Polici shqiptar e humb armën e shërbimit

polici-shqiptar-e-humb-armen-e-sherbimit

Një ngjarje e pazakontë është regjistruar 3 ditë më parë në kryeqytet ku një efektivi policie i ka humbur arma e shërbimit. Efektivi i patrullës së përgjithshme pranë komisariatit nr.4, 28-vjeçari me inicialet M.Ll ka shkuar para kolegëve për të denoncuar humbjen e armës së shërbimit.

Në deklarimet e tij punonjësi i policisë është shprehur që nuk ka dijeni se ku e ka lënë armën, ndërsa ka ngritur dyshimet se persona të paidentifikuar i kanë hyrë gjatë natës në banesë. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarje, fillimisht për të identifikuar autorët e dyshuar të vjedhjes së banesës së efektivit.

Humbja e armës së shërbimit nga një efektiv policie është situatë problematike për organizatën blu pasi arma mund të përdoret në ngjarje kriminale. Për këtë arsye burime nga policia bëjnë me dije se kryejnë hetime intensive për gjetjen e armës. Ndonëse pa informacione konkrete, hetime janë nisur dhe nga SHÇBA ndaj efektivit 28-vjeçar. Kjo është iniciuar nga raste të mëparshme ku punonjës policie kanë bashkëpunuar me persona të inkriminuar duke u dorëzuar dhe armën e shërbimit dhe më pas e kanë raportuar si të humbur.

Këto hetime gjithashtu kryhen dhe pas kërkesës së drejtuesve të lartë të policisë së shtetit dhe ministrisë së brendshme për zbulimin e efektivëve të inkriminuar në radhët e bluve. /oranews