Një tjetër “axhami” 23 vjeçar u emërua zv/ministër, në adoleshencë u përball me ligjin

nje-tjeter-“axhami”-23-vjecar-u-emerua-zv/minister,-ne-adoleshence-u-perball-me-ligjin

Njëri prej të rinjve në Kosovë që ka qenë më i përfoluri ditëve të fundit ka qenë zëvendësministri i ri i emëruar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Driton Bardheci që vjen nga AAK-ja. Për të është raportuar se nuk ka diplomë të studimeve bachelor dhe është vetëm 22 vjeçar.

Këtë gjë e ka konfrimuar edhe vet Bardheci, i cili tha se pandemia ka bërë që të shtyhet diplomimi i tij.

Një tjetër zëvendësministër i emëruar së fundi nga Avdullah Hoti është në moshë shumë të re. Bëhet fjalë për Eldis Abazin, i cili është emëruar zëvendësministër i Zhvillimit Rajonal nga komuniteti boshnjak, shkruan Rahovecnews.net.

Rahovecnews.net ka mësuar se ai është 23 vjeçar. Ka lindur më 25 mars 1997, ndërsa ishte regjistruar në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, departamentin e Gjeografisë në vitin akademik 2015 /16,  por nuk ka arritur të diplomojë. Megjithëkëtë, ai thotë se ka kryer një tjetër fakultet.

“Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore-Departamenti i Gjeografisë në Universitetin e Prishtinës e kam ndërprerë për arsye personale”, tha Abazi.

Por, ai shtoi se më pas ishte regjistruar në Fakultetin Ekonomik në Prizren, ku studimet i kishte filluar në vitin akademik 2016/17.  “ U diplomova në Departamentin e Banka, Financa dhe Biznes, më 10 korrik 2019”, tha zëvendësministri i ri.

Mësohet se Abazi para disa viteve ishte akuzuar për një vepër penale. Bashkë më disa të rinj tjerë ai akuzohej se në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale të asgjësimit apo dëmtimit të pasurisë. Aktakuza ishte ngritur në vitin 2016 nga Prokuroria Themelore në Prizren çka do të thotë se ishte nën aktakuzë dy vjet.

“Me vendim të gjykatës të datës 26 prill 2018, me vendimin me numër të PM-së numër 83/2017, unë u lirova nga të gjitha akuzat, ku procedura penale u pezullua në të njëjtën ditë, duke konsideruar se ishte vërtetuar se nuk isha fajtor për veprat e ngarkuara ndaj meje”, tha për Rahovecnews.net Abazi.

Dyshimet që rëndonin mbi Eldis Abazi, për veprën penale, kishin të bënin me një vepër të kryer në moshë të mitur, pasi ai ka lindur 1997, dhe vepra penale pretendohej se është kryer më 05 korrik 2014.

Megjithëkëtë, ai pagën e parë e ka marrë në moshën 20 vjeçare nga Qeveria e Kosovës. Kjo pasi në tetor të vitit 2017 ishte emëruar këshilltar politik i ministrit të Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri. /Rahovecnews.net/

CV-ja solide e Abazit e publikuar në ueb-faqe të ministrisë: