Opozitarizmi i PDK-së/ A do të tentohet rrëzimi i qeverisë Hoti?

opozitarizmi-i-pdk-se/-a-do-te-tentohet-rrezimi-i-qeverise-hoti?

PDK ishte opozitë e qeverisë Kurti dhe tani po vazhdon të jetë opozitë e qeverisë Hoti, votoi pro rrëzimit të qeverisë Kurti dhe kundër krijimit të qeverisë Hoti e kështu, ajo po vazhdon të shprehë qëndrimet e saj karshi ngjarjeve politike.

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli po flet me të njëjtën gjuhë për të dy qeveritë të cilat u formuan pas rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit, duke i quajtur “qeveri të mashtrimit”.

Veseli edhe në fjalën e tij në ditën e votimit të qeverisë Hoti në Kuvend ka deklaruar se “qeveria Hoti është vazhdim i mashtrimit të nisur nga koalicioni LDK – Vetëvendosje”.

Ndërsa sot, Veseli në takimin e tij me krerët e PDK-së në Prizren ka thënë se kjo parti nga sot fillon punën për rrëzimin e siç i ka quajtur ai “qeverive të mashtrimit”, dhe kthimin e PDK-së në pushtet.

“Më 6 tetor të vitit të kaluar ka ndodhur një mashtrim i madh politik, që ka vënë në rrezik shqiptarët. Qasja majtiste ekstreme dhe ideologjia anti-amerikane – kanë tronditur orientimin tonë kombëtar. Ndërsa, fryma e urrejtjes dhe e përçarjes brenda, dobësoi shtetin tonë dhe i hapi orekse pretendimeve antishqiptare. Ne nuk kemi njerëz për të humbur. Nuk kemi toka për të dhënë. Dhe, nuk lejojmë askënd të cenojë vlerat tona, lirinë, shtetin dhe kombin tonë”, tha Veseli.

Veseli: Nga sot nisim punën për largimin e qeverive të mashtrimit dhe kthimin e PDK-së në krye të shtetit

E lidhur me këtë deklaratë të Veselit, zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi thotë se është qëndrim fillestar i PDK-së në opozitë ndaj qeverisë së re.

Tutje, Bytyçi shprehet se PDK do të tentojë me të gjitha mjetet demokratike të dëshmojë se këto qeveri po e çojnë vendin mbrapa.

“Është vetëm qëndrim fillestar i PDK-së në opozitë, që ne do të angazhohemi në pushtet për t’i larguar mashtruesit, por sigurisht që Partia Demokratike e Kosovës do t’i shfrytëzojë të gjitha mekanizmat demokratik e ligjor që na takojnë për të dëshmuar se këta janë duke e dërguar vendin mbrapa”, tha Bytyçi për Rahovecnews.net.

E analisti Milaim Zeka për Rahovecnews.net shprehet se Veseli po sillet si opozitar që nga zgjedhjet e 6 tetorit dhe sipas tij, PDK është në pozitë më të favorshme opozitare sesa Vetëvendosja.

Zeka thotë se PDK ka qëndrim dinjitoz ndaj ndërkombëtarëve, ndërsa sipas tij Kurti është i armiqësuar me ta.

“Në mendimin tim, Kadri Veseli është sjellë si opozitar që nga dita e shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve dhe këtë deklaratë nuk e kam dëgjuar, por ai po luan rolin e opozitës dhe unë mendoj që PDK është në favor më të madh sesa Vetëvendosja për shkak të qëndrimit karshi ndërkombëtarëve që ka qëndrim shumë dinjitoz, për dallim nga Albin Kurti që është armiqësu shumë me ndërkombëtarët”, tha Zeka për Rahovecnews.net.

Zeka më tutje shprehet se PDK po tregohet më konstruktive sesa Vetëvendosja.

“Partia Demokratike e Kosovës po tregohet opozitë shumë konstruktive, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje po tregohet shumë opozitë destruktive dhe e ka akoma atë linjen e vet për me mohu çdo gjë, për të fyer çdo gjë, për të shkatërruar çdo gjë”, tha Zeka.

Mbetet të shihet se si do të formalizohet nga PDK deklarata të cilën sot e dha Veseli gjatë vizitës së tij në Prizren. /Rahovecnews.net/