Kosova nuk luan ndonjë rol në fushatën e Serbisë

kosova-nuk-luan-ndonje-rol-ne-fushaten-e-serbise

Qysh  nga fundi i luftës në Kosovë, votimet për zgjedhjet e Serbisë mbahen atje me ndihmën e OSBE-së. OSBE-ja ka organizuar në Kosovë zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, e prej vitit 2012 edhe ato lokale. Edhe tani thonë se janë të gatshëm t’i organizojnë zgjedhjet parlamentare të 21 qershorit. Por ende nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve. „Jemi në kontakt me autoritetet dhe do të veprojmë sipas marrëveshjes“, thotë për Deutsche Welle zëdhënësi i misionit të OSBE në Kosovë, Senad Shaboviq.

Kosova ka prej javës së kaluar një qeveri të re. Kryeministri i mëparshëm, Albin Kurti i Vetëvendosjes (LVV), ka kundërshtuar shpesh mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në veri të Kosovës. Ai ka paralajmëruar shpesh, se do të mund të ndalonte ndoshta edhe mbajtjen e këtyre zgjedhjeve. Pasardhësi i tij, Avdullah Hoti (LDK), nuk do t’i ndalojë zgjedhjet, mendon nënkryetari i Këshillit për qeverisje inkluzive, Shpëtim Gashi. “Qeveria e Kosovës nuk do të ndërmarrë asgjë që do ta zemëronte Beogradin dhe është shumë e mundur mbajtja e zgjedhjeve – me ndihmë e OSBE apo në ndonjë formë tjetër“, thotë ai për DW.

Qeveria e dialogut

Qeveria e Avdullah Hotit është quajtur si “qeveria e dialogut”. Kjo qeveri ka hequr edhe masat e reciprocitetit ndaj Serbisë dhe ka hapur rrugën e dialogut të ndërprerë në vitin 2018. Ky nuk është shkaku i vetëm pse kjo qeveri nuk është e popullarizuar në Kosovë. Qeveria e re është votuar me një shumicë miniale, prej 61 votash – 10 prej tyre të Listës Serbe, parti kjo e cila në Kosovë shihet si destruktive ndaj institucioneve të Kosovës dhe nën dirigjimin e Beogradit. Kështu mendon edhe Gashi. „Hoti nuk mund t’i lejojë vetes ta zemërojë Listën Serbe dhe të ndalojë mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në veri“.

Por Gashi mendon se as Kurti nga pozita e re e opozitarit nuk do të pengojë procesin e zgjedhjeve në komunat me shumicë serbe. „Vetëm do të lëshojë ndonjë kumtesë dhe do të kritikojë mbajtjen e zgjedhjeve“, thotë ai. Megjithë mungesën e konfirmimit se zgjedhjet e Serbisë do të zhvillohen edhe në Kosovë, Komisioni Zgjedhor i Serbisë dhe autoritetet lokale kanë njoftuar se zgjedhjet do të mbahen në 90 vendvotime në Kosovë. Këshillat lokale që do të garojnë për mandate në Kuvendin e Serbisë nuk janë organizuar si herëve të kaluara. Deri ditën e dielë në veri nuk ka pasur fushatë, pankarta apo reklama parazgjedhore. Ka pasur vetëm disa lajmërime në rrjetet sociale.

Kosova në rend dite pas zgjedhjeve

Kosova ka qenë për një kohë të gjatë një prej temave më të nxehta në zgjedhjet e Serbisë, por kësaj radhe nuk është kështu. Komunat me shumicë nuk kanë qenë madje as pjesë e spoteve të Partisë Përparimtare Serbe (SNS e presidentit Vuçiq), e cila ka mbështetjen më të madhe në Kosovë.

Në diskutimet publike dominon dilema, nëse këto zgjedhje duhet të mbahen në kohën e pandemisë së virusit Corona, thotë për DW Dushan Milenkoviq, kryetar i Qendrës për dialog dhe iniciativë rajonale (CDDRI). Vetë fushata nuk ka ndonjë temë specifike. „Kosova nuk është temë e kësaj fushate, sepse nuk ka ndonjë temë të rëndësishme. Zgjedhjet janë vendosur para mbajtjes së tyre, ndonëse një parti opozitare ka hequr dorë nga bojkotimi i zgjedhjeve. Por as kjo parti nuk ka vënë në rend dite ndonjë temë që ka lidhje me Kosovën”, thotë Milekoviq për DW.

Ai mendon se partia e Vuçiqit do të fitojë dy të tretat e votave dhe se çështja e Kosovës do të vendoset në rend dite pas zgjedhjeve parlamentare në Serbi. „Nëse Kosova vërtet është e gatshme për marrëveshje, mendoj se fushata mediatike e Vuçiqit për të justifikuar këtë nënshkrim do të fillojë menjëherë pas zgjedhjeve, ku ai do të fitojë dhe festojë, duke paralajmëruar edhe fitore të reja dhe sfida të mëdha – si gjithmonë që ka bërë“, mendon ai.

Parakushti për marrëveshje është arritur me largimin e Kurtit nga pushteti. “Pushtetin në dorë e kanë tani favoritët e Vuçiqit”, thotë Milenkoviq dhe shton: “Presidenti i Serbisë ka filuar të përgatisë opinionin për marrëveshje apo njohjen e Kosovës dhe kjo tani është më e qartë se para dy-tre muajve“.