Pa distancë sociale, me fjalime politike e pa simbole të Kosovës – protesta e VV-së nëpërmjet fjalimeve e fotografive

pa-distance-sociale,-me-fjalime-politike-e-pa-simbole-te-kosoves-–-protesta-e-vv-se-nepermjet-fjalimeve-e-fotografive

Në këtë tubim-protestë ku morën pjesë mijëra aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje nuk u respektua asnjë nga rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike për distancën sociale, dorëzat e maskat dhe mos-kontaktin fizik, shkruan Rahovecnews.net.

Po ashtu, në tubim u mbajtën fjalime nga disa prej njerëzve më të rëndësishëm të Lëvizjes Vetëvendosje e cila sot ka festuar 15 vjetorin e themelimit.

Liburn Aliu, Boiken Abazi, Arben Vitia, Albulena Haxhiu e Albin Kurti thanë fjalët e tyre para qytetarëve që ishin mbledhur rreth skenës së vendosur pranë oborrit të qeverisë së Kosovës e madje, aty u mbajt dhe një ‘mini-koncert’ ku përforcoi grupi muzikor “Troja”.

Përkrahësit e Lëvizjes Vetëvendosje nuk respektuan pikat e kuqe të vendosura në shesh, ata qëndruan ngjitur me njëri-tjetrin duke kërcyer e brohoritur.

Pamje nga tubimi i VV-së, nuk respektohet distanca sociale

E për distancën sociale dhe rekomandimet e IKSHPK-së, për të cilat kishin mbajtur dhjetëra konferenca nuk iu ra ndër mend të flisnin as ish-kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit e as ish-ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia.

Pavarësisht se në fjalimet e tyre ata përmenden situatën e jashtëzakonshme të pandemisë COVID-19, kontributin dhe punën që po bëhet për tejkalimin e kësaj pandemie, duket se nuk iu bëri përshtypje që njerëzit pa mjete mbrojtëse e pa distancë sociale po qëndronin para tyre.

Përveç kësaj, anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje mbajtën fjalimet e tyre politike e të ngjashme me ato të fushatave zgjedhore.

Ishte fillimisht Liburn Aliu ai që doli dhe iu drejtua masës që ishte mbledhur për të festuar 15 vjetorin e themelimit të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Sot është dita e çlirimit të Prishtinës tonë të dashur dhe ne po takohemi në këtë shesh që mbanë me vete kujtime të shumta si dhe ende mund të dëgjojmë jehonën e thirrjeve liri – barazi. Kjo ditë në këtë shesh na e kujton atë këmbëngulje të atyre vajzave e djemve në ato vite. Ne jemi popull kryengritës dhe këmbëngulës që nuk heq dorë nga liria e tij, por kjo ditë po ashtu shënon edhe 15 vjetorin e Lëvizjes Vetëvendosje që nuk është gjë tjetër përveç vazhdim i kësaj përpjekje, pas 15 vitesh që e themeluam Lëvizjen Vetëvendosje sepse thamë që ende nuk u kry. Vetëvendosje deri në çlirim të plotë të vendit. Për Lëvizjen që nuk ndalet, përvjetor janë pikat, shikojmë vetën ,arritjet dhe rrugën që na pret, si përvjetor të themelimit, si ato të rënies së aktivistëve tanë, ne e vlerësojmë punën tonë”.

E pas kësaj, ajo që ka rënë në sy gjatë kësaj tubim-proteste të Lëvizjes Vetëvendosje është fakti se aty nuk është parë asnjë simbol i shtetit të Kosovës, të cilat VV dhe Kurti i kishin përqafuar me të ardhur në qeveri.

Lëvizja Vetëvendosje, pas pak muajsh qëndrim në qeveri, iu kthye përsëri flamurit kombëtar e madje edhe parullës së vjetër “Jo Negociata, Vetëvendosje”

Asnjë simbol shtetëror i Kosovës në tubimin e Lëvizjes Vetëvendosje

E masës aty iu drejtua edhe kreu i VV-së në Shqipëri, Boiken Abazi, i cili madje me një lojë gjuhësore përmendi edhe Pranverën Arabe.

“Shqiptarët e kuptuan se VV e humbi padrejtësisht dhe vetëm përkohësisht pushtetin. Kombi shqiptar e do lëvizjen edhe më shumë sepse e do zhvillimin shoqëror, e do drejtësinë dhe progresin. Ne e dimë se si arrihet kjo, kombi ka nevojë për bashkim realizohet me VV”. E gjitha Shqipëria i kishte sytë nga Kosova këtë pranverë. Shqipëria e ndjeu se Vetëvendosjes iu bënë padrejtësi dhe prandaj jemi sot dhe gjithmonë me ju. Kosova po e përjeton çlirimin e dytë u ndje fillimi i pranverës shqiptare. Muajt që vijnë janë vendimtare dhe do të ndalim çdo plan për copëtim.”, tha Abazi.

Pranvera Arabe është një lëvizje revolucionare demonstratash, protestash dhe luftërash që po ndodhin në botën arabe e që kanë filluar më 18 dhjetor 2010.

Boiken Abazi lojë gjuhësore me “Pranverën Arabe”: Me VV-në u ndje fillimi i “Pranverës Shqiptare”

E në këtë tubim, nuk munguan me fjalimet e tyre as ish-ministrat e qeverisë Kurti, Arben Vitia e Albulena Haxhiu.

Vitia në fjalën e tij, foli edhe për pandeminë dhe punën e mjekëve, infermierëve e vullnetarëve, por nuk tha asnjë fjalë e asnjë këshillë për njerëzit që ishin mbledhur aty dhe nuk po e respektonin asnjë rekomandim të IKSHPK-së.

Ish-ministri Vitia flet para qytetarëve për aktivistët e VV-së dhe vullnetarët gjatë pandemisë

Pas tij, foli ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo në fjalën e saj tha se Lëvizja Vetëvendosje do të kthehet së shpejti në qeveri dhe se “qeveria koti”, siç iu referua ajo qeverisë të udhëhequr nga Avdullah Hoti nuk do të zgjasë shumë.

Haxhiu: Pak do të zgjatë kjo qeveri koti

E krejt në fund, para masës që po e kërkonin nga fillimi, doli lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i cili njëlloj si ish-ministri i qeverisë së tij, Arben Vitia nuk dukej shumë i shqetësuar për shkeljen e rekomandimeve të IKSHPK-së.

Ai veç të tjerash tha se në 21 vjetorin e çlirimit të Kosovës, Kosova ka nevojë të çlirohet nga korrupsioni dhe po ashtu bëri të ditur se Lëvizja Vetëvendosje do të hapë së shpejti qendrën e saj në Maqedoninë e Veriut.

Kurti: Pas çlirimit të Kosovës nga Serbia, duhet të ndodh çlirimi i Kosovës nga korrupsioni

E ndaj tubimit të Lëvizjes Vetëvendosje kanë reaguar disa politikanë. Fillimisht, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se Vetëvendosja i ka shkelur të gjitha rekomandimet e IKSHPK-së me tubimin e mbajtur sot.

Hoti për tubimin e VV-së: U shkelën të gjitha udhëzimet e institucioneve shëndetësore

Tubimit gjithashtu i reaguan edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti i cili e ka quajtur “papërgjegjësi të madhe”, tubimin e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje në kohën kur numri i rasteve me koronavirus po rritet, duke shtuar se Kurti ka rrezikuar qindra njerëz sot.

E ndaj këtij tubimi ka reaguar edhe këshilltari i presidentit Thaçi, Adil Behramaj i cili ka thënë se Kurti po tenton t’i kthehet identitetit të tij pasi e ka humbur pushtetin.

“Pas aventurës me Serbinë dhe izolimit me Shqipërinë, Lëvizja Vetëvendosje paska provuar të rikthehet në identitet. Në “festivalin” e tyre nuk po shihet asnjë flamur shtetëror. Horrat sërish qenkan mbështjellë me patriotizmin e rremë duke e valëvitur flamurin kombëtar!”, ka shkruar Behramaj.

Po ashtu, Betim Gjoshi nga Partia Demokratike e Kosovës ka shkruar se kreut të Vetëvendosjes nuk i beson më askush me mashttimet patriotike që i bënë për interesa personale e partiake.

Po ashtu kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, tha se nuk është dashur që të organizohet tubimi i Vetëvendosjes për të festuar 15 vjetorin e themelimit të partisë dhe 21 vjetorin e çlirimit të Prishtinës.

“Kush do ta merr përgjegjësinë për përhapjen e Covid-19? A është është turp i paparë dhe një moskulturë shëndetësore? Turp kush është çka po bën sot?”, tha Syla.

E krejt kjo ka ndodhur në momentin kur në Kosovë po rriten rastet e infektimit me virusin Korona. Sot, në Kosovë janë regjistruar edhe 58 raste të reja me koronavirus të ndara në 7 qytete.

Kreu i qeverisë, Avdullah Hoti është shprehur se nëse qytetarët nuk tregohen më të kujdesshëm atëherë mund të kemi kthim të masave të izolimit në Kosovë.

Më poshtë, iu sjellim disa fotografi nga protesta e Lëvizjes Vetëvendosje. /Rahovecnews.net/