Kushtetuesja mund ta zë në befasi LDK-në, Isa Mustafa s’i ka ende gati emrat për ministra

kushtetuesja-mund-ta-ze-ne-befasi-ldk-ne,-isa-mustafa-s’i-ka-ende-gati-emrat-per-ministra

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka bërë koalicion për formimin e qeverisë së re me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismën Socialdemokrate si dhe me Listën Serbe, e me këtë të fundit nuk e kanë bërë publike marrëveshjen, shkruan Rahovecnews.net.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka lënë të hapur mundësinë e vendimmarrjes së shpejtë, duke mos e mohuar kështu se verdikti për dekretin e Thaçit mund të merret edhe para 29 majit.

Lexo edhe:

Nuk përmend datë, Kushtetuesja thotë se do marrë vendim meritor për dekretin e Thaçit

Sidoqoftë, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka arritur ende pajtueshmëri brenda strukturave të partisë për emrat e ministrave në qeverinë e re, teksa një gjë të tillë tashmë e kanë bërë AAK-ja dhe Nisma.

Këtë e ka konfirmuar për Rahovecnews.net, Lirije Kajtazi, anëtare e Kryesisë së LDK-së, e cila ka thënë se akoma nuk është diskutuar rreth emrave për ministra.

Ajo thotë se partia e saj, këtë do ta bëj në “momentin e përshtatshëm”.

“Jo. E para çfarë e vendos Kushtetuesja është punë në të cilën nuk dua të ndërhy edhe është mirë që mbeti puna që të vendoset nga Kushtetuesja për drejtësinë edhe për hapat në vazhdim. Ndërsa LDK-ja besoj se në momentin më të përshtatshëm do të ulet dhe do të bisedojë. Natyrisht se ka vlerësuar punën e ministrave aktual si pozitive ngase ata kanë mbetur në detyrë se ashtu ka thënë LDK-ja se i duhen qytetarëve në këtë kohë pandemie. Do të thotë është vlerësuar pozitivisht puna e tyre dhe në vazhdim do të shohim se çfarë do të bëhet edhe me pjesët e tjera. Do të jetë edhe një rishikim i gjithë asaj se duhet të ndarë sektorë për partnerët e kështu në vazhdim”, ka deklaruar Kajtazi për Rahovecnews.net.

Mirëpo, në medie gjatë ditëve të kaluara u raportua se pikërisht për shkak të emrave të mundshëm për ministra , brenda LDK-së ka pakënaqësi dhe mosmarrëveshje, por një gjë e tillë u mohua për Rahovecnews.net nga nënkryetari i këtij subjekti politik, Lutfi Haziri.

Haziri ka thënë se nuk ka asnjë mosmarrëveshje apo përçarje brenda LDK-së.

“LDK do të jetë me unike së kurrë, LDK po bashkohet dhe do të demonstrojë ketë shumë shpejtë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. LDK -ja këtë unitet e ka betonuar me 3 gusht. Askush nuk guxon me thy. Dallimet ne na bëjnë me të fortë dhe të dallueshëm nga partitë tjera. Ne jemi ekip i fortë e nuk kemi individ që thyen apo përjashton e vendosë për të gjithë sikurse të tjerët”, ka thënë ai.

Ndryshe, masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese ndaj dekretit të presidentit Thaçi do të zgjasë deri më 29 maj. /Rahovecnews.net/

Lexo po ashtu: 

Mosmarrëveshjet brenda partisë – Haziri: LDK do të jetë më unike se kurrë