Thaçi: Në dialog shkojmë për njohje, optimist që marrëveshja të arrihet këtë vit

thaci:-ne-dialog-shkojme-per-njohje,-optimist-qe-marreveshja-te-arrihet-kete-vit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë për medie ka bërë të ditur se në dialog me Serbinë përfaqësuesit kosovarë do të jenë të bashkuar.

Thaçi është shprehur edhe optimist se marrëveshja përfundimtare me Serbinë do të arrihet gjatë këtij  viti, raporton Rahovecnews.net.

“Kosova në këtë proces është bashkë me SHBA-të dhe gjithë aleatët e tjerë, pra nuk kemi çka të hezitojmë. Është një rrugëtim i sigurt që ne kemi shpresë dhe besojmë që do të ec sipas dëshirës së qytetarëve të vendit. Kosova është gati. Do të punojmë që të jemi sa më unik dhe të bashkuar. Do ta plotësojmë njëri-tjetrin. Kosova do të punojë për implementimin e plotë për marrëveshjet e arritura në fillim të këtij viti, për linjën ajrore, autostradën dhe për linjat hekurudhore”, deklaroi presidenti Thaçi.

Ai theksoi se në dialogun me Serbinë në asnjë mënyrë nuk do të cenohet integriteti i Kosovës.

“Ne nuk do të lejojmë që të cenohet integritetit dhe territori i Kosovës, nuk e di se cili është plani i Serbisë. Se a do të mund të arrihet marrëveshja brenda këtij viti, jam optimist se gjërat do të lëvizin në kahen e duhur. Destinacioni ynë është i qartë që të jemi pjesë e familjes evropiane”, deklaroi Thaçi.

Presidenti Thaçi bëri të ditur se në dialog me Serbinë, Kosova do të jetë e bashkuar.

“Përballë Serbisë duhet të jemi të gjithë të bashkuar, pozitë e opozitë. Njerëzit besoj se e duan që të gjithë të jemi të bashkuar në këtë aspekt dhe unë do të vazhdojë të punojë në këtë aspekt, nuk do të bëj dallime pozitë apo opozitë”, u shpreh Thaçi.

Ai po ashtu theksoi se pasi që qeveria ka hequr masën e reciprocitetit kanë pësuar edhe reagimet pozitive të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kështu duke u zhbllokuar edhe fondet nga MCC-ja.

Sipas Thaçit vendimet e tilla që janë marrë nga qeveria e kaluar kanë qenë vendime populiste të cilat i kanë shkaktuar dëme Kosovës në rrafshin ndërkombëtar.

“Dëshiroj gjithashtu të potencojë se vendimet e Qeverisë u pasuan me reagimin pozitiv të SHBA-së, pra aleatit tonë kryesorë. Menjëherë u zhbollkuan mjetet e MCC-së, që ishin të bllokuara. Edhe njëherë dëshiroj të potencojë shumë qartë se vendimet e fundit që dolën këto të arritura dëshmuan se ne nuk duhet të vonohemi dhe duhet të marrim vendime…Masa e reciprocitetit dhe taksa, dëshmuan se masat populiste i shkaktuan një dëm Kosovës në rrafshin ndërkombëtar”, theksoi Thaçi, raporton Rahovecnews.net.

Presidenti i vendit po ashtu bëri të ditur se me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kosova do të ec përpara në të gjitha rrugët e saja integruese.

“Ne si Kosovë gjitha të arriturat deri këtu i kemi realizuar përmes mbështetjes së drejtpërdrejt dhe konkrete të Amerikës dhe të gjitha administratave që kanë qenë deri më tani”, deklaroi Thaçi.

Presidenti i vendit në këtë konferencë foli edhe për rritjen e rasteve me koronavirus dhe kërkoi nga qytetarët që të vazhdojnë respektimin e masave të dhëna prej kohësh nga IKSHPK-ja.

“Çështja tjetër që dëshiroja të flas sot është ajo që e theksojmë hapur se rreziku nga pandemia COVID-19 ende nuk ka kaluar. Në ditët e fundit kemi rritje të numrit të të infektuarve, kjo rrezikon tërë atë që kemi arritur deri më tani. Rrezikon që ta përmbys punën që kanë bërë mjekët. Prandaj duke e falënderuar IKSHPK-në për punën e mrekullueshme që ka bërë, më lejoni që të kërkoj edhe unë që të respektojmë masat që janë kërkuar, pra të mbajmë maska dhe të kujdesemi për shëndetin”, theksoi Thaçi.

Sipas Thaçit, në rast se ka përkeqësim të situatës me koronavirus, atëherë institucionet e vendit do të detyrohen të marrin masa të reja parandaluese për përhapjen e koronavirusit.

“Nëse do të ketë përkeqësim të gjendjes atëherë institucionet do  të detyrohen që të kthejnë masat kundër përhapjes së pandemisë dhe kjo do t a prek ekonominë dhe shoqërinë”, deklaroi Thaçi. /Rahovecnews.net/