Policia pa bazë ligjore ndalon qytetarët në shesh: Ku i keni maskat dhe dorëzat?

policia-pa-baze-ligjore-ndalon-qytetaret-ne-shesh:-ku-i-keni-maskat-dhe-dorezat?

Policia e Kosovës bashkë me inspektorë, pa asnjë vendim apo ligj funksional, po i ndalon qytetarët që nuk kanë maskat dhe dorezat e vendosura në fytyrë në hapësirat jo të mbyllura, nga ku më pas po ua merr edhe të dhënat personale, pa dhënë asnjë shpjegim se pse po ndodh kjo, apo nëse të njëjtit mund të dënohen. Më tutje, ata nuk përmendin as ligjin mbi të cilin janë bazuar për t’i ndalur qytetarët për këtë arsye.

Policia e Kosovës në sheshet kryesore të Prishtinës sot ka ndaluar qytetarë të cilët nuk kishin pasur të vendosura maskat dhe dorezat, shkruan lajmi.net.

Bashkë me inspektorët, ata ua kanë marrë të dhënat personale qytetarëve, duke u bazuar në një ligj inekzistent të nxjerr nga ministria e Shëndetësisë, për bartjen e maskave dhe dorezave. Maskat dhe dorezat, vetëm janë rekomanduar nga ministria e Shëndetësisë si masa mbrojtëse, mirëpo asnjëherë nuk është publikuar ndonjë vendim që obligon mbajtjen e tyre.

Lajmi.net ka siguruar një video nga sheshi i Prishtinës, ku një pjesëtare e policisë së Kosovës dhe një inspektor ndalojnë një qytetar që nuk kishte të vendosur maskë, duke mos e marrë për bazë aspak faktin që i njëjti ishte në orar të punës. Ata ia kërkojnë atij dokumentet personale, nga ku më pas edhe ia marrin të dhënat, duke cituar kështu një ligj të MSH-së, i cili nuk specifikohet saktë.

“Për çka jam ndaluar?” – Pyet qytetari.

“Për mos respektim të zbatimit të ligjit të ministrisë së Shëndetësisë. Mbajtjen e maskës” – ia kthen inspektori.

“Për çka i ke marrë të dhënat?” – pyet qytetari.

“Që të kena ndalu” – ia kthen inspektori.

“A është dënim a çka është” – interesohet përsëri qytetari.

“E shohim, në bazë të ligjit”, ia kthen inspektori duke mos treguar as për cilin ligj, e as për cilin vendim të MSH-së që obligon mbajtjen e maskës në hapësira jo të mbyllura, siç është sheshi i Prishtinës.

Qytetari në vazhdim të videos që mund ta ndiqni më poshtë, insiston të dijë më shumë rreth ligjit që po i referohet policia, mirëpo ata ecin nga aty pa dhënë ndonjë përgjigje të saktë.

Pas këtij rasti, gazetari i lajmi.net ka dalë në terren nga ku ka parë policët të cilët ndalin edhe qytetarët tjerë që lëvizin në shesh, e të cilët i nënshtrohen të njëjtës procedurë.

Deri tani ministria e Shëndetësisë ka lëshuar një sër vendimesh që kanë të bëjnë me kufizimin e lëvizjes, dhe mbylljen e dyqaneve e bizneseve të tjera, mirëpo nuk ka publikuar një vendim obligativ për mbajtjen e maskës dhe dorezave, aq më pak në hapësira jo të mbyllura, siç janë sheshet.

Kujtojmë se para disa ditësh, në të njëjtin shesh u mbajt një tubim i Vetëvendosjes, me rreth 400 persona, ku policia as që ndërhyri për t’i parë nëse dokumentacionet e të njëjtëve përputheshin me kohën kur ata e kanë të lirë të dalin.

Lajmi.net ka tentuar të marrë edhe një përgjigje nga zëdhënësi i MSH-së, Faik Hoti, mirëpo i njëjti deri ne momentin e publikimit të artikullit nuk është përgjigjur.

Po ashtu, lajmi.net ka tentuar të marrë edhe një shpjegim nga Policia e Kosovës  se pse ka ndodhur kjo në sheshet e Prishtinës, mirëpo që të njëjtin nuk e ka marrë.