Për 3 ditë 160 të infektuar dhe dy të vdekur nga koronavirusi në Kosovë

per-3-dite-160-te-infektuar-dhe-dy-te-vdekur-nga-koronavirusi-ne-kosove

Në tri ditët e fundit në Kosovë janë regjistruar 160 raste të të infektuarve me COVID-19, kurse 32 persona janë shëruar. Ndërsa dy persona të infektuar kanë humbur jetën në dy ditët e fundit.

Rritja alarmante e numrit të prekurve me koronavirus në tri ditët e fundit, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, është shqetësuese dhe tregon përkeqësim të situatës epidemiologjike me rrezik të shkuarjes drejt humbjes së kontrollit.

IKSHPK-ja thotë se qëkur ka filluar lehtësimi i masave për disa aktivitete, kemi gjurmuar raste të reja të COVID-19 duke u shtuar rreziku të shpërthejnë vatra të reja epidemike në disa komuna të Kosovës dhe në institucione e degë të ekonomisë, për shkak të mosmbajtjes së distancës dhe mosmbajtjes së maskave.

“Duke pasur parasysh se në javën e fundit kemi rritje të rasteve pozitive që në intensitet krahasohen me mesin e muajit prill dhe kemi raste te punëtorët e organizatave publike e private, si Posta e Kosovës, KEK, KEDS, Galeria e Arteve, institucione bankare, shëndetësore, agjenci, kompani tregtare dhe biznese private, rekomandojmë Ministrinë e Shëndetësisë të mbyllen sektorët ku ka raste pozitive dhe të gjitha rastet pozitive dhe kontaktet e tyre të mbahen në vetizolim, ndërsa BARTJA E MASKAVE MBETET OBLIGATIVE!”, thuhet në njoftimin e IKSHPK.

Më tej IKSHPK-ja thotë se “këto ditë vërehet fluks i shtuar i lëvizjes së qytetarëve kudo nëpër Kosovë. Kjo është sjellje e rrezikshme dhe lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë me mbajtjen e distancimit fizik dhe mbajtjen e maskave në vendet publike”.

“Pakujdesia e disa qytetarëve gjatë këtyre lëvizjeve dhe aktiviteteve, shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent dhe kështu mund të mbingarkohet sistemi shëndetësor me pasoja të pa parashikuara deri në shpërthim e që mund të paraqes rrezik për jetën e qytetarëve”.

“Si pasojë e mos bartjes së maskave nga ju, qytetarë të nderuar, po rrezikohet shëndeti i juaj dhe i qytetarëve të tjerë dhe po rëndohet situata e përgjithshme epidemiologjike që po mbahet nën kontroll me mund të madh të ekipeve të profesionistëve të Institutit Kombëtar”.

Bazuar në këtë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Ministria e Shëndetësisë rekomandojnë që në mënyrë rigoroze të respektohen masat mbrojtëse të deritashme sipas planit për masat lehtësuese që nënkupton vazhdimin e zbatimit të mëtutjeshëm të rekomandimeve.

Që nga përhapja e pandemisë, në Kosovë janë regjistruar 1,486 raste me COVID-19, ndërsa të shëruar 1,183 dhe të vdekur 33.

The post Për 3 ditë 160 të infektuar dhe dy të vdekur nga koronavirusi në Kosovë appeared first on Lajmet e Fundit – RahovecNews.