Albin Kurti, Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu, Arben Vitia dhe Haki Abazi që bashkërisht në zgjedhjet e vitit kaluar i kanë marrë mbi 300 mijë vota, e të cilët kanë mbetur jashtë legjislativit.
Mungesa e tyre në parlament, duke mos qenë as në ekzekutiv po shihet se ka lënë zbrazëtira të mëdha brenda grupit parlamentar të ish partisë në pushtet.
Këtë e thotë për KosovaPress edhe vet deputeti i kësaj Lëvizje, Artan Abrashi.
Ai tha se edhe në statutin e tyre, VV-ja nuk është një organizatë politike që e kufizon veprimtarinë vetëm brenda institucioneve.
“Po ndjehet mangësia e figurave kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, por një gjë e di se Lëvizja është një organizatë politike që veprimtarinë̈ e saj nuk e kufizon vetëm brenda institucioneve. Ne edhe me statutin e organizatës e kemi që përfaqësimin institucional është vetëm njëra prej metodave të veprimtarisë politike. LVV-ja është një organizatë shumë hiperaktive. Vazhdimisht ka aktivitete dhe aksione të ndryshme. Të gjithë anëtarët, përfshirë dhe drejtuesit e organizatës do të kenë vendin e tyre ku do të na përfaqësojnë denjësisht”, tha ai.
Se grupi parlamentar i VV-së është më mangët pa krerët e tyre e thotë edhe Arton Demhasaj nga organizata joqeveritare, “Çohu”.
“Në aspektin e cilësisë, apo kualitetit besoj që po është shumë më e dëmtuar. Në parlament tashmë nuk e kemi liderin e LVV-së, zotëri Kurtin. Nuk kemi ish deputetët që kanë qenë në legjislaturat e kaluara që kanë udhëheq komisione siç është zonja Haxhiu, zotëri Konjufca e të tjerë që kanë post ministrore në qeveri dhe nuk mundet të kthehen në kuvend”, thotë ai.
Ndërkaq, Albert Krasniqi nga “Demokracia Plus”, thotë se deputetët e rinj të Vetëvendosjes duhet të shfrytëzojnë mungesën e këtyre figurave për të bërë opozitarizëm të fuqishëm.
Krasniqi: Deputetet e rinj të LVV-së të shfrytëzojnë mungesën e figurave qendrore te partisë
“Lëvizja Vetëvendosje ka një grup të mirë të deputetëve që janë të rinj në moshë dhe energjik. Ata do të shfrytëzojnë mirë mungesën e figurave qendrore të partisë në mënyrë që të dëshmohet dhe të bëjnë një opozitarizëm të fuqishëm”, thotë ai.
Në fillim të legjislaturës së shtatë dhe me marrjen e pushtetit, figurat kyçe të VV-së u bartën në ekzekutiv. Kjo bënë që ata të humbin mandatin e deputetit. Ndërkaq me rrëzimin e qeverisë Kurti dhe formimin e qeverisë Hoti, ata kanë mbetur pa poste në institucione.