Ekipi i Superligës thyen rregullat – në kohë pandemie stërvitet në grup

ekipi-i-superliges-thyen-rregullat-–-ne-kohe-pandemie-stervitet-ne-grup

Në kohë të pandemisë së COVID-19, skuadrat kosovare të futbollit nuk po përfillin vendimet e institucioneve të vendit, duke thyer “karantinën” për t’u grumbulluar për aktivitetet e tyre sportive.

Që nga 13 marsi, Qeveria e Kosovës për të parandaluar përhapjen e koronavirusit vendosi që të pezullohen të gjitha aktivetet sportive për një kohë të pacaktuar, transmeton Insporti

Përveç se nuk lejohet zhvillimi i aktiviteve sportive, në rast rikthimi ato do të zhvillohen pa praninë e tifozëve, pasi nuk do të lejohet as grumbullimi i personave në vende publike.

Nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) ende nuk është marrë ndonjë vendim nëse do të rikthehet futbolli, paraprakisht edhe stërvitjet në grup, përkundër takimit të djeshëm të zhvilluar mes Ministrisë e Federatës së Futbollit të Kosovës.

Sidoqoftë, kjo nuk ka ndalur ekipet e Superligës së Kosovës që të shkelin ligjin duke u stërvitur në publik.

Në pamjet ekskluzive të siguruara nga Insporti, shihet se ekipi i Gjilanit është skuadra e fundit që është grumbulluar për t’u stërvitur në grup, duke thyer kështu rregullat e pandemisë.

Kjo “dukuri” është vërejtur edhe te disa klube kosovare, raste të njohura për redaksinë, derisa së fundmi edhe klubi i Prishtinës është parë duke stërvitur në grup.

Për shkak se grumbullimi nuk lejohet, policia më herët gjatë këtij muaji kishte vizituar klubin e KF Llapit ku po mbaheshin stërvitje, por kryetrajneri Batatina zbuloi se stërvitjet po i mbante vetëm me nga dy lojtarë në të njëjtën kohë.

Përveç grumbullimeve të futbollistëve për stërvitje, tubime të tilla janë vërejtur edhe te grupe tifozësh.

Gjatë ditës së djeshme u raportua se një grup tifozësh i ekipit të Superligës, Vushtrria, ishin mbledhur në shkallët e stadiumit “Ferki Aliu”, për të festuar njëvjetorin e themelimit.

Madje, në njërën prej fotografive, ata shiheshin duke mos e respektuar as distancën sociale.

Zyrtarë të Federatës së Futbollit të Kosovës kanë thënë se shpresohet që stërvitjet të rikthehen më 15 maj, derisa shpresohet në rifillim të ndeshjeve kampionale më 1 qershor.

Federata e Futbollit të Kosovës është e detyruar që para datës 25 maj, të dërgojë përgjigjen e fundit në UEFA, rreth të ardhmen së futbollit kosovar.

The post Ekipi i Superligës thyen rregullat – në kohë pandemie stërvitet në grup appeared first on RahovesNews.