Edi Rama: Tronditëse aktakuza për dy udhëheqësit e UÇK-së, e paraqet Serbinë si viktimë e jo si agresor

edi-rama:-tronditese-aktakuza-per-dy-udheheqesit-e-uck-se,-e-paraqet-serbine-si-viktime-e-jo-si-agresor

Rama në një intervistë ekskluzive në Rubikon në Klan Kosova, tha se për herë të parë nuk gjen fjalët për të shprehur indinjatën që ka pas këtij rasti.

“S’është aktakuzë por është një njoftim. Natyrisht, drejtësia duhet të bëjë drejtësi dhe patjetër që si shprehje e vullnetit të vet të Kuvendit të Kosovës, Gjykata duhet të bëjë punën e vet. Ajo çka mua më ka indinjuar thellë, ishte se ai tekst mu duk përtej fillimit të kërkimit të drejtësisë, lidhur me çfarë presupozohet se do të gjykohet ndaj Thaçit dhe Veselit”, është shprehur Rama.

Kryeministri shqiptar, ka theksuar se fakti që kjo aktakuzë ishte tronditëse për të, ishte pasi sipas tij, e paraqet Serbinë si viktimë e jo si agresor.

“Në atë tekst kanë menduar jo se bëhet fjalë për dy udhëheqës të UÇK-së, por sikur flitet për dy pistarë të një regjimi kriminal të vendosur përmes krimeve kundër njerëzimit, a thua se flitet për Serbinë dhe regjimin serb, jo për udhëheqësit e një vendi që ishin viktime e një agresioni. Kjo ishte ajo që më ka tronditur”.

Sipas Ramës, kjo aktakuzë e shpërndarë në të gjithë botën, godet shumë më përtej emrave të Thaçit dhe Veselit.

“Nëse e lexon këtë tekst… prezumimi i pafajësisë kthehet në një shaka pa vlerë, pa kripë dhe pa sens. Ai tekst, edhe sikur të mos ketë asgjë, është i mjaftueshëm për të njollosur fort, jo thjesht dy persona, as thjesht UÇK-në, por për të njollosur përmbatjen e një lufte të drejtë, ndaj një padrejtësie historike”.

“Jemi të detyruar që të reflektojmë thellë mbi faktin që sot respektueshmëria e Serbisë dhe e presidentit serb Vuçiq, është në një nivel shumë më të lartë se respektueshmëria e Kosovës dhe e figurave udhëheqëse të Kosovës”, ka thënë Rama.