Gjykata e dënon kosovaren që iu kishte bashkuar ISIS-it në Siri

gjykata-e-denon-kosovaren-qe-iu-kishte-bashkuar-isis-it-ne-siri

Gjykata Themelore në Prishtinë, të mërkurën, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarës për pjesëmarrje në grupet terroriste të ISIS-it dhe “Al Nusra”, H.K.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Musa Konxheli, e akuzuara është dënuar me 2 vite burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse e njëjta, brenda dy viteve, nuk kryen vepër të re penale.

Sipas aktgjykimit, Shërbimi Sprovues i Kosovës (ShSK) urdhërohet të bëjë mbikëqyrjen e të akuzuarës dhe nëse e akuzuara nuk mban kontakt me ShSK-në, dënimi me kusht do t’i revokohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ajo është liruar në tërësi nga shpenzimet e procedurës, me arsyetimin se është përfituese e shërbimeve sociale.

Në fund, gjykatësi Konxheli e ka njoftuar të akuzuarën H.K. lidhur me të drejtën e parashtrimit të ankesës kundër aktgjykimit të shkallës së parë në Gjykatën e Apelit, në afatin e paraparë ligjor.

Ndryshe, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 8 qershor të këtij viti, e akuzuara e kishte pranuar fajësinë për veprën që i vihet në barrë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 19 shkurt 2020, ka ngritur aktakuzë ndaj H.K, të cilën e akuzon për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga neni 143 par.2 të KPRK-së dhe nenit 3 të Ligjit nr.05/L-002, për Ndalimin bashkimit në konflikte e armatosura jashtë territorit të vendit.

Sipas prokurorisë, e akuzuara H.K, me qëllim që të marrë pjesë në veprimtarinë e grupeve terroriste  ISIS dhe “AL Nusra” në Siri, në fillim të vitit 2014, duke vepruar me dashje dhe dijeni për veprimet e veta, është nisur nga Prishtina në drejtim të Stambollit dhe më tutje për në Siri, ku i është bashkangjitur burrit të saj A.A, i cili veçse vepronte aktivisht në kuadër të grupit terrorist ISIS.

Siç përshkruhet në aktakuzë, e akuzuara ka qëndruar në Siri edhe pas vdekjes së burrit të saj, ka pranuar pagesa rregullisht nga organizata terroriste ISIS, ku pas vdekjes së bashkëshortit martohet përsëri me pjesëtarin tjetër të ISIS-it, R.H.

PSRK-ja pretendon se sipas bisedave telefonike dhe SMS, është kuptuar se akuzuara ka qëndruar edhe me tutje vullnetarisht në Siri, ku është gjetur material propagandues në formë të video incizimeve, të sulmeve terroriste të ISIS. Poashtu në aktakuzë thuhet se në rrjete sociale janë vërejtur komunikime të të akuzuarës me familjarët e saj në Kosovë, që kishin të bëjnë me pagesat të cilat i ka pranuar nga ISIS, veprime këto sipas PSRK-së të kryera në vazhdimësi deri në kohën kur është dorëzuar te Forcat Kurde në fillim të vitit 2019, ku kishte qëndruar për rreth dy muaj, ndërsa më 20 prill 2019 është depërtuar në Kosovë.