Ish-ministrja e Kurtit i reagon Hotit pas heqjes së reciprocitetit

ish-ministrja-e-kurtit-i-reagon-hotit-pas-heqjes-se-reciprocitetit

Hajdari përmes një status inë Facebook ka thënë se vendimet e qeverisë Kurti dhanë fryt, ndërsa reciprociteti i hapi rrugë tregtisë së lirë, pa barriera.

Sipas saj tregtarët e pranuan Republikën e Kosovës, pa ngurrim.

“Dhjetëra mauna nga Serbia kaluan kufirin me dokumente që i referohen shtetit tonë si Republika e Kosovës. Sot Kabineti Hoti prishi gjithçka: prodhuesit dhe eksportuesit vendorë i la pa mbrojtjen e shtetit, ndërsa Kosovën pa Republikë.Pa Republikë, dialogu me Serbinë është josimetrik. Ai s’është dialog mes shteteve sovrane. Si do të shkoni në bisedime me Serbinë dhe kë do të përfaqësoni, z. Hoti?”, thuhet ndër të tjera në reagimin e ish-ministres Hajdari.

Ky është reagimi i saj i plotë:

Operatorët ekonomikë nga Serbia e pranuan shtetin tonë, duke kapërcyer kufirin shtetëror me dhjetëra maune dhe dokumente tregtare që na quajnë Republika e Kosovës. Kabineti Hoti nuk po e pranon Republikën tonë, andaj shfuqizoi sot vendimet e Qeverisë Kurti për zbatimin gradual të reciprocitetit si parim në marrëdhëniet me Serbinë.

Vendimet tona qenë të mbështetura po aq sa të guximshme. Reciprociteti është parim gjithësisht i pranuar i së drejtës dhe marrëdhënieve mes shteteve. Vendimet tona jetësuan këtë parim, të bazuar në aktet themeluese të Organizatës Botërore të Tregtisë.

Më 18 shkurt 2020, ne themeluam grupin punues, të përbërë nga zyrtarë, ekspertë vendorë dhe përfaqësues biznesesh, për të identifikuar dhe mënjanuar barrierat tregtare që autoritetet e Serbisë kanë vendosur ndaj nesh. Grupi punues — i udhëhequr nga kabineti im dhe me përbërje nga Oda Ekonomike e Kosovës, Klubi i Prodhuesve, Dogana, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe Departmenti i Tregtisë në MEPTINIS — prodhoi një raport 15-faqesh, duke identifikuar barrierat tregtare me Serbinë. Në vijim, ky grup punues rekomandoi heqjen e tarifës dhe vendosjen e masave të reciprocitetit. Njëherësh, prodhuesit vendorë kërkuan lehtësime për importimin e lëndës së parë.

Qeveria Kurti dëgjoi ekspertët dhe prodhuesit vendorë. Më 20 mars, nxori vendimin 01/14 që liroi nga tarifa 100-përqind lëndën e parë që importohej nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina, duke paralajmëruar ndërkohë masa të reciprocitetit.

Më 31 mars, Qeveria mori vendimin 01/20 për zbatimin gradual të reciprocitetit si parim në marrëdhëniet me Serbinë. Hoqi tarifën 100-përqind, mirëkuptoi rrethanat e ndjeshme të Bosnjë-Hercegovinës, ndërsa Serbisë iu përgjigj me kërkesa të ndërsjella për dokumentet tregtare. Por mbi të gjitha, ngritëm mekanizmin ndërinstitucional për të vëzhguar se si po zbatoheshin masat dhe sa të përshtatshme ishin ato masa për të mënjanuar barrierat e Serbisë.

Grup ndërinstitucional monitorues, i themeluar më 22 prill 2020, u mblodh gjatë prillit e majit për të vlerësuar gjendjen — për të parë nëse po zbatoheshin masat dhe nëse Serbia kishte ndërruar sjelljen. Grupi identifikoi sfidat në zbatim të masave të reciprocitetit, ndërsa gjeti barrierat e reja të autoriteteve serbe, përfshirë kushtin e ri që çdo dokument të përmbajë emrin “Republika e Serbisë”, në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit. Me rekomandimet e grupit ndëinstitucional monitorues, të paraqitura në raportin e 28 majit, dhe gjetjet e kabinetit në MEPTINIS, hartuam një vendim të ri për reciprocitetin.

Vendimi 01/37 i 30 majit 2020 e tha shkurt e shqip, se asnjë mall e asnjë maune nga Serbia s’do të pranohet pa emrin Republika e Kosovës.

Vendimet e qeverisë Kurti dhanë fryt. Reciprociteti i hapi rrugë tregtisë së lirë, pa barriera. Tregtarët e pranuan Republikën e Kosovës, pa ngurrim. Dhjetëra mauna nga Serbia kaluan kufirin me dokumente që i referohen shtetit tonë si Republika e Kosovës. Sot Kabineti Hoti prishi gjithçka: prodhuesit dhe eksportuesit vendorë i la pa mbrojtjen e shtetit, ndërsa Kosovën pa Republikë.

Pa Republikë, dialogu me Serbinë është josimetrik. Ai s’është dialog mes shteteve sovrane. Si do të shkoni në bisedime me Serbinë dhe kë do të përfaqësoni, z. Hoti?

Pa reciprocitet s’mund të ketë barazi. Pa barazi s’mund të ketë liri. Pa liri s’mund të ketë zhvillim, as mirëqenie e as dinjitet për qytetarët. /Rahovecnews.net/