Dumoshi vizitoi Podujevën, priten investime të shumta

dumoshi-vizitoi-podujeven,-priten-investime-te-shumta

Bëhet fjalë për mbështetjen financiare të projektit “Stadiumi i Qytetit në Podujevë”, i cili do të implementohet këtë vit dhe MKRS-ja do të ndajë 250 mijë euro për këtë investim. Ndërsa, komuna do të menaxhojë dhe zhvillojë procedurat e prokurimit dhe bashkërisht me ministrinë do të kujdesen për implementimin e projektit në fjalë, thuhet në njoftim.

Në vitin 2021, investimet në stadiumin e qytetit të Podujevës “Zahir Pajaziti”, pritet të përfundojnë ku do të investohet edhe një shumë tjetër në vlerë prej 300 mijë euro të tjera, dhe ky stadium do të jetë i kategorisë së dytë sipas kritereve të UEFA-së, transmeton Rahovecnews.net.

Në takimin e mbajtur në Komunën e Podujevës, Dumoshi e Rudari biseduan për projektet e përbashkëta të MKRS-së me Komunën dhe theksuan se këto projekte janë në dobi të qytetarëve të asaj ane. Konkretisht është biseduar për investimin që po bën MKRS-ja në ndërtimin e palestrës në vlerë prej 2,3 milion euro, e cila po ndërtohet sipas kritereve të FIBA-as. Një projekt tjetër i cili do të fillojë së shpejti është ai i qendrës rinore në këtë qytet, në vlerë prej 55 mijë euro.

“Investimet që po i bën ministria janë projekte të cilat do të krijojnë mundësi dhe hapësira të nevojshme për qytetarët, dhe unë si ministre ndjehem shumë e lumtur që përkrahja institucionale po ndikon drejtpërsëdrejti në përmirësimin e kushteve për banorët e Podujevës me rrethinë”, tha ndër të tjera ministrja Dumoshi.

Ndërsa, nga ana e tij, Rudari e falënderoi ministren Dumoshi për përkrahjen dhe kujdesin që MKRS-ja po tregon për Podujevën. “Janë të mirëseardhura dhe shumë të dobishme investimet që po realizohen nga MKRS-ja në qytetin tonë”, u shpreh Rudari.

Gjatë qëndrimit të saj në Podujevë, ministrja vizitoi edhe stadiumin e qytetit, ku nga afër përcolli seancën stërvitore të Klubit Futbollistik “Llapi” dhe bashkëbisedoi me drejtuesit e klubit dhe futbollistët.

Ministrja Dumoshi tha se MKRS-ja u ndodhet pranë dhe i përkrah të gjithë sportistët pa përjashtim në bazë të mundësive dhe kapaciteteve buxhetore që ministria ka, duke bërë investime të shumta kapitale por edhe në përkrahje të drejtpërdrejtë në ngritje të cilësisë në sport dhe në nxjerrjen e talenteve të reja. /Rahovecnews.net/