen duke diskuar punësimet e personave të afërt me PDK-në në institucione të ndryshme si anëtarë bordesh, drejtorë ndërmarrjesh e agjencish të pavarura.