Hoti: Kemi hequr dorë nga aplikimi për anëtarësim në organizata ndërkombëtare deri më 27 qershor

hoti:-kemi-hequr-dore-nga-aplikimi-per-anetaresim-ne-organizata-nderkombetare-deri-me-27-qershor

Ai ka thënë se si kryeministër i Kosovës në shenjë të vullnetit të mirë dhe për t’i hequr Serbisë nga dora çfarëdo arsyetimi të mundshëm për evitimin e dialogut, është zotuar që deri më 27 qershor Kosova nuk do të aplikojë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Si kundërpeshë për këtë, Hoti thotë se Serbia është pajtuar që të ndalë fushatën kundër pavarësisë së Kosovës në prag të zgjedhjeve atje.

“Me këtë hap e kemi treguar vullnetin tonë për procesin e dialogut. Ne i kemi hapur rrugë procesit të dialogut me vendime te para që nga marrja e Qeverisë. Kam një dakordim me partnerët ndërkombëtarë, që nëse s’ka përparim në dialog, ne e ruajmë të drejtën tonë si shtet sovran për të zbatuar të gjitha ligjet për reciprocitet në përputhje me konventat ndërkombëtare karshi një vendi që s’njeh shtetin tonë. Në frymën e kësaj, ka qenë edhe dakordimi që deri më 27 qershor, ne të pauzojmë nga dorëzimi i aplikacioneve për anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, ka thënë Hoti.

I pyetur nëse kjo është kërkesë e SHBA-së, Hoti ka thënë se kjo është qëndrim i Kosovës për të treguar gatishmëri për t’u ulur në tryezë dhe për t’i hequr Serbisë mundësinë për të evituar dialogun.

“Unë jam dakorduar në emër të qeverisë së Kosovës, që aplikacionet deri më 27 qershor të mos dorëzohen për anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, ka thënë Hoti.

Ai gjithashtu ka kujtuar se anëtarësimi në organizata ka ndërlidhje me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.