Shteti u mbetet borxh me mijëra euro të burgosurve

shteti-u-mbetet-borxh-me-mijera-euro-te-burgosurve

As këtë vit, Shërbimi Korrektues i Kosovës nuk ka arritur që t’i kthej të gjitha depozitat e të burgosurve të liruar. Deri në fund të vitit 2019, vlera e depozitave të pakthyera ishte rreth 28 mijë euro.

Në raportin vjetortë Zyrës Kombëtare të Auditimit për Ministrinë e Drejtësisë, mos kthimi i depozitave nga zyrtarët është arsyetuar me mos interesimin e të burgosurve për mjetet të cilat iu kanë mbetur si depozita.

“MD, respektivisht Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK), nuk kishte arritur që t’i kthej të gjitha depozitat e të burgosurve të liruar. Vlera e depozitave të pakthyera për të burgosurit e liruar në fund të vitit 2019 ishte 27,814€. Sipas zyrtarëve përgjegjës, këto mjete nuk janë kthyer, për arsye se disa nga të burgosurit pas lirimit, nuk janë interesuar për mjetet të cilat ju kanë mbetur si depozita”, thuhet në raport.

Sipas ZKA’së, mos kthimi i mjeteve të burgosurve të cilët i përfundojnë dënimet apo lirohen, ka ndikuar në dëmtim financiar të personave të liruar.

Ky institucion i rekomandon Drejtorit të Shërbimit Korrektues që të të siguroj që zyrtarët përkatës të cilët janë të ngarkuar me menaxhimin e parave të të burgosurve, me rastin e përfundimit të dënimeve, secilit person të liruar nga burgu t’ia kthejnë mjetet që ka në depozitë.

Ndryshe, Neni 131, paragrafi 1 i Ligjit Nr. 04/L-149 për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale parasheh se “Pas lirimit, personit të dënuar i jepen të gjitha gjërat dhe sendet personale të cilat atij i janë ruajtur nga institucioni korrektues, kursimet e tij dhe paratë që i ka pranuar gjatë kohës së mbajtjes së dënimit”.