Kurti e quan “shabllon” komunikatën e SHBA-ve për tubimin e nesërm të VV-së

kurti-e-quan-“shabllon”-komunikaten-e-shba-ve-per-tubimin-e-neserm-te-vv-se

Këtë, po e bëjnë për të shënuar 21-vjetorin e çlirimit të vendit dhe 15-vjetorin e themelimit të Lëvizjes Vetëvendosje. Derisa për një tubim të tillë ka reaguar edhe ambasada amerikane në Kosovë, duke u bërë thirrje shtetasve të saj që të kenë kujdes, Albin Kurti ka thënë se tubimi i nesërm është paqësor por që protesta do të ketë në ditët e tjera, meqë sipas tij, ato janë të pashmangshme.

Nga pikat e kuqe të shënjuara nga aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, lideri i tyre, Albin Kurti është paraqitur sot me një video duke u bërë thirrje qytetarëve që të bashkohen në manifestimin që do të mbahet nesër në orën 17:00.

Ai, duke bërë thirrje për dalje masive, ka thënë se tubimi do të jetë paqësor, me muzikë dhe fjalime.

E për këtë tubim, dhe ngjarje të tjera të paralajmëruar këto ditë në vend, ka reaguar edhe ambasada amerikane në Kosovë.

Përmes një komunikate, Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga qytetarët amerikanë që të shmangin sheshet e Prishtinës nga sot deri më 17 qershor.

Ambasada ka shkruar se një tubim i tillë, ani pse i thirrur si manifestim i qetë, mund të shndërrohet në tubim të dhunshëm.

“Disa ngjarje janë paralajmëruar nga 10 deri më 17 qershor 2020. Këto ngjarje përfshijnë, por jo vetëm, përvjetorin e 21-të të çlirimit të Kosovës dhe 15-vjetorin e Lëvizjes Vetëvendosje. VV po organizon një protestë politike (“tubim”) më 12 qershor, në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë. Personeli qeveritar amerikan dhe qytetarët amerikanë këshillohet të shmangin zonat e demonstratave dhe të jenë të kujdesshëm nëse gjenden në afërsi të ndonjë tubimi të madh, proteste apo demonstrate. Edhe tubimet e proklamuara të qeta shpejtë mund të shndërrohen në të dhunshme. Tubimet në numra të mëdhenj mund të shndërrohen në super-ngjarje të përhapjes së Covid-19”, thuhet në paralajmërimin e ambasadës së ShBA-ve.

Për këtë reagim, dhe natyrën e tubimit, KosovaPress ka pyetur liderin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, i cili ka thënë se ambasada e ka një komunikatë “shabllon” të cilën e përdorë kur ka tubime.

Ai ka thënë se tubimi i nesërm nuk është protestë, duke shtuar se protesta do të ketë por jo më 12 qershor.

“Ata e kanë një komunikatë shabllon që e përdorin çdo herë kur ka tubime. Tubimi i 12 qershorit është për hir të 21-vjetorit të çlirimit të Kosovës dhe 15-vjetorit të formimit të Lëvizjes Vetëvendosje, është tubim paqësor, publik, do të ketë protesta, ato janë të pashmangshme, madje nën çdo qeveri, por të premten e 12 qershorit nuk është një i tillë. Pra, tubim publik, paqësor, manifestim për nderë të 21-vjetorit të çlirimit dhe 15-vjetorit të Lëvizjes”, ka thënë Kurti për KosovaPress.

Ndërsa politologu Ramush Tahiri thotë se partitë politike duhet të kenë kujdes dhe mos të thërrasin qytetarët në tubime në kohë të pandemisë.

“Vetëvendosje është parti politike, e ka përgjegjësinë politike, i ka synimet politike partiake, por duhet të respektojë ligjet dhe Kushtetutën, dhe duhet të ketë kujdes për shëndetin e qytetarëve. Qëllimet e veta Vetëvendosje i thotë qartë, sepse dëshiron të rrëzojë qeverinë, dëshiron të ketë protesta, dëshiron qe përmes nënshkrimeve të krijojë një opinion që populli është për zgjedhje dhe përmes anketimeve të tregojë qe shumicën e votave i merr Vetëvendosje”, thotë Tahiri.

Sipas tij, zgjedhjet duhet të iniciohen përmes Kuvendit të Kosovës dhe jo një parti politikë të bëhet presion për mbajtjen e tyre kur një partie të caktuar i përshtatet.

“Nuk do të kisha dëshiruar të kapërcehet rubikoni për këtë punë dhe të kemi protesta dhe anti-protesta, ose të kemi çdo parti që sa herë ka nevojë ose sa herë konsideron qe duhet të bëjë presion t’i thirre qytetarët në protestë, qoftë ajo paqësore, qoftë vetëm grumbullim”, thotë ai.

Partia e Albin Kurtit, pasi u rrëzua nga qeveria, filloi me kërkesën për zgjedhje të reja në Kosovë.

Vetëvendosje ka nisur edhe një peticion për këtë që tash e sa ditë po mbledhin nënshkrime në sheshet kryesore të komunave në tërë vendin.