Home Lajmet Rahavec Veprimet luftarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Pashtrikut

Rahavec Veprimet luftarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Pashtrikut

0
Rahavec Veprimet luftarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Pashtrikut

Mexhit Myrtezan Mustafa (1.2.1963 – 27.5.1999)

Pas fillimit të bombardimeve mbi forcat dhe bazat serbe nga Aleanca Veriatlantike, sidomos pas rënies së bombave të para, paramilitarët, policët, ushtarët dhe kolaboracionistët shqipfolës që bredhnin nëpër akset rrugore të Anadrinit, u tërbuan edhe më tepër, sepse shihej qartë se do të shkatërrohej i tërë sistemi i sigurimit dhe spiunazhit serb, i instaluar nëpër fshatrat e Anadrinit. Serbët e tërbuar shtojnë intensitetin e dhunës, të kidnapimeve dhe të ekzekutimeve në shenjë hakmarrjeje, sepse NATO po i shkatërron nga qielli kurse Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në tokë. Veçanërisht në Rahavec, fillojnë vrasjet selektive sipas kriteriumeve që ata kishin hartuar, prandaj edhe kidnapohen e vriten, e për t’i zhdukur gjurmët e krimit, hidhen në Bregun e Drinit – afër fshatit Tupec: Gani Hajda, Qerim Rexha, Ilir Dina, vriten anëtarët e familjes së Ali Sharkut, vriten Elmaze Kadiri e Hyrishahe Kadiri, kidnapohen: Neki Dema, Sylejman Dema, Shefkije Dema e Arben Durguti, vritet Veli Topalli dhe prindërit e komandant Ismet Tara, e shumë të tjerë.

Komandanti i Batalionit të Rahavecit që vepronte përreth Rahavecit, Ismet Tara – Hoxha, nën komandën e Tahir Sinanit, fillon t’i afrohet Rahavecit dhe të ndërmarrë veprime luftarake; vë dy skuadra e një kompani në “Malet e Hamocit”, me detyrë që t’i parandalojnë forcat serbe që të mos zgjerohen në shtrirje kah Celina dhe t’i marrin pozicionet në drejtim të “Rrihjeve” të Rahavecit. Skuadrat ua beson eprorëve: Xhafer Kadiri e Ajet Cena, ndërsa një kompani ua lë Bekim Sylkës e Sadedin Hajdës, të dytë dëshmorë të kombit.

Forcat serbe, të ndihmuara prej pjesëtarëve të shërbimit të sigurimit e që kishte edhe shqipfolës, pretendonin për t’u shtrirë kah Celina, e për t’i marrë “Hamocet”, “Pisjakun”, e pastaj “Lugjet e Nagacit” e “Malet e Izbishtit”, Ismet Tarës i është dashur t’i mbajë pozicionet në “Hamoc”, përreth Gurit 439 e deri në aksin rrugor Prizren – Gjakovë, drejtimi: “Paj ata e Mullabazëve” në “Tehe”, e deri te “Plepat e Celinës”, sepse zënia e këtyre pozicioneve nga serbët do të thoshte edhe kontroll mbi aksin rrugor Xërxë – Rahavec. Veprimet luftarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Pashtrikut, me Komandant Tahir Tropojën, shtohen veçanërisht pas datës 20 maj të vitit 1999, kur forcat serbe detyrohen që gjatë natës të mos rrijnë nëpër pozicione te “Ara e Dervish Hamzës”, prandaj i minonin gjatë ditës.

Pas rënies së Bekim Sylkës, më 26 maj zhvillohet “Beteja e Hamocit”, kur edhe ngadhënjejnë forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kompania e Bekim Sylkës me të cilën komandonte vetë Ismet Tara, ndërsa në tërheqje kah “Pajata e Pashës” bie heroikisht Sadedin Hajda, më 27 maj të vitit 1999. Luftëtarët e Lirisë tërhiqen prej “Lisit të Bajrakut” dhe “Hamoceve” kah “Parakatundet” e Hoçës së Vogël dhe arrijnë në qendrën e katundit me pretendime që t’i zënë pozicionet në “Izbishte”, në drejtim të Retisë dhe t’u afrohen shkijeve të Hoçës së Madhe prej shpine. Por, duke shfrytëzuar rrugën makadame, që shkon prej Hoçës së Vogël në drejtim të Izbishtit”. plumbat e snajperit serb tashmë prej “Arnineve” dhe “Parakatundeve” të Hoçës së Vogël qëllojnë Mexhit Myrtezan Mustafën, vetëm pak çaste pasi bie Sadedin Hajda. Mexhiti plagoset rëndë, e më vonë prej plagëve të marra shtegton në përjetësi dhe kështu, merr Pavdekësinë në një spital të improvizuar luftarak, që gjendej në Izbisht.

Mexhit Myrtezan Mustafa, i vëllai i Mejdiut të ndjerë, dhe i Xhemal Mustafës, luftëtar i lirisë, i vëllai i Fatimes, i Hajrisë dhe i A vdisë, i biri i Minës, bashkëshort i zonjës Haterne, bijë e Lushëve të Malësisë së Vogël, baba i Samiles, i Mehdiut, i Zyberit dhe i Ilviut, është i lindur më l shkurt të vitit 1963 në Rahavec. Rrjedh prej një familjeje shumë të varfër të vëllazërve Mustafa nga Rahaveci; Zyber e Myrtë Mustafës të cilët përherë janë mbajtur me punë krahu që bënin në një bujqësi të mjeruar, ashtu siç mbaheshin edhe të gjithë rahavecasit. Ndërsa, Zyber Mustafa nuk lë trashëgimtar, Myrta kishte Mejdiun, i cili e braktisi gjirin familjar dhe vdiq në moshën më të mirë, kishte Mexhitin dhe Malën, të cilët nëna Minë i dërgon në Luftën e Adem Jasharit, që t’u ndihmojë luftëtarëve të lirisë, pasi që bijat veç i kishte martuar, kur “Në Gllogjan u hap kushtrimi”.

Shkollën fillore, Mexhit Mustafa e mbaron në Rahavec. Mësimet i vijon në shkollën fillore “Mihal Grameno”, ndërsa atë të mesme, si të gjithë të rinjtë e Rahavecit, e mbaron në Gjimnazin e Rahavecit. Pas mbarimit të shkollës së mesme, Mexhiti nuk i kishte kushtet për ta vazhduar shkollimin e mëtejmë, për shumë rrethana, veçanërisht ato që u shkaktuan në familjen e Myrtë Mustafës pas vdekjes së hershme të Mejdiut, të vëllajt të Mexhitit.

Gjatë lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve dhe ngatërresave në Rahavec e fshatrat e Anadrinit, Mexhit Mustafa me shokë vepronte në sigurimin e lagjes dhe të rrethit ku vepronte profesor Anton çetta dhe këtu fillojnë hapat e parë të kyçjes së tij në lëvizjen për sajimin e instrumenti t të forcës.

Me të dëgjuar lajmin se profesor Ukshin Hoti do të marshojë drejt Rahavecit për të kërkuar Pavarësinë e Shtetit të Kosovës, në janar të vitit 1990, Mexhit Mustafa i bashkohet grupit të veprimtarëve të Rahavecit dhe niset për në Krushë të Madhe.

Posa e merr lajmin se Xhelal Hajda dhe Selajdin Mullabazi janë afër Rahavecit, i kanë vendosur pozicionet dhe shtabin e Batalionit të Rahavecit në malet përreth, Mexhit Mustafa me dhëndrin Eqrem Kabashi, e me dy nipat: Fatonin dhe Kujtimin, të [ançishtëve, rekrutohet në formacionin e Batalionit të Rahavecit. Mirëpo, ndërkohë prej Shqipërisë, i armatosur gjer në dhëmbë, arrin i vëllai, Xhemajli, së bashku me Bekim Sylkën e Rasim Zenunin dhe Mexhiti detyrohet të tërhiqet për të vepruar në lagjen “Ali Sokoli”, ndërsa i vëllai, Xhemajl Mustafa me nipat, Fatonin dhe Kujtim [ançishtën, vepron në formacionet e batalionit të Rahavecit.

Pas bombardimeve nga aeroplanët e Aleancës Veriatlantike mbi caqet serbe, pas shtimit të dhunës dhe të ekzekutimeve që bënin paramilitarët serbë në Rahavec dhe në fshatrat e Anadrinit, Mexhit Mustafa braktis qytetin, u bashkohet shokëve të luftës dhe të gjithë luftëtarëve të lirisë në fshatin Brestos të Rahavecit dhe kështu, sërish aktivizohet në Batalionin e Tonit dhe të Micit.

Gjatë luftimeve në fshatrat e “Grykës së Brestosit”, Mexhit Mustafa eshtë përherë në krye dhe në nivel të deryrës. Aksionet e Kompanisë së Bekim Sylkës në drejtim të “Rrihjeve” e forconin edhe më shumë Mexhitin, i cili shpresonte se do të arrinin forcat e Koshares; do t’i arrijë i vëllai, Xhemajli me nipat Fatonin dhe Kujtimin, do të arrijë Fahredin Hajda dhe kështu do të bëhen edhe më të fortë, Mexhit Mustafa e Sadedin Hajda, të dytë dëshmorë të kombit. Në luftimet e Hamocit, më 27 maj, Mexhit Mustafa është, së bashku me shokët, mu në fushëbetejën ku sot gjendet lapidari ku shkëlqejnë tre emra: Bekim Sylka, Sadedin Hajda dhe Mexhit Mustafa.

Pas luftimeve të Hamocit, luftëtarët e Rahavecit tërhiqen nëpër fshatin Hoçë e Vogël. Marshimi duhej të vazhdojë në drejtim të “Maleve të Izbishtit”, eventualisht edhe në Reti. Njëra skuadër vazhdon rrugën nëpër oborret e fshatit Hoçë e Vogël, përkatësisht nëpër dhijaret që çojnë kah “Mali i Myrtës”, ndërsa skuadrat e tjera vazhdonin nëpër rrugën që shpie për në “Izbisht”, “Kryq të Zi” dhe Reti, nëpër “Lomën e Xhepës”. Pozicionet ishin të atilla, sa që ndarja ndërmjet forcave serbe dhe forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte fshati Hoçë e Vogël, mbi të cilin fluturonin predhat, breshëritë e armëve rafalore dhe fëshfërimat e armëve snajperë dhe pikërisht në “Lomën e Xhepë Veselit”, afër oborrit të vëllezërve Luan e Shkëlzen Krasniqi të Hoçës së Vogël (sot dëshmorë të kombit), plumbat e kapin edhe Mexhit Mustafën, i cili qëndron i fortë dhe me shpresë të madhe.

Pasi që edhe Retia ishte e rrethuar prej të gjitha anëve, lugjet e fshatrave Apterrush, Reti e Zaçisht ishin vendet më të përshtatshme ku ka mundur të vendoset trupi i pajetë i Mexhit Mustafës. Ishte ky një cep lugu, nën hije të një blini, ashtu siç kishte porositur luftëtari i lirisë nënën Minë:

“Bon gajret, moj nëna ime!

T’fortë e kam unë zemrën time.

Do t’qëndroj për Liri t’Kosovës,

N’fronte tona n’maje t’Kodrës.

Nëpër Kodrat e Hamocit,

Porsi trimat e Vranocit,

Të Vranocit e të Gllogjanit,

Për Kosovën e Adem Jasharit!”

Pra, porositë që të jetë nën hije, e të ketë vend për Minën e cila do t’i ulet pranë për t’ia thënë dy fjalë burrash, të ketë vend që të ulen vocërrakët e tij tashmë burra: Samilja, Mehdiu, Zyberi e Ilviu i vogël, t’ia thonë babës ca fjalë malli, e t’i tregojnë se janë krenarë për Xhitën e tyre të dashur.

Mirëpo, me arritjen e forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me aprovimin e detyrës që të gjithë shokët e mbetur nëpër male do të mblidhen në një vend, menjëherë pas Bekim Sylkës afrohen edhe Bajram Veliu e Sadedin Hajda dhe u vendosën në krye të Lugjeve të Verdha të Rahavecit, sot “Kopshti i Dëshmorëve”. Dhe kështu tash prej këtij kopshti shikojnë Kosovën, të cilës ia falën jetën, shikojnë dhe dëgjojnë për idealin e tyre dhe pushojnë duke pritur realizimin e plotë të ëndërrave të luftëtarëve të lirisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

error: Ku po shkon !!