​Selimi kërkon nga gjyqësia efikasitet dhe kualitet

​selimi-kerkon-nga-gjyqesia-efikasitet-dhe-kualitet

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, sot ka vizituar Gjykatën Themelore në Prishtinë ku është takuar me kryetaren Afërdita Bytyçi.

Ministri Selimi është njoftuar për së afërmi me sfidat, punët dhe proceset nëpër të cilat kalon Gjykata Themelore në Prishtinë, veçanërisht në çështjet buxhetore dhe mungesën e stafit mbështetës.

I pari i Ministrisë së Drejtësisë, u premtoi se do të jetë zë dhe avokat i gjyqësorit në Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës, për plotësimin dhe fuqizimin e kapaciteteve të tyre.

Ministri Selimi tha se është e rëndësishme që të ketë pavarësi, efikasitet dhe kualitet të punës së gjyqësisë.

“ Jam i vetëdijshëm për sfidat në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e cila është më e ngarkuara, për shkak të zonës së madhe që mbulon dhe rasteve më komplekse. Por, e di edhe që është bërë punë e jashtëzakonshme në zvogëlimin e rasteve të grumbulluara. Është e rëndësishme që të ketë pavarësi, efikasitet dhe kualitet të punës së gjyqësisë”, ka deklaruar Ministri Selimi.

Ndërsa kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi, falënderoi ministrin Selimi për vizitën, duke theksuar gatishmërinë për bashkëpunim në përmirësimin e kushteve esenciale për gjyqtarët e kësaj gjykate.