Deliu-Kodra: Dështimet e përditshme të qeverisë Kurti bënë që diaspora ta braktisë atë

deliu-kodra:-deshtimet-e-perditshme-te-qeverise-kurti-bene-qe-diaspora-ta-braktise-ate

Deliu, përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se Kurti dështoi për arsye të dyfishtë: së pari dështoi të bëjë transparent procesin e dërgimit të parave dhe së dyti dështoi me sasinë e cila sipas saj tregon se ai u braktis nga diaspora.

“Në fillim të prillit qeveria e shkarkuar e Kurtit bëri thirrje për donacione nga diaspora për të luftuar koronavirusin. Ky projekti i donacioneve të Kurtit bën pjesë në 100 dështimet e tij gjatë 100 ditëshit si kryeministër për arsye të dyfishtë. Së pari sepse dështoi të bëj transparente procesin dhe së dyti dështoi me sasinë gjë që tregon se ai u braktis nga diaspora”, ka thënë ajo.

Tutje ajo ka shkruar se fonde të donacioneve për pandeminë kanë organizuar edhe shtetet fqinje, ndërsa thekson se, ndryshe nga qeveria e Kosovës, ato i kanë publikuar raportet për donatorët dhe fondet e dhuruara.

“Fonde për donacione për pandeminë kanë organizuar edhe vende të tjera fqinje si Bosnje Hercegovina, Serbia, Mali i Zi apo Maqedonia e Veriut. Mirëpo ndryshe nga Kosova, që është duke funksionuar krejtësisht në errësirë të plotë, të gjitha këto shtete kanë vënë në dispozicion të publikut raporte me informacione të hollësishme për donatorët dhe fondet e dhuruara. Ndërsa ky informacion nuk bëhet aspak publik nga qeveria e shkarkuar e Kurtit, por thjesht në fillim të majit u bë një njoftim se janë mbledhur rreth 700 mijë euro donacione nga diaspora në llogarinë COVID-19 të cilat do të përdoren për nevoja të Ministrisë së Shëndetësisë. Kaq pak informacion është fyes për diasporën që ka dhuruar për humanizëm”, ka thënë Deliu-Kodra.

Në fund, deputetja e PDK-së ka theksuar se 700 mijë euro janë shumë pak që deshmon se diaspora nuk i beson më Kurtit për këtë çështje dhe se mbyllja e ministrisë së Diasporës dhe dështimet e 100 ditëve të qeverisjes së tij kanë bërë që diaspora të zbeh përkrahjen që ka pasur.

“700 mijë euro janë shumë pak gjë që dëshmon se diaspora nuk i beson Kurtit për këtë ccështje. Dikur e ka mbështetur shumë Kurtin mirëpo sjellja e Kurtit me mbylljen e ministrisë së Diasporës dhe dështimet e përditshme gjatë 100 ditëve të qeverisë, me sa duket e kanë zbehur këtë përkrahje që ka pasur. Për ta kuptuar se sa pak para janë këto krahasuar me potencialin që ka diaspora jonë mjafton ta krahasojmë me Malin e Zi. Fondi i donacioneve të mbledhura prej diasporës së këtij shteti që ka 1/3 e popullsisë së Kosovës është aktualisht 6.820.091 euro ose pothuaj dhjetëfishi i Kosovës”, ka përfunduar Blerta Deliu-Kodra.