Kështu u zhvillua aksioni policor ndaj qendrave të masazhit në Prishtinë

keshtu-u-zhvillua-aksioni-policor-ndaj-qendrave-te-masazhit-ne-prishtine

Dhjetëra njësi të Policisë së Kosovës dhe inspektorë të tregut po bëhen gati për një aksion të përbashkët të koduar “Kontrolli”.

Të ndarë në 10 njësi, pjesë e së cilave ishin departamenti i migracionit, ai i trafikimit me qenie njerëzore, inspektorë të Komunës, dhe ata të punës e të tregtisë, aksioni nisi në kryeqytet.

Në lokacionin e parë në lagjen “Arbëria”, Policia ka hasur në klientë duke pritur para një qendre masazhi. Klientët ishin të ardhur nga Siria dhe komunikimi me ta ishte i vështirë, megjithëse e thoshin qartë se kishin ardhur nga kampi për të bërë masazh, raporton KTV.

E meqë klientët prisnin për shërbime, Policia e bindur se brenda është duke u punuar mori urdhrin nga Prokuroria për të thyer derën. Këtu nuk gjetën asgjë, e sirianët u dërguan në stacionin policor pasi kishin thyer urdhrin e lëvizjes. Në një lagje tjetër, një tjetër njësi ka hasur në një lokal masazhi të hapur. 5 punëtore, një klient dhe dy pronarë që ishin vëllezër kanë qenë në këtë lokal masazhi në momentin e intervenimit.

Ministria e Tregtisë vendosi ta mbyllë atë pasi kjo veprimtari nuk është e lejuar të operojë në fazën e dytë të lehtësimit të masave, që nisi në fillim të javës. Megjithatë, në dyert e lokalit, pronarët e qendrës së masazhit ishin kujdesur që t’ua përkujtonin klientëve që të mbanin distancën prej 1 .5 metrave. Policia ka polemizuar me pronarët.

Në lagjen “Mati 1” derisa aksioni po vazhdonte, inspektorët e Tregut nuk ishin të një mendimi ndërmjet vete dhe nuk u pajtuan për mbylljen e lokalit. Policia planifikonte ta mbyllte aksionin.

Pronarët e lokalit, shtetas nga Shqipëria, i kanë deklaruar KTV-së se ishin keqkuptuar për lejimin e veprimtarisë, pasi kanë menduar se qendrat e tyre lejohen të punojnë, duke i konsideruar të së njëjtës veprimtari me fizioterapeutët.

Por, me ardhjen e inspektorëve të punës ndërroi situata. Lokali u mbyll pas kontrollit që gjeti shumë parregullsi, duke përfshirë dy punëtore lokale pa kontrata pune. Arsyetimi i pronares ishte se ato kishin filluar punën në ditën e aksionit. Bazuar në urdhëresat e prokurorive kompetente janë realizuar kontrolle në 14 lokacione në kryeqytet, prej tyre 6 kanë qenë të hapura, ku janë takuar 23 persona, ndaj të cilëve janë marrë masat e nevojshme ligjore.

Në Ferizaj objekt kontrolli kanë qenë 3 lokacione, por që kanë qenë të mbyllura, përderisa është kontrolluar edhe një restorant, por nuk është vërejtur ndonjë shkelje. Ndërkaq 2 prej katër lokaleve të kontrolluara në Prizren kanë qenë të hapura, ku janë takuar 12 persona, ndaj të cilëve janë marrë masat e nevojshme ligjore.