Apeli e lë në paraburgim Xhabir Zharkun

apeli-e-le-ne-paraburgim-xhabir-zharkun

Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e mbrojtëses së ish-kryetarit të Kaçanikut, Xhabir Zharku, ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, me anë të së cilit atij i është vazhduar paraburgimi për dy muaj. Zharku është arrestuar në dhjetor të vitit 2019, nën dyshimet se gjatë viteve 2008-2010, ka kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare apo autorizimit, në kohën kur ishte kryetar i Komunës së Kaçanikut, raporton “Betimi për Drejtësi”. Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, me aktvendimin e datës 4 maj, ia ka vazhduar masën e paraburgimit të pandehurit Xhabir Zharku, në kohëzgjatje prej dy muajsh. Kundër këtij aktvendimi në afat ligjor ka ushtruar ankesë mbrojtësja e të pandehurit, Albana Kelmendi. Ajo e kishte atakuar aktvendimin për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale nga neni 173 dhe neni 187 dhe aplikimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që ankesa të aprovohet si e bazuar dhe aktvendimi i ankimuar të ndryshohet, ashtu që i pandehuri të mbrohet në liri ose t’i shqiptohet masë tjetër që siguron praninë e të pandehurit në procedurë penale, e paraparë me nenin 173 të KPPRK-së. Prokuroria e Apelit e Kosovës kishte propozuar që të refuzohet si e pabazuar ankesa e mbrojtëses së të pandehurit Xhabir Zharku. Gjykata e Apelit e Kosovës, në seancën e kolegjit, i ka shqyrtuar shkresat e lëndës dhe ka vlerësuar se ankesa nuk është e bazuar. “Në ankesë, mbrojtësja e të pandehurit thekson se nga arsyetimi i aktvendimit të ankimuar, qëndrimi i gjykatës është i mangët bazuar në gjendjen faktike të verifikuar në mënyrë të pamjaftueshme dhe jo të plotë për të marrë vendimin si në dispozitiv të aktvendimit të ankimuar. Më tutje në ankesë theksohet se në këtë kohë të Pandemisë Globale, duhet të kihen parasysh rrethanat e krijuara dhe t’i japë rendësi parimeve themelore të drejtësisë të cilat janë të detyrueshme për zbatuesit e ligjeve dhe që kanë epërsi mbi aktet nacionale. Sipas mbrojtjes, gjykata nuk i ka shqyrtuar dhe analizuar mjaftueshëm të gjitha faktet, dëshmitë dhe arsyet e parashtruara nga prokuroria, ngase rrethana e dënimit që parashihet për veprën penale që i vihet në barrë të pandehurit, pastaj fakti se i njëjti më parë ka qenë në arrati, nuk e justifikojnë vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak dhe se gjykata nuk ka dhënë shpjegime të mjaftueshme se pse konsideron se ekziston rreziku i ikjes apo pse ky rrezik nuk mund të parandalohet edhe përmes masave tjera alternative”, thuhet në aktvendim të Apelit. Gjithashtu, thuhet se mbrojtja ka konsideruar se nuk ekziston as baza për vazhdimin e paraburgimit sipas pikës 1.2.2 të KPPRK-së, ngase është e paqartë dhe e pa arsyetuar fakti se si mund të ndikojë i pandehuri në dëshmitarë, përderisa emrat e dëshmitarëve nuk i di as i pandehuri as mbrojtja. Sipas vlerësimit të Apelit, pretendimet e mësipërme ankimore janë të pabazuara. “Në aktvendimin e ankimuar, gjyqtari i procedurës paraprake, drejtë ka arsyetuar dyshimin e bazuar se i pandehuri e ka kryer veprat penale për të cilat dyshohet, dyshim ky që rrjedhë nga provat e grumbulluara deri në këtë fazë të procedurës siç janë raporti fillestar i incidentit, i datës 11.06.2015, procesverbali i marrjes së deklaratës së dëshmitares F.D, i datës 10.04.2014, deklarata e të pandehurit B.T e datës 08.05.2014, procesverbali i marrjes në pyetje i të dyshuarit Xhabir Zharku, si dhe shkresat tjera të përmendura hollësisht në aktvendimin e gjykatës së shkallës së parë, dhe se a do të argumentohen këto fakte, është çështje që do të vlerësohet dhe vërtetohet gjatë fazave të mëtutjeshme procedurale. Ndërsa gjykata e shkallës parë, ka dhënë arsye të mjaftueshme mbi bazën ligjore për të cilën ia ka caktuar masën e paraburgimit të miturit dhe se drejtë ka vepruar kur të njëjtit ia ka caktuar këtë masë sipas dispozitës së nenit 187 par.1 nën par.1.1 të KPPRK-së”, thotë Apeli në aktvendim. Gjykata e Apelit e Kosovës ka vlerësuar të drejtë vendimin e shkallës së parë, meqenëse ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri i ka kryer veprat penale të cilat i vihen në barrë, ekzistojnë edhe bazat e veçanta ligjore për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj tij, raporton “Betimi për Drejtësi”. “Duke pasur parasysh faktin se në rastin konkret bëhet fjalë për një vepër të rëndë penale, për të cilën parashihet dënim mjaftë i lartë me burgim, nëse i pandehuri shpallet fajtor, athëherë mund të konkludohet se ekziston rreziku real që i pandehuri mund të ikë ose arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale”, thuhet në vendimin e Apelit. “Për më tepër, fakti që i pandehuri më parë ka qenë në arrati për t’iu shmangur një procedure tjetër penale dhe fakti se ai është shtetas i Republikës së Suedisë, është një indikator i fuqishëm që e justifikon frikën se ai mund të veproj sërish njësoj, duke ndikuar kështu në zvarritjen e procedurës penale. Andaj nga sa u tha më lartë, vazhdimi i paraburgimit ndaj të pandehurit, konform nenit 187 par.1 nënpar.1.1 e 1.2, pika 1.2.1 të KPP-së, është i nevojshëm për shkak të sigurimit të prezencës së tij, me qëllim të zbatimit të suksesshëm të procedurës penale”, thuhet në vijim të vendimit. Gjithashtu, kjo gjykatë ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë, drejtë ka gjetur se ka bazë ligjore për vazhdimin e paraburgimit edhe konform dispozitës së nenit 187 paragrafi.1 nën paragrafi 1.1 e 1.2 pika 1.2.2 të KPP-së, ngase ka arsye për të besuar se me gjetjen e të pandehurit në liri, duke e shfrytëzuar autoritetin e tij si ish-kryetar i Komunës së Kaçanikut, lidhjet eventuale, autoritetin nga e kaluara, mund të ndikojë në dëshmitarët e këtij rasti dhe në këtë formë të pengojë rrjedhën normale të hetimeve, sidomos kur dihet se rasti është në një fazë të hershme të procedimit dhe prokurorisë do t’i duhet kohë që të ndërmarrë hapat e nevojshme. “Për arsyet e lartcekura, kjo gjykatë vlerëson se gjykata e shkallës së parë ka vepruar drejtë kur të pandehurit, ia ka vazhduar masën e paraburgimit, ngase masat e tjera të parapara nga neni 173 i KPPRK-së, janë të pa mjaftueshme për sigurimin e prezencës së tij në procedurë dhe në rrjedhjen normale të procedurës penale, andaj me qëllim të zbatimit me sukses të procedurës penale, vazhdimi i paraburgimit, konsiderohet si i domosdoshëm, kurse ankesa e mbrojtëses, u refuzua si e pabazuar”, thuhet në aktvendim të Apelit. Ndryshe, Xhabir Zharku, në vitin 2011, ishte dënuar nga EULEX-i me 3 vjet burgim për veprat penale “detyrim” dhe “armëmbajtje pa leje”, ndërsa pas kësaj ishte arratisur nga Kosova, ku kishte jetuar në Suedi e në disa raste kishte marrë pjesë në organizime të institucioneve të Kosovës. Në shtetin skandinav ai kishte jetuar për gati pesë vjet e gjysmë, derisa më 7 qershor të vitit 2018, ai ishte kthyer në Kosovë, pasi që kishte kaluar afati i ekzekutimit të dënimit ndaj tij.