Lëvizja Vetëvendosje thotë se për një javë mblodhi 150 mijë nënshkrime për peticion

levizja-vetevendosje-thote-se-per-nje-jave-mblodhi-150-mije-nenshkrime-per-peticion

Qeveria “Kurti”, ra me mocionin e mosbesimit të iniciuar nga partneri i saj qeverisës, LDK, parti kjo që tash ka formuar qeverinë e re.

E në Lëvizjen Vetëvendosje kanë nisur peticionin e nënshkrimeve të qytetarëve për shkuarje në zgjedhje të reja.

Në këtë parti thonë se përgjigja qytetare është e jashtëzakonshme në mbështetje të kërkesës kundër atyre që tradhtuan vullnetin e shprehur më 6 tetor.

“Deri sot janë mbledhur 150 mijë nënshkrime dhe peticioni ende po vazhdon. Ditëve në vijim do të fillojmë mbledhjen e nënshkrimeve edhe në çdo fshat e lagje për të lehtësuar procesin e nënshkrimit të peticionit për të gjithë qytetarët që duan ta plotësojnë atë”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes, shkruan Rahovecnews.net.

Njoftimi i plotë, pa ndërhyrje:

Sot u bënë një javë prej kur filluam mbledhjen e nënshkrimeve në peticionin online për të vazhduar të nesërmen edhe atë fizik gjithandej nëpër Rëpublikën e Kosovës.

Kërkesa është një: “Duam Zgjedhje!”, ndërkaq përgjigja qytetare është e jashtëzakonshme në mbështetje të kësaj kërkese të drejtë dhe legjitime përkundër atyre që pasi tradhtuan vullnetin e shprehur me 6 tetor vazhduan edhe ta vjedhin atë.

Me vullnet të vjedhur nuk do të mund as të qeverisin e as të përvjedhin ndonjë marrëveshje të dëmshme për vendin.

Deri sot janë mbledhur 150 mijë nënshkrime dhe peticioni ende po vazhdon. Ditëve në vijim do të fillojmë mbledhjen e nënshkrimeve edhe në çdo fshat e lagje për të lehtësuar procesin e nënshkrimit të peticionit për të gjithë qytetarët që duan ta plotësojnë atë. /Rahovecnews.net/