Vazhdon përplasja Thaçi – Kurti, ky i fundit e fton në zgjedhje presidentin

vazhdon-perplasja-thaci-–-kurti,-ky-i-fundit-e-fton-ne-zgjedhje-presidentin

Kurti duke komentuar akuzat e sotme të Thacit i ka bërë thirrje atij të jap dorëheqje nga pozita e tij dhe të garojë në zgjedhje, pasi sipas tij ai po sillet si të ishte në një fushatë zgjedhore.

I pari i qeverisë në detyrë gjatë së premtes në një konferencë për media tha se presidenti Thaçi duhet të respektojë Gjykatën Kushtetuese dhe jo të shkruaj atë.

“Fatkeqësisht kemi një president idhnak për plotë vererë i cili ministrit të Shëndetësisë dëshiron të i bëhet mjek. Ministrit të Punëve të Jashtme të i bëhet ministër. Mua si kryeministër në detyrë të më bëhet mbret. Ndërkaq prokurorëve të iu bëhet gjykatës. Kam përshtypjen se ai ka hyrë në një udhë që shpreson se do t’i dhimbset popullit. Por kjo gjë varet nga populli”, tha ai.

Kryeministri në detyrë tha se institucionet e Kosovës nuk janë të bllokuara, por një karrige, e cila sipas tij është e presidentit të Kosovës.

“Presidenti i Kosovës nuk është i kënaqur me ulësen e tij. Prandaj bënë mirë që të lirojë atë, të lëshojë ulësen dhe të vij në fushatë zgjedhore. Më pastaj aty të shikojë për vizionin që do të jap dhe votat që do të marrë. Qartazi ai dëshiron të jetë më shumë se president, për këtë i duhet dikush që është më pak se kryeministër. Por tek unë nuk mund të gjejë këtë… kemi një president të frustruar i cili si i tillë po bëhet gati për fushatën zgjedhore. Unë mendoj që më së miri, më së drejti më së sinqerti nuk mund të jetë sesa të dorëheqjet dhe të vijë në fushatë. Sepse ashtu po sillet, sepse ashtu po flet. Institucionet nuk janë të bllokuara, kemi një karrige të bllokuar prej dikujt që nuk është në nivelin e detyrës. Rrjedhimisht është jashtë detyrës”, tha ai.

Kurti u shpreh i bindur që Gjykata Kushtetuese nuk do të lejojë, siç tha dekretet e presidentit të jenë autor të shkrimit të Kushtetutës.

“Nuk besoj që Gjykata Kushtetuese lejon që dekretet e presidentit të jenë autor të shkrimit të kushtetutës. Presidenti duhet të respektojë kushtetutën nuk mund të shkruaj atë. Ndërkaq Gjykata Kushtetuese e interpreton atë”, tha ai.

I pyetur për mundësitë e hapjes graduale të kufirit me Shqipërinë, Kurti tha se posa të krijohen kushtet do të bëjnë një veprim të tillë.

“Ne jemi të interesuar që posa të krijohen kushtet të bëjmë këtë hapjen e kufirit. Veçse të dini që vendimet, masat nuk janë politike. Nuk janë as demokratike sa janë shkencore. Bazohen në rekomandimet e IKShPS-së. Unë jam kryeministër në detyrë, nuk kam dilema për këtë gjë, kush ka dilema duhet të pyeten ata”, tha ai. /Rahovecnews.net/