Këshilltari për Siguri Kombëtare i Trump: Kënaqësi t’i pres liderët e Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë

keshilltari-per-siguri-kombetare-i-trump:-kenaqesi-t’i-pres-lideret-e-kosoves-dhe-serbise-ne-shtepine-e-bardhe

I Dërguari Special i Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump për dialogun Kosovë – Serbi ka organizuar një takim midis liderëve të Kosovës dhe Serbisë më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë, shkruan Rahovecnews.net.

Takimi i cili do të jetë edhe hapi i parë i rifillimit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë drejt një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse me njohje reciproke është mirëpritur edhe nga Këshilltari i Për Siguri Kombëtare i Donald Trump, Robert O’Brien.

Ai është shprehur se mirëpret liderët e Kosovës dhe Serbisë së bashku me Richard Grenellin në Shtëpinë e Bardhë duke shtuar se SHBA-të janë të interesuara për këto bisedime.

“Kam kënaqësinë të pres liderët e Serbisë dhe Kosovës me Richard Grenellin në Shtëpinë e Bardhë. Shtetet e Bashkuara janë duke pritur për këto diskutime të rëndësishme. – Këshilli i Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brien”, thuhet në reagimin e llogarisë të Këshillit për Siguri Kombëtare të SHBA-ve në Twitter.

Ky takim është konfirmuar nga vet Richard Grenell. Në anën tjetër, për vizitë në Kosovë po qëndron emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak i cili ka folur me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, kryeparlamentaren Vjosa Osmani dhe kryeministrin Avdullah Hoti lidhur me rifillimin e dialogut.

Me vizitën e Lajçak në Kosovë (dhe në Serbi pas pak ditësh) dhe ftesën e Grenell për takim midis Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, përpjekjet për rifillimin e dialogut dhe marrëveshjen përfundimtare janë intensifikuar. /Rahovecnews.net/