155 raste të dhunës në familje gjatë dy muajve të parë të izolimit

155-raste-te-dhunes-ne-familje-gjate-dy-muajve-te-pare-te-izolimit

Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga çështjet më shqetësuese, jo vetëm në Republikën e Kosovës, por në mbarë botën.

Me një numër të madh të rasteve të tilla po përballemi edhe gjatë kohës së pandemisë globale, Covid-19.

Nga 13 marsi, kur në Republikën e Kosovës u regjistruan rastet e para me koronavirus, e deri më 13 maj, Policia e Kosovës (PK) ka raportuar për paraqitjen e 155 rasteve të dhunës në familje.

Konkretisht, nga 13 mars e deri më 13 prill, PK ka raportuar se nga qytetarët janë paraqitur 73 raste të dhunës në familje, kurse nga  data 14 prill e deri me 13 maj është raportuar se janë paraqitur 82 raste të dhunës në familje.

Sa i përket periudhës së muajit të parë prejse Republika e Kosovës po përballet me pandemi, respektivisht nga 13 marsit deri më 13 prill, sipas të dhënave të PK-së përmes raporteve 24 orëshe, numri më i madh i rasteve të tilla të paraqitura është në Prishtinë, me gjithsej 12 raste për një muaj.

Pas Prishtinës, gjatë periudhës raportuese, në Prizren janë raportuar 11 raste të dhunës në familje, në Gjakovë 9 raste, në Pejë 7 raste, kurse në Gjilan 6 raste të tilla.

Tutje, në Mitrovicë është raportuar për 4 raste, përderisa në Fushë Kosovë, Istog, Rahovec, Deçan dhe Podujevë është raportuar për nga 3 raste në secilin vend.

Ndërkaq, nga dy raste të dhunës në familje janë raportuar në Vushtrri, Zubin Potok dhe Obiliq, kurse në Ferizaj, Grqanicë dhe Viti është raportuar vetëm nga një rast, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kurse, në muajin e dytë të ballafaqimit me Covid-19, konkretisht nga data 14 prill e deri më 13 maj, kryeqyteti prin me paraqitjen e rasteve të dhunës në familje, ku në bazë të raporteve 24 orëshe të PK-së, janë paraqitur 26 raste.

Pas Prishtinës, në Gjakovë janë paraqitur 12 raste të dhunës në familje, në Prizren 7 raste, në Fushë Kosovë 6 raste, kurse në Lipjan 5 raste të tilla.

Tutje, në Gllogoc e në Malishevë janë raportuar nga 4 raste, ndërkaq, në Istog, Viti, Mitrovicë, Rahovec, Podujevë, Gjilan e Vushtrri janë raportuar nga 2 raste për secilën komunë.

Ndryshe nga to, në Ferizaj, Kamenicë, Shtime dhe Deçan është raportuar për vetëm nga një rast.