Raka tregon se a ka teste për t’u testuar lojtarët para se të rifillojë kampionati i futbollit në Kosovë

raka-tregon-se-a-ka-teste-per-t’u-testuar-lojtaret-para-se-te-rifilloje-kampionati-i-futbollit-ne-kosove

Mikrobiologu i njohur kosovar, Lul Raka thotë se është e pamundur që të testohen të gjithë lojtarët e futbollit në Kosovë – para se të rifillojë kampionati.

Raka thekson se është pothuajse e pamundur të bëhet testimi – për shkak që në vendin tonë nuk ka teste të mjaftueshme për të bërë një gjë të tillë.

Në top ligat evropiane, klubet kanë bërë testimin e lojtarëve para se të rifillojnë stërvitjet, pasi duan të jenë të sigurtë që lojtarët e tyre nuk janë të infektuar me Covid-19.

Megjithatë, Raka thekson që Kosova nuk është sikurse vendet e tjera në Evropë, andaj një gjë e tillë vështirë se do të ndodhë.

“Ne nuk jemi sikurse Evropa, nuk kemi kushte që të testojmë lojtarët. Ne nuk kemi as kapacitet testues, as izolues në karantinë. Është praktikisht e pamundur që të testohen lojtarët para se të rifillojë kampionati – për shkak që nuk kemi teste për ta bërë një gjë të tillë”, tha Lul Raka në një prononcim për Blic.

Vlen të theksohet se para pak çastesh Ministria e Shëndetësisë e ka pranuar letrën e dërguar nga Federata e Futbollit të Kosovës – për të rifilluar ndeshjet e Kupës me 24 maj dhe kampionati me 1 qershor.

Megjithatë, zëdhënësi i MSH, Faik Hoti ka potencuar që fjalën e fundit për rifillimin e kampionatit e ka IKSHPK-ja.

“Ministria e Shëndetësisë ka pranuar kërkesën e FFK-së qe t’u lejohen aktivitetet dhe garat dhe ka kërkuar nga IKSHPK që të jap një rekomandim rreth kësaj çështje. Kur të kemi shpjegimet dhe rekomandimet e IKSHPK-së, me to do të njoftohet Federata, sikur edhe për aspektet e tjera që lidhen me aktivitetet sportive”, ka thënë Hoti.

The post Raka tregon se a ka teste për t’u testuar lojtarët para se të rifillojë kampionati i futbollit në Kosovë appeared first on RahovesNews.