Në Komunën e Rahovecit momentalisht është duke u realizuar projekti i Restaurimit të Objekteve Kulturoro-Historike


Ky projekt pa mëdyshje mund të quhet projekt i Turpit, ku në emër të restaurimit të objekteve është duke ndodhur pikërisht e kundërta e restaurimit, e ajo është shkatërimi i trashëgimisë kulturore.


Momentalisht në kuadër të këtij projekti është duke u punuar në restaurimin e Mullirit të Familjes Hoxha, i cili është i vjetër afro 300 vite, dhe njihet si ‘’Mulliri i Hoxhajve’’.


Në Komunën e Rahovecit tashmë është evidente që tashmë nuk kanë informacion çka nënkuptohet me restaurim, konzervim dhe fasadim.


Në emer të restaurimit të trashëgimisë kulturore është duke ndodhur më e keqja, ku kemi fasadim të Mullirit të vjetër afro 300 vite, me pllakat të cilët nuk korenspodojnë me materialet rrethanore, madje në këtë rastë kemi mbulim të gurëve të vjetër, të cilët u kanë mbijetuar tre shekujve.


Për restaurimin e objekteve fillimisht duhet të përpilohet projekti për restaurim, projekti i restaurimit duhet të kryhet nga ekspertë të licencuar për hartimin e projektit, njëashtu kompania duhet të jetë e licencuar për restaurim të objekteve.


Restaurimi dhe Konservimi i Objekteve të Trashëgimisë Kulturore nënkupton:
“Konservimi dhe restaurimi i monumenteve ka për qëllim të ruajë si veprën e artit ashtu edhe dëshminë e historisë”.


“Konservimi i një monumenti duhet të marrë parasysh dhe ambientin përreth. Kur ky ambient është tradicionalisht i lidhur me monumentin, ai duhet ruajtur dhe nuk duhen lejuar ndërtimet e reja, prishjet dhe përshtatjet që mund të ndryshojnë raportet e volumeve dhe të ngjyrave”.
“Shtesat nuk mund të lejohen veçse në masën në të cilën ato respektojnë të gjitha pjesët interesante të godinës, kuadrin e saj tradicional, drejtpeshimin e kompozicionit të saj dhe raportet e saj me ambientin rrethues”.


Gjurmimi, mbrojtja, restaurimi dhe publikimi i vlerave të monumenteve të kulturës kryhen kryesisht mbi bazën e studimeve shkencore, duke respektuar kriteret e restaurimit të monumenteve të kulturës dhe teknika të përshtatshme për ndërhyrje restauruese. Kriteret e restaurimit përpunohen nga Institucioni përgjegjës për mbrojtjen e monumenteve, i cili ka për obligim të mbikqyrë çdo ndërhyrje restauruese.


Kërkoj nga Komuna e Rahovecit urgjentisht të ndërpresë implementimin e këtij projekti të turpshëm. Komuna e Rahovecit gjatë implementimit të projekteve të tilla duhet patjetër të konsultohet me eksperta të trashëgimisë kulturore, arkitektë, inxhinjerë, topografë, artistë etj.
Kërkoj edhe nga Familja Hoxha që urgjentisht t’i ndërpresë këto punime të cilët janë duke u zhvilluar tek mulliri i familjes së tyre, sepse me realizimin e këtyre punimeve nuk është duke u mbrojtur trashëgimia kulturore, por në të kundërtën kemi shkatërimin dhe degradimin e saj.


Në vijim janë të paraqitura fotografi, ku pasqyrohet niveli i punimeve.