Ballkani reagon ashpër: S’jeni profesionistë, merrni përgjegjësi e jo vetëm privilegje

ballkani-reagon-ashper:-s’jeni-profesioniste,-merrni-pergjegjesi-e-jo-vetem-privilegje

Ballkani ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në futbollin kosovar përmes një deklarate të lëshuar, duke kritikuar Ministrinë e Shëndetësisë dhe Federatën e Futbollit të Kosovës për rrethanat në të cilat është vendosur të kthehet futbolli.

Sezoni 2019/20 i Superligës së Kosovës u ndërpre në fillim të muajit mars, shkaku i përhapjes së virusit Covid-19 në botë. Në atë kohë po bëhej garë e zjarrtë për titullin e kampionit pasi që kishin mbetur edhe 11 ndeshje deri në fund

Megjithatë, tani Ministria e Shëndetësisë ua ka lejuar kthimin e futbollistëve në seanca stërvitore dhe Federata e Futbollit ka vendosur që më 7 qershor të rinisë kampionati vendor. Megjithatë, për dallim me vendet e mëdha evropiane, lojtarët në Kosovë nuk janë testuar për Covid-19 para se të kthehen në stërvitje.

Pikërisht protokolli përmes të cilit u arrit marrëveshja mes MSH-së dhe FFK-së për ta rinisur kampionatin është kritikuar nga klubi që ishte lider i ligës, Ballkani, përmes një deklaratë për media.

Pasi i uroi shërim të shpejtë futbollistit të Dritës Izair Eminit të infektuar me Covid-19, Ballkani kërkoi që lojtarët të testohen për Covid-19, në mënyrë që të mos ketë mundësi që një lojtar i infektuar ta përhap virusin te e gjitha skuadra.

“Lidhur me këtë rast edhe njëherë u bëjmë thirrje organeve kompetente – MSH dhe FFK – që urgjentisht të bëjnë testimin e të gjithë futbollistëve dhe stafit të përfshirë në procesin stërvitor, gjithashtu kërkojmë që çdo herë para ndeshjeve zyrtare të bëhen ritestime për të evituar ndonjë fatkeqësi më të madhe, pastaj do të jetë vonë dhe nuk pranojmë asesi të ndërpritet kampionati”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Ballkani.

Një protokoll të ngjashëm me kërkesën e Ballkanit – për testimin e vazhdueshëm të lojtarëve – e kanë në fuqi ligat e tjera evropiane – si Bundesliga. Mirëpo, insistimet e Ballkanit janë cilësuar si tentim për ta mbyllur kampionatin para kohe për t’u shpallur kampionë, gjë të cilën klubi e ka mohuar.

“FC Ballkani gjithmonë ka qenë i interesuar qe garat të rifillojnë pasi kemi planin afatgjatë për të krijuar klub model dhe shembull në rajon, e jo plan për 2-3 vite, ku të gjithë kanë menduar se interesi i klubit tonë ka qenë me u ndërpre dhe të jemi fitimtar në këtë kohë krize, por ne i kemi zhvilluar 22 lojë të barabarta me të gjithë Superligën, dhe prej ditës së parë kemi qenë pothuajse 90% në vend të parë”, shtoi Ballkani.

“Krejt zhurma çka është bërë prej klubit tonë ka qenë për t’u marrë seriozisht me ndjenjat e futbollistëve dhe investitorëve, e jo me vendos njerëz që janë nën presione dhe njerëz jo profesionistë të cilët futbollin e kanë shikuar vetëm në TV, tani përgjegjësia do të jetë e tyre dhe ne si klub çka do që do të ndodhë s’do të marrim as edhe një përgjegjësi të vetme”.

“Kërkojmë nga organet përgjegjëse të marrin përgjegjësi e jo vetëm privilegje duke i hartuar dhe aprovuar protokollet që mund të realizohen në kuadër të kushteve tona, e jo të marrin shembullin e shteteve evropiane kur dihen kushtet e Kosovës dhe Evropës”.

The post Ballkani reagon ashpër: S’jeni profesionistë, merrni përgjegjësi e jo vetëm privilegje appeared first on RahovesNews.