Basketboll, anulohen garat në të gjitha kategoritë seniore për sezonin 2019/20

basketboll,-anulohen-garat-ne-te-gjitha-kategorite-seniore-per-sezonin-2019/20

Në mbledhjen e vet të rregullt të mbajtur më 19 maj 2020, Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) duke i parë zhvillimet e fundit me pandeminë COVID-19, në bazë të kompetencave të veta statutare, sot unanimisht ka marrë vendim që të anulojë garat në të gjitha kategoritë seniore për stinorin 2019/2020.

“Vendimet për ndërprerjen dhe anulimin e garave të në gjitha kategoritë seniore, përfshirë vendimin e datës 31 mars 2020 për anulimin e garave në Superligat e Kosovës në basketboll, janë marrë duke pasur në vëmendje dhe radhë të parë shëndetin e lojtarëve, trajnerëve, punëtorëve sportivë dhe të gjithë akterëve të përfshirë në organizimin e garave të basketbollit, si dhe karakteristikat e sportit tonë, zhvillimi i së cilit është i pamundur në kohë kur pandemia globale po vazhdon që të jetë e pranishme në Kosovë”, thuhet në njoftimin e FBK-së.

Në lidhje me modalitetet e vazhdimit të stinorit të garave në kategoritë e grupmoshave të reja, apo organizimin eventual të një gare zëvendësuese gjatë verës ose para fillimit të stinorit të ri, Federata e Basketbollit të Kosovës ka bërë të ditur se do të njoftojë opinionin me kohë pas konsultimeve me autoritetet përkatëse në nivel vendor dhe ndërkombëtar dhe në pajtim me udhëzimet e profesionistëve shëndetësorë. “Vendimi për garat e grupmoshave të reja do të merret pas rishqyrtimit të masave mbrojtëse nga pandemia nga autoritet përgjegjëse të Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.

Ky vendim hyn në fuqi në datën e miratimit të tij nga Bordi Ekzekutiv i Federatës së Basketbollit të Kosovës.

The post Basketboll, anulohen garat në të gjitha kategoritë seniore për sezonin 2019/20 appeared first on RTV21.