Gramoz Vokrri: Po e shoh që as në dhimbje s’jam i vetëm

gramoz-vokrri:-po-e-shoh-qe-as-ne-dhimbje-s’jam-i-vetem

Djali i Fadil Vokrrit, Gramoz Vokrri, u shpreh i emocionuar pas zbulimit të bucetës për shtatoren e babait të tij, teksa tha se në këtë moment e sheh që nuk është i vetëm as në dhimbje.

Fadil Vokrri ndërroi jetë në mënyrë tragjike më 9 qershor të vitit 2018, pas një sulmi në zemër. U nda nga jeta në moshën 57-vjeçare, sa ishte kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës.

Në dyvjetorin e vdekjes së tij janë bërë homazhe te varri i tij, ndërsa më vonë u zbulua edhe buceta fituese e shtatores së tij. Gjatë prezantimit të bucetës, djali i legjendës, Gramoz Vokrri, e dha një fjalim para zbulimit të bucetës.

“Sot për mua është një ditë pak më e veçantë. Nuk dua t’ju marr shumë kohë, por më lejoni që në emër të familjes t’ju falënderoj të gjithëve – miq, ish-bashkëlojtarë, ish-bashkëpunëtorë, nga sporti dhe jashtë sportit”, ka thënë Gramoz Vokrri.

“Më vjen mirë që futbolli na bashkoi edhe në këtë kohë pandemie. Edhe sot po e shoh më shumë sesa kurrë që as në dhimbje nuk jam i vetëm”.

Vokrri e filloi karrierën e tij si futbollist me Llapin, mirëpo debutimin si futbollist profesionist e bëri me Prishtinën në vitin 1980. Karriera e tij 15-vjeçare e dërgoi atë në Partizan, Nimes, Fenerbahce, Bourges 18. Në fund të karrierës së tij, në vitin 1995, ai u pensionua në klubin Montlucon.

Pas karrierës së tij mbresëlënëse si futbollist, Vokrri e mori përgjegjësinë e pozitës së presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës më 16 shkurt 2008, dhe këtë pozitë e mbajti deri në vdekjen e tij.

Vokrri e shtroi rrugën për suksesin e treguar në Ligën e Kombeve, ku Kosova u promovua nga Liga D në Ligën C dhe e siguroi një vend në play-offs për kualifikime në Kampionatin Evropian. Falë punës së tij në FFK, Kosova u anëtarësua në UEFA dhe në FIFA në maj të vitit 2016.

The post Gramoz Vokrri: Po e shoh që as në dhimbje s’jam i vetëm appeared first on RahovesNews.