Shuhen zërat, zgjedhjet në Serbi nuk ndryshojnë angazhimin e Grenellit në dialog

shuhen-zerat,-zgjedhjet-ne-serbi-nuk-ndryshojne-angazhimin-e-grenellit-ne-dialog

Derisa nga Bashkimi Evropian është thënë se dialogu mund të rifillojë menjëherë pas zgjedhjeve në Serbi, zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, duke ju referuar burimeve nga Lobi Shqiptar në SHBA, kanë thënë se Ambasadori Grenell nuk do të jetë më pjesë e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë, dhe se në vend të tij do të emërohet një person tjetër.

Mirëpo një gjë e tillë është mohuar nga zëdhënësi i Grenell, Dick Custin.

Në pyetjen e Rahovecnews.net nëse zgjedhjet në Serbi, do ta ndryshojnë angazhimin e Grenellit në procesin e dialogut, nga zyra e Grenellit kanë thënë se një gjë e tillë nuk e afekton interesimin e emisarit të SHBA-ve.

“Zgjedhjet në Serbi nuk do ta ndryshojnë angazhimin e Ambasadorit në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Custin në një përgjigje për Rahovecnews.net.

Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi gjatë ditës së djeshme ka deklaruar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë mund të rifillojë pas zgjedhjeve në Serbi të cilat do të mbahen me 21 qershor.

“Besoj, se do të kemi një mundësi pas zgjedhjeve në Serbi (21.qershor 2020). Shpresoj që pastaj të fillojmë shumë shpejt të punojmë për një zgjidhje. Kam parë sinjale shumë pozitive në lidhje me virusin Corona. „Korsitë e gjelbra” që u ngritën në të gjithë unionin për lëvizjen e lirë të mallrave dhe kamionëve të transportit janë ngritur po ashtu edhe në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Ky është një sinjal pozitiv shumë premtues, kur të bëhet fjalë që të zgjidhim edhe problemet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi.

Lexo edhe:

BE: Dialogu me Prishtinës e Beogradit mund të nis pas zgjedhjeve në Serbi

Kujtojmë, se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është ndërprerë në fund të vitit 2018, pasi që Qeveria e atëhershme e Kosovës kishte vendosur taksën ndaj mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Siç është thënë, qëllimi i dialogut është normalizimi i raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dhe arritja e një marrëveshjeve paqësore, si kusht i domosdoshëm i përafrimit të dy vendeve me procesin integrues në Bashkimin Evropian.

Mirëpo, muajve të fundit, në këtë proces është vërejtur një rol më i fuqishëm dhe më aktiv i SHBA-së dhe përfaqësuesit të presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë – Serbi, ambasadorit Richard Grenell.

Nën ndërmjetësimin e ambasadorit Grenell, Kosova dhe Serbia u pajtuan në parim për vendosjen e linjës direkte ajrore, Prishtinë – Beograd, si dhe për hapjen e linjave hekurudhore dhe autostradave që do t’i lidhnin jo vetëm këto dy vende, por edhe rajonin me BE-në. /Rahovecnews.net/