​Çuni: Shkeljet e gjetura nga Auditorit s’janë të periudhës sa kam qenë ministër

​cuni:-shkeljet-e-gjetura-nga-auditorit-s’jane-te-periudhes-sa-kam-qene-minister

Në komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Sejdi Hoxha, tha se në përgjithësi opinioni është i mirë për këtë ministri, megjithatë sipas tij, auditori ka gjetur shkelje në menaxhimin financiar, menaxhimin e pasurisë së ministrisë te pagat dhe kontratat.

Për këto shkelje, ministri i Mbrojtjes, Anton Çuni para anëtarëve të komisionit, tha se ky raport i auditorit të përgjithshëm dhe të gjeturat e saj nuk janë gjatë mandatit të tij, meqë sipas tij, ky raport është i vitit 2019. Ai theksoi se këto do të merren seriozisht.

“Këto janë të gjeturat për vitin 2019, dhe ju po e krahasoni të gjeturat e vitit 2019 me vitin 2018. Edhe një herë e ritheksoj jo që unë iku nga përgjegjësia por unë mundem me dhënë përgjegjësi për vitin 2020. Por, sidoqoftë në vazhdën e punës, dhe bartjes së kompetencave ashtu pres edhe nga ministri i ardhshëm. Nuk mendoj që nga unë dhe zyrtarët merren jo seriozisht. Ato kontrata që ju theksuat nuk qëndron, por këto do të konstatohen me auditimin e ardhshëm. Me auditimin e ardhshëm ju mund të vërtetoni të cilat janë marrë që ne kemi marrë. Kisha kërkuar që të mos paragjykoni, besoj që keni me u impresionua”, deklaroi Çuni.

Ndërkohë, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama tha se këto gjetje nuk kanë të bëjnë me keqmenaxhim apo keqpërdorim të parasë publike.

“I kemi bërë diku 2700 lëvizje, gradime horizontale që kanë mundur të afektojnë në gabime të mundshme që ne i kemi diskutuar edhe nuk kemi ndonjë vërejtje. Kjo është një mësim i mësuar që e quajmë ne në zhargonin ushtarak që tani mos të na ndodhin. Çështja e atesheve është pak e ndjeshme dhe janë kritere dhe specifika të veçanta. Është një çështje teknike ose gabim teknik të zyrtarit që ka dalur në pension edhe ne i kemi gjetur pastaj… 05:42 Për mua është e rëndësishme që raporti i auditorit nuk ka të gjetura për keqmenaxhim ose keqpërdorim të parasë publike. Këto të gjetura të auditorit për mua personalisht janë të mirëseardhura”, theksoi Rama.

Gjetje të tilla nga Zyra e Auditorit, anëtarja e komisionit, Besa Gaxherri tha se nuk do të duhej të figuronin, për këto shprehu edhe pakënaqësitë e saj.

“ Të jem e sinqertë nuk jam e kënaqur me gjetjet e auditorit. Në qoftë se ne kështu i diskutojmë gjërat këtu nuk është askush me gjykua, nuk kam qef dhe as nuk duhet që gjëra të tilla me figurua në auditor. Unë kam parasysh që secila ndërmarrje buxhetore publike ka auditorin e brendshëm dhe e ka obligativ me ligjin duhet të bashkëpunojë me ndërmarrjen buxhetore. Ndërsa, auditori i jashtëm kur bëhet auditori i jashtëm ai bëhet publik. Dhe pastaj ato gabime nuk mund të arsyetohen në komisione”, shtoi ajo.

Për këto pati kritika edhe deputeti opozitar nga LVV, Eman Rrahmani i cili tha se këto gjetura nuk mund të ndryshohen, duke përmendur edhe punësimet siç i quajti ai ‘partiake’.

“Kemi 56 zyrtarë të pranuar në punë pa konkurs, për të cilat jemi mësuar për këto punësime partiake nga cila qeveri që vjen. Që çdo vit janë mbushur me militantë të tyre politikë. Përgjegjësia kalon mbi zyrtarët të cilët kanë ardhur këtu edhe raportojnë edhe nuk duhet të bijnë në ndikimin e politikës dhe që të pranojnë të bëhen punësime të tilla, sepse këto janë punësime të cilat diskriminojnë për konkurrshmëri jo të barabartë me qytetarët tjerë”, u shpreh Rrahmani.