Daçiq: Serbia, e gatshme për vazhdimin e dialogut me Kosovën

daciq:-serbia,-e-gatshme-per-vazhdimin-e-dialogut-me-kosoven

Gjatë qëndrimit në Romë, Daçiq tha se pas zgjedhjeve në Serbi, më 21 qershor, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, do të bisedojë me zyrtarët evropianë për këtë çështje.

“Meqenëse Qeveria e re (e Kosovës) i shfuqizoi të ashtuquajturat masa reciprociteti, e para kësaj është shfuqizuar edhe taksa, kushtet për vazhdimin e dialogut janë përmbushur”, u tha Daçiq gazetarëve në Romë.

“Ne jemi të gatshëm për vazhdimin e dialogut. Duam që të vijë deri te një zgjidhje e qëndrueshme, një kompromis, por, në këtë moment, është herët të flitet për këtë, sepse nuk ka pasur dialog për kohë të gjatë”, shtoi ai.

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, i cili ka nisur qysh në vitin 2011 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, është ndërprerë në fund të vitit 2018, për shkak të taksës 100 për qind që u ka vënë Qeveria e atëhershme e Kosovës prodhimeve të importuara nga Serbia.

Serbia e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me heqjen e taksës dhe të masave të reciprocitetit.

Taksa është hequr më herët nga Qeveria e ish-kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e cila më pas ka vendosur masa reciprociteti ndaj Serbisë.

Edhe këto masa janë shfuqizuar më 6 qershor nga kryeministri i ri i Kosovës, Avdullah Hoti.